• |
ide | kryesore

Dhuna ndaj aktivistëve/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit padit në SPAK Bledi Çuçin dhe Ardi Veliun

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka depozituar ditën e sotme një padi për dhunën e ushtruar ndaj 3 aktivistëve të cilët u arrestuan pranë Teatrit Kombëtar në dhjetor 2020 dhe pretendojnë të jenë dhunuar brenda Komisariatit numër 1 në Tiranë.


Artistët kanë kallëzuar në SPAK ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, kreun e Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kreu i SHBÇA, Muhamet Rrumbullaku, e drejtues të tjerë të policisë, pas pretendimit se është dhunuar brenda komisariatit të policisë aktivisti i aleancës, Donald Martini.


Artistët thanë para ambienteve të SPAK se nuk do të ndalen, derisa autorët të dalin para drejtësisë, pasi sipas tyre, kjo është rruga e vetme.

“Flitet që nuk ka pyll pa derra, por po shoh që derrat po bëhen aq të mëdhenj, sa nuk ka vend ku rrinë derrat, që të kenë dhe ndonjë pemë këtu të drejtë. Ministri ishte ai që tha që policia jonë është më e mirë se ajo angleze, shpresoj që e drejta të dalë. Ministri i mençur shqiptar shpresojmë që të marrë guximin dhe të thotë kush ishte personi që ushtroi dhunë brenda komisariatit të policisë”, tha një prej artistëve.

“Ky është një kallëzim penal personal i shtetasit Donald Martini, që jo rastësisht na ka sjellë të gjithëve ne si aleancë para derës së SPAK. Ne kemi vlerësuar që kjo është një dhunë e komanduar, e mirëmenduar, dhe nuk ka pasur në fokus vetëm aktivistin e aleancës, por është një dhunë ndaj Aleancës për Teatrin. Objekti i kallëzimit sot është dhuna e ushtruar brenda komisariatit. përgjegjës janë ministri Cuci, Ardi Veliu, drejtuesi i SHCBA, drejtues të tjerë të policisë, pasi nuk kanë marrë asnjë veprim konkret referuar kërkesave të bëra nga aktivistë të Aleancës, dhe duke mos marrë asnjë veprim konkret ato japin modelin e dhunës, i thonë cdo polici që të ushtrojnë dhunë, sepse nuk i gjen gjë.

Ushtruesit e dhunës kanë goditur Donald Martinin. Është dhuna që ushtrohet në mënyrë të vazhdueshme ndaj Aleancës për Teatrin. Ne këtu jemi për të mbështetur Donald Martinin. Edhe mua policët tentuan të më merrnin peng, por ishin këta miqtë e mi që më shpëtuan nga kthetrat e tyre. Sa herë ne vijmë në SPAK, koha na ka dhënë të drejtë. Kemi një polici që drejtohet nga kriminelë, banditë e mafiozë. Kemi një ministër e kryeministër të lidhur me krimin e mafian. I bëjmë thirrje SPAK të reagojë, sepse kjo klimë e dhunës, mënyra si po precipiton demokracia në Shqipëri, tregon se shteti është kapur fort nga krimi e mafia. Ne kërkojmë drejtësi jo vetëm për familjet tona, por edhe për fëmijët e këtyre të SPAK, të Gjykatës së Posacme, e të gjithë familjet shqiptare, sepse do vijë një ditë që ne s’do kemi mundësi të hapim dhe dyert e shtëpisë, nga kjo dhunë e instaluar. Sot është koha që ne duhet të mbështesim njëri-tjetrin, kundër kësaj klime, që do na bëjë të kemi zili dhe Italinë e viteve 70”, tha Adriana Kalaja.

“Kjo është një polici politike, se kur vjen puna për të kontrolluar njerëzit e thjesht ajo vepron, në të kundërt jo, aq më tepër tani me përgjimet. Polici politike, polici militantësh. Ata kanë për detyrë ta zbërthejnë këtë sistem, që po zhbën edhe të drejtën në Shqipëri. Nesër kjo polici do iu futet në shtëpi, me këta drejtues të inkriminuar në mënyrë indirekte. Është një polici që ndalon njerëzit të protestojnë dhe lë mafiozët të ngrenë kullat e krimit. SPAK duhet ta zbërthejë këtë, që këta njerëz të dalin para drejtësisë. Ne nuk do të ndalemi, do të shkojmë përpara, se është rruga e vetme që ka ngelur”, tha regjisori Edmond Budina.

“Shpresoj që Ministri që tha se Policia jonë është më e mirë se ajo hollandeze të veprojë. Ministri i Brendshëm të marri guximin dhe të thotë cili ishte personi që ushtroi dhunë brenda komisariatit,” deklaroi Martini.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu