• |
ide | kryesore

Gjykata i del kundra Biden-it, ndalon qeverinë amerikane që të zbatojë një moratorium 100-ditor të dëbimeve

-Instant, Lajme, Planet



Një gjykatës federal të martën ndaloi qeverinë amerikane që të zbatojë një moratorium 100-ditor të dëbimeve, një nga përparësitë kryesore të Presidentit Joe Biden për çështjen e imigracionit.

Gjykatësi federal Drew Tipton lëshoi një urdhër ndalimi të përkohshëm të kërkuar nga Teksasi, shteti që të premten sfidoi një memorandum të Departamentit të Sigurisë Kombëtare që udhëzonte agjencitë e imigracionit të ndërpresin shumicën e dëbimeve. Gjykatësi Tipton tha se administrata e Presidentit Biden kishte dështuar “të ofronte ndonjë justifikim konkret, të arsyeshëm për një pauzë 100-ditore mbi dëbimet”.

Urdhri i gjykatësit Tipton është një goditje e hershme për administratën e Presidentit Biden, e cila ka propozuar ndryshime të mëdha të kërkuara nga aktivistët e imigracionit, duke përfshirë një plan për të legalizuar rreth 11 milionë emigrantë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme. Zoti Biden premtoi gjatë fushatës së tij lëshimin e një moratoriumi mbi dëbimet.

Vendimi është një fitore për udhëheqësit republikanë të Teksasit, të cilët shpesh kanë përdorur paditë për të ndalur programet e miratuara nga presidenti Barack Obama. Kjo gjithashtu tregon se ashtu si shtetet e drejtuara nga demokratët dhe grupet e emigracionit që luftuan ish-Presidentin Donald Trump nëpër gjykata për çështjet e imigracionit, shpesh me sukses, edhe republikanët mund ta bëjnë këtë me administratën e zotit Biden.

David Pekoske, sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, nënshkroi një memorandum në ditën e parë të Presidentit Biden në detyrë duke udhëzuar autoritetet e imigracionit që të përqëndrohen në sigurinë kombëtare dhe kërcënimet e sigurisë publike, si dhe këdo që kapet duke hyrë ilegalisht në SHBA pas 1 nëntorit. Ky ishte një ndryshim nga politika e administratës Trump që e bëri përparësi dëbimin e të gjithë personave që ndodhen në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara.

Moratoriumi 100-ditor hyri në fuqi të premten dhe vlente pothuajse për këdo që ka hyrë në Shtetet e Bashkuara pa autorizim para nëntorit.

Argumentet juridike

Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton argumentoi se moratoriumi shkelte ligjin federal dhe një marrëveshje që Teksasi nënshkroi me Departamentin e Sigurisë Kombëtare nga fundi i administratës së Presidentit Trump. Kjo marrëveshje kërkonte që Departamenti i Sigurisë Kombëtare të konsultohej me Teksasin dhe shtetet e tjera para se të ndërmerrte ndonjë veprim për të “zvogëluar, riorientuar, riparuar, relaksuar ose në ndonjë mënyrë modifikuar zbatimin e ligjeve të imigracionit”.

Administrata e Presidentit Biden argumentoi në regjistrat gjyqësorë se marrëveshja është e pazbatueshme sepse “një administratë në largim nuk mund t’ia heq atë lloj pushteti një administrateje në ardhje”. Zyra e prokurorit Paxton, ndërkohë, botoi një artikull opinion në rrjetin Fox News si provë se “refuzimi për të dëbuar të huajt e paligjshëm po çon drejtpërdrejt në lirimin e menjëhershëm të të huajve të tjerë të paligjshëm në Teksas”.

Gjykatësi Tipton, i emëruar nga Presidenti Trump, shkroi se urdhri i tij nuk ishte i bazuar në marrëveshjen midis Teksasit dhe administratës Trump, por në ligjin federal për të ruajtur “status kuon” para moratoriumit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Reagimet ndaj vendimit

Prokurori Paxton ka mbështetur kauzat konservatore dhe të djathta ekstreme në gjykatë, duke përfshirë një proces të dështuar për të përmbysur fitoren e demokratit Biden ndaj republikanit Trump, pasi ai vetë përballet me një hetim të FBI-së për akuzat e një ish ndihmëseje të lartë se ai abuzoi me detyrën e tij në shërbim të një donatori.

Në përgjigje të vendimit të gjykatës, prokurori Paxton shkroi në Twitter “FITORE” dhe përshkroi moratoriumin mbi dëbimet si një “kryengritje të së majtës”, një referencë ndaj protestës së dhunshme të 6 janarit në të cilën mbështetësit e zotit Trump sulmuan Kapitolin ndërsa Kongresi po certifikonte fitoren e demokratit Joe Biden. Pas dhunës në Kapitol, Dhoma e Përfaqësueve ngriti akuza ndaj ish Presidentit Trump për nxitje të kryengritjes.Pesë njerëz vdiqën në protestat e dhunshme në Kapitol, duke përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit.

Kate Huddleston nga dega në Teksas e Unionit Amerikan të Lirive Civile kritikoi prokurorin Paxton dhe argumentoi se padia e tij nuk duhet të lejohej të vazhdonte.

“Pezullimi i përkohshëm i dëbimeve nga administrata (e Presidentit Biden) është i ligjshëm dhe i nevojshëm për t’u siguruar që familjet të mos ndahen dhe njerëzit të mos kthehen në zonat e rrezikshme pa nevojë ndërsa administrata e re rishikon veprimet e kaluara”, tha Huddleston në një deklaratë./VOA



1 Comment

  1. USA ESHTE SHNDERRUAR , FATKEQESISHT, SI SHQIPERIA PAS FITORES SE BERISHES QE E NDAU , PERCAU, EGERSOI POPULLIN DHE LUFTEN POLITIKE E SHTRIU NE GJYKATA DHE NE CDO INSTITUCION!!!!
    KJO ESHTE E TMERRSHME!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *