• |
ide | kryesore

Përndiqte përmes adresave fallco në rrjetet sociale një vajzë, arrestohet 27-vjeçari

-Instant, Lajme, Të fundit



Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik.

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 27 vjeçar i cili akuzohet për Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.

Në kuadër të operacionit të koduar “Takimi”, është arrestuar Igli Paskali, 27 vjeç i cili kishte hapur 13 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.

Mësohet se ky shtetas përmes mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale, ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase në qytetin e Tiranës, me të cilën ka realizuar dhe një takim, duke u prezantuar me të dhëna të rreme.

“Pas një hetimi disamujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota dhe të shpejta në lidhje me kallëzimin e marrë nga një shtetase, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.

Pas kryerjes së hetimeve, Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin I. P., 27 vjeç, banues në Tiranë.

Për këtë shtetas është caktuar urdhri i ndalimit, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.

Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme.

Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale, ky shtetas ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase në qytetin e Tiranës, me të cilën ka realizuar dhe një takim, duke u prezantuar me të dhëna të rreme.

Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 13 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular i markës iPhone.

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja“, njofton policia.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *