• |
ide | kryesore

Arrestohet në Durrës i riu me 13 doza kokaine

Arkiva, Lajme



Policia e Durrësit në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë goditur një tjetër rast të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Në njoftimin e policisë thuhet se policia ka sekuestruar 13 doza kokainë, ndërsa është arrestuar poseduesi i tyre.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në bazë të informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Krimeve se një shtetas merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, organizuan punën dhe ushtruan kontroll në një lokal në Hamallaj ku ndodhej shtetasi A. K. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën 13 doza me lëndë narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu u proceduan penalisht shtetasi S. T., 24 vjeç, banues në Hamallaj (pronari lokalit), për veprën penale “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”, pasi gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të tij u gjetën 6 fishekë dhe shtetasi L. B., 31 vjeç, banues në Hamallaj, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël me lëndë narkotike marijuanë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 doza me lëndë narkotike kokainë, 6 fishekë, një sasi lënde narkotike marijuanë dhe një peshore elektronike”, thotë policia.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *