• |
ide | kryesore

Gjermania, investitori më i madh në Shqipëri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Me një fond prej 124,9 milion eurosh Gjermania do të mbështesë katër vitet në vijim investime në sektorët e energjisë, të turizmit dhe të mjedisit në Shqipëri.

“Kjo mbështetje, që vjen kryesisht në formën e kredive të buta, ka për qëllim zhvillimin e administrimit të mbetjeve sipas standardeve të BE-së, rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës dhe mbështetjen e zhvillimit rajonal në zonën e bregdetit të jugut dhe zonën Korçë-Pogradec. Tema të rëndësishme këto për zhvillimin e qëndrueshëm dhe miqësor të vendit ndaj mjedisit” thuhet në njoftimin e ambasadës gjermane në Tiranë.

Në emër të qeverisë gjermane marrëveshja u nënshkrua nga Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf. Kurse për palën shqiptare atë e nënshkroi Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe e Energjisë, e cila e cilësoi Gjemaninë ”një nga partnerët strategjikë dhe gjithmonë i ndodhur pranë Shqipërisë, në këto dekada të rëndësishme për rimëkëmbjen e saj”

“Financimi i këtyre projekteve do të mbështetet në hua me kushte të favorshme nga KfW, që është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm e të besueshëm në zhvillimin e infrastrukturës rajonale” vuri në dukje ajo.

Ku do të kryhen investime?

Marrëveshja e parë ka të bëjë investime në Hidrocentralin e Fierzës për të përmirësuar prodhimin e energjisë elektrike. Sipas të dhënave zyrtare të Korporatës Elektro- Energjetike të Shqipërisë (KESH) liqeni i Fierzës – rezervuari i Hidrocentralit të Fierzës – kryesori në Shqipëri. ka një kapacitet prej 2,7 miliardë metra kub ujë. Kur ka rreshje të dëndura shirash, niveli i liqenit të Fierzës, rritet në mënyrë kritike.

Në fillim të këtij muaji prurjet nga rreshjet e shirave arritën në 1700 metra kub në sekondë, sasi që ekspertët e kanë cilësuar të ngjashme me atë të vitit 2010, kur pati një situatë të jashtëzakonshme: u hapën portat e hidrocentralit për të shkarkuar ujrat , në qarkun e Shkodrës u përmbytën 2400 banesa dhe 10 mijë hektarë tokë u ndodhën nën ujë.

Në të tilla raste Hirocentrali i Fierzës rrit prodhimin por rreziku i përmbytjeve është i pranishëm dhe kostot e dëmeve prej tyre janë të larta. Investimet me mbështetjen gjermane pritet të rrisin prodhimin dhe shmangin dëmet në rastet e shkarkimeve.

Marrëveshja e dytë ka të bëjë me investimeve qe synojnë rritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike për t’i dhënë impulse të reja ekonomisë në zonat me potencial turistik në bashkitë e Himarës, Korꞔës, Pogracedit dhe në atë të Pustecit, ku jeton edhe një minoritet maqedonas.

Marrëveshja e tretë përfshin inmvestime në menaxhimin e qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin në sektorin e mbetjeve të ngurta. Në verën e vitit të Gjermania dha një grant prej 1,8 milionë eurosh për të kryer studime lidhur me fizibilitetin në këtë sektor.

Në një deklaratë për shtyp të Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) lidhur me grantin në fjalë vihej në dukje që “menaxhimi i mbetjeve të ngurta është një fushë e rëndësishme brenda sektorit kyç të infrastrukturës bashkiake në Shqipëri”.

Studimi pritet të sigurojë një paraqitje të detajuar të masave, investimeve dhe modeleve të zhvillimit për ngritjen, funksionimin dhe mirëmbajtjen në mënyrë të qëndrueshme të infrastruktures për mbetjet e ngurta, në linjë me standardet e Bashkimit Evropian.

Ai po kryhet në bashkëpunim të ngushtë me dy studime të financuara nga Kuadri i Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF) si edhe me asistencën e dhënë nga Agjencia Zviceriane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim (SECO) për një plan investimesh për gjithë sektorin.

Shqipëria ka një Masterplan dhe plan investimesh në fushën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta. Marrëveshja e sapo firmosur është në linjë me këtë masterplan dhe pritet të ketë ndikim pozitiv jo vetëm në harmonizimin e standarteve në këtë fushë me ato të BE por edhe në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe jetesës së qytetarëve.

Bashkëpunimi financiar Gjermani – Shqipëri ka dhënë tanimë mbështetje për ndërtimin e landfill-it sanitar në Maliq të Korçës, financon ndërtimin e një landfill-i sanitar dhe ngritjen e sistemit të mbledhjes së mbetjeve të ngurta në Vlorë. Në marrëveshjen e sapo nënshkruar përfshihet ndërtimi i landfilldit në Berat.

DW



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *