• |
ide | kryesore

Video/ Gola, rrahje, të kuqe e arbitri i zëvendësuar: Inter në gjysëmfinale pas një derbi të çmendur

-Instant, F1, Sport, Video



E të mendosh që ishte një derbi i nisur bukur. Pastaj, ndodhi pak a shumë gjithcka. Goli i Lukaku (penallti) e Eriksen që përmbysën atë të Ibrahimovic, duke i dorëzuar gjysëmfinalen Inter, një grindje e furishme mes Lukaku e Ibrahimovic që u fyen rëndë dhe rrezikuan të kalonin tek duart, kartoni i kuq i Ibras (për një faull loje) e dëmitmi i arbitrit Valeri, i zëvendësuar nga arbitri i katërt Chiffi.

Cmimi që ishte në lojë në derbin e Kupës së Italisë i bëri teknikët Conte e Pioli të rreshtonin lojtarët më të mirë në kërkim të kualifikimit. Por momentit të mirë të zikaltërve që rrezikuan me Lukaku e Perisic iu përgjigj me një goditje kirurgjikale Ibrahimovic. Suedezi la të palëvizur portierin Handanovic me një goditje të kalibruar i rrethuar nga mbrojtësit zikaltër, në minutën e 32 të takimit, duke shtangur Interin.

Por ritmi dhe veprimet e bukura të pjesës së parë u harruar nga grindja e egër e Lukakut e Ibrahimovic. Dy gjigantët e sulmit u konfrontuan, kokë më kokë, duke kaluar nga fjalët tek veprat, por në mes kanë ndërhyrë lojtarët që kanë evituar më të keqen. Suedezi i tha dicka provokuese numrit 9 të Inter, që humbi kontrollin dhe ka kërkuar me insistim konfliktin me Ibran. “Mos më qesh në fytyrë” është lexuar në fjalët e Lukakut, por sulmuesi i Milan vazhdoi ta nervozojë, aq sa kartonët e verdhë nuk e shmangën përpasjen, që në tunelin e dhomave të zhveshjes rrezikoi të kthehet në një sherr fizik, nëse Lukakun nuk do ta kishin mbajtur lojtarët e tjerë zikaltër.

Vetëm se derbi i Milanos në Kupën e Italisë mori drejtim tjetër me kuqezinjtë që e panë papritur veten në vështirësi. Lukaku ishte i nervozuari në fund të pjesës së parë, por Ibrahimovic ishte ai që u ndëshkua me karton të kuq sapo rifilloi e dyta, duke e lënë Milan në inferioritet numerik. Sikur të mos mjaftonte, Leao bën një ndërhyrjë në zonë ndaj Barella që nuk duhej, duke shkaktuar penalltinë e akorduar me VAR. Nga pika e bardhë Lukaku përplasi topin nën traversë e në rrjetë për barazimin 1-1.

Edhe në barazi e një lojtar më shumë, zikaltrit nuk arritën të bënin diferencën, duke u përpasur në një mbrojtje të kujdeshme, që u tradhëtua nga faulli naiv i Meite në hyrje të zonës në minutën e shtatë shtesë. Interi kompletoi përmbysjen me një perlë të Eriksen. Danezi ekzektoi me mjeshtëri një goditje dënimi në hyrje të zonës, duke shënuar golin më të rëndësishëm që kur ka mbërritur tek Inter dhe duke i dhënë Contes kualifikimin.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *