• |
ide | kryesore

Detaje të reja nga hetimet/ Çfarë ndodhi me biznesmenin Davide Pecorelli

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Mediat italiane vijojnë t’i kushtojnë vëmendje zhdukjes së biznesmenit Davide Pecorelli në javën e parë të janarit në vendin tonë. Në një shkrim të gjatë të “La Nazione” jepen detaje nga hetimet e policisë italiane dhe asaj shqiptare, mbi pistat ku po kërkohet dhe pikëpyetjet e shumta.

Gazeta shkruan se për momentin, hetuesit janë përqëndruar në zbulimin e shkakut të djegies së makinës “Skoda Fabia” që Pecorelli mori me qera në Rinas. Ky zbulim do të jepte më shumë kuptim për atë që mund të ketë ndodhur. Përveç kësaj, një tjetër e dhënë që po pritet me padurim është analiza e ADN-së e atyre pak kockave që u gjetën në makinën e shkrumbuar një ditë pas ngjarjes. Pikëpyetjet pa përgjigje janë të shumta. A ishte një vdekje e dhimbshme? Pecorrelli u vra apo ishte aksident?

Ekspertët italianë dhe ata shqiptarë kanë punuar intensivisht ditët e fundit. Të hënën pritet një raport nga policia shqiptare në Perugia për rezultatin fillestar mbi mostrën e ADN-së të rikuperuar brenda makinës Skoda. Duhet theksuar se brenda makinës hetuesit gjetën vetëm 5% të trupit. Mbetet mister se çfarë ndodhi me pjesën tjetër.

Ekspertët nuk kanë arritur ende në përfundimin se çfarë mund të ketë shkaktuar zjarrin.

Familja e 45-vjeçarit e marrë në pyetje ditët e fundit nga prokurori italian Giuseppe Petrazzini dhe policia përsëriti faktin se Davide, në Shqipëri, nuk kishte armiq; ai ishte larguar në fillim të janarit për të përfunduar disa marrëveshje biznesi.

Hetuesit shqiptarë nuk kanë asnjë gjurmë për përfshirje në ndonjë trafik të paligjshëm. Për këto arsye është e paqartë se çfarë ndodhi në mbrëmjen e 6 janarit në rrugën e Gjegjanit.

Gjetjet e hetimeve, gjurmët e marra dhe provat e mbledhura nga prokurorët në të dy vendet u krahasuan për rreth 2 orë në një takim në zyrën e prokurorit të Pukës, pas së cilës asnjëra palë nuk bëri komente.

Një mik i Davide Pecorelli ka deklaruar se ai i kishte rrëfyer se po shkonte në Shqipëri për ta takuar një mjek të cilit do t’i shiste një lazer të cilësisë së lartë. Bëhet fjalë për një marrëveshje me vlerë rreth 70 mijë euro. Policia shqiptare nuk e ka konfirmuar një takim të tillë. Madje ajo nuk ka gjetur asnjë provë për të identifikuar mjekun në fjalë.

Ka shkaktuar habi ndërkohë sekuestrimi nga gjykata e Arezzo i dyqanit “Parrucchieri Milano” i hapur nga Davide dhe që aktualisht menaxhohej nga partnerja e tij shqiptare. Për momentin nuk dihet nëse kjo masë lidhet me historinë e zhdukjes së Pecorelli. Fakti është që personeli tani është në shtëpi duke pritur të dijë diçka për punësimin e tyre në të ardhmen. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *