• |
ide | kryesore

‘El Mundo’ zbulon shifrat e çmendura të rinovimit të Messi: “Ja kontrata që shkatërroi Barçan”

-Instant, F1, Sport



Mbi 500 milion euro për katër vjet. ‘El Mundo’ publikon shifrat e rinovimit të fundit të nënshkruar nga Pleshti me Barcelonën dhe nxjerr sërisht Lionel Messin në faqen e parë. ‘Scoop-i’ i gazetës spanjolle, që ka patur akses në tekstin e marrëveshjes, është një hap tjetër i sulmuesit argjentinas larg Katalonjës, sepse duket qartë se brenda klubit blaugrana është dikush që interesohet të bëjë të njohur ndikimin ekonomik të numrit 10 në arkat e Barças, asnjëherë në vështirësi si tani (borxhet tejkalojnë një miliard euro).

555,237,619 euro bruto nga nëntori 2017 deri më 30 qershorin e ardhshëm, datë në të cilën do të skadojë kontrata aktuale e Messit, i cili tashmë e ka marrë një bonus për firmën prej 115 milion euro dhe një për ‘besnikërinë’ prej 80 milionë. Sipas asaj që zbuloi ‘El Mundo’ kontrata, mes pjesës fikse dhe asaj të ndryshueshme (padyshim e lehtë për t’u arritur, sepse edhe nëse në tre edicionet e fundit të Champions League Barcelona kurrë nuk arriti në finale, Messi sidoqoftë ka marrë në shtëpi 92 % të totalit) vlen pothuajse 139 milion euro në sezon.

Një shifër marramendëse që peshon qartë si një gur në arkat e Barcelonës dhe gazeta spanjolle e ka merak ta tregojë. “Si e ka shpërblyer lojtari argjentinas klubin në vitet e fundit?” në fakt është titulli i artikullit që shoqëron figurat, ku shfaqen fraza të tilla si “një marrëveshje e bërë në gjunjë” dhe “Një njeri nuk mund të jetë kurrë një Zot”. Është e vështirë të jesh më i qartë, qendrimi në Barcelonë i Messi, që kishte kërkuar të largohej që verën e kaluar, tani duket se është shënjuar plotësisht dhe në Paris janë tashmë të gatshëm ta mirëpresin. Pochettino dhe Leonardo kohët e fundit kanë qenë të qartë dhe Pulce gjithashtu ka filluar studimet në frëngjisht…

BARCELONA: “AKSIONE LIGJORE KUNDËR SHPËRNDARJES”
Barcelona, duke iu referuar lajmit të El Mundo, lëshoi një shënim zyrtar: “Klubi është i hidhëruar që kontrata mes Barcelonës dhe Messit është zbuluar zyrtarisht. Është një dokument privat i mbrojtur nga konfidencialiteti midis palëve. Ne e mohojmë përgjegjësinë për botimin e këtij dokumenti dhe do të ndërmarrim veprime ligjore kundër El Mundos për dëmin që mund të shkaktojë botimi. Barcelona shpreh mbështetjen e plotë për Messin, veçanërisht kur dikush përpiqet të diskreditojë imazhin e tij dhe të dëmtojë marrëdhënien e tij me klubin tonë, ku ai u rrit sportivisht për tu bërë lojtari më i mirë në botë “.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *