• |
ide | kryesore

Në shtetet evropiane ndërmerren hapa për të ‘drejtat’ e të vaksinuarve

-Instant, Arkiva, Lajme, Planet



Pak pas fillimit të vaksinimit në BE vendet anëtare po shohin përpara dhe kanë nisur diskutimin për të drejtat eventuale për të vaksinuarit.

Ende nuk mund të nxjerrësh konkluzion konkret, por lajmi nga Kopenhaga disa njerëzve mund t’u japë shpresë. Qeveria daneze deklaroi të mërkurën se është duke përgatitur një certifikatë digjitale për koronavirusin, një aplikacion në smartphone, përmes të cilit mund të dëshmohet vaksinimi. Detajet ende nuk janë sqaruar, por certifikata, kaq gjë dihet tashmë, ka për synim të lehtësojë rihapjen dhe t’u mundësojë biznesmenëve që të udhëtojnë sërish.

“Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme, që shoqëria daneze përsëri të hapet dhe ndërmarrjeve t’u mundësohet të punojnë. “Shumë firma daneze janë aktive në mbarë botën”, tha ministri i Financave Morten Bodskov të mërkurën.  Drejtori ekzekutiv i Dhomës daneze të Tregtisë, Brian Mikkelsen, e quajti këtë si një dritë në fund të tunelit për shumë firma.

Suedia fqinje po ndjek të njëjtat plane dhe deklaroi po ashtu  konceptimin e një certifikate vaksinimi. “Me një certifikatë digjitale vaksinimi do të jetë shpejt dhe më e thjeshtë që të dëshmosh vaksinat e bëra”, tha Ministri për Digjitalizimin Anders Ygeman të enjten. Megjithatë tani për tani shtrohet pyetja, se për çfarë duhet të jetë e vlefshme certifikata e vaksinimit.

Ndërkohë në shumicën e vendeve të BE-së nisur nga numri i lartë i infektimeve dhe shfaqja e varianteve të reja të virusit tendenca më shumë po shkon drejt ashpërsimit të mëtejshëm të rregullave. Kjo prek si udhëtimet publike ashtu edhe ato private. Danimarka p.sh. kërkon një arsye të justifikueshme si orar pune apo bashkim familjeje, për të lejuar udhëtimin, po ashtu kërkohet edhe një test ndaj COVID jo më i vjetër se 24 orë. Nga Danimarka në Suedi ndërkohë nuk lejohet pothuajse askush të udhëtojë për shkak të përhapjes së variantit britanik të virusit në Danimarkë. Madje ende nuk duket të jetë i mundur as rifitimi i së drejtës së lëvizjes nëse posedon certifikatën digjitale të vaksinimit.

Estonia u jep më shumë të drejta të vaksinuarve

Ndryshe veprohet në Estoni. Vetëm pak javë pas fillimit të ngadalshëm të vaksinimit në mbarë BE-në, Talini ndërkohë ka vendosur rregulla të posaçme përkatësisht lehtësime për të vaksinuarit. Qysh gjatë kësaj jave shfuqizohen kufizimet e karantinës dhe testet e detyrueshme për COVID-19 për ata që udhëtojnë nga BE-ja dhe vende të treta, që kanë marrë vaksinën. Këto rregulla vlejnë edhe për njerëzit, që gjatë gjysmës së fundit të vitit e kanë marrë veten nga sëmundja me COVID. Nëse është bërë vaksina kjo mundëson edhe udhëtimin në Poloni dhe në Rumani.

Edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dëshiron lehtësim udhëtimesh për të vaksinuarit. Ai e pati vendosur në agjendën e takimit të nivelit të lartë të BE-së në mes të janarit temën e certifikatës së vaksinimit. Sektori i turizmit në Greqi përbën rreth 12 përqind të rendimentit ekonomik të Greqisë. Sipas një studimi të Ernst and Young xhiroja e kësaj dege gjatë nëntë muajve të vitit të kaluar ra me 79 përqind. U shkurtuan vende pune dhe pagat. Për shumë restorante, hotele dhe institucione kulturore në një vend turizmi si Greqia, Spanja, Italia lehtësimet e masave për udhëtarë të vaksinuar mund të kenë rëndësi të madhe mbijetese për bizneset.

Detyrimi i përgjithshëm për vaksinim megjithatë vazhdon të jetë i përjashtuar. Krahas të drejtave edhe disa detyrime të lidhura me vaksinimin vazhdojnë të diskutohen me rezerva. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehet qartë për një ofertë për vaksinim, kur bëhet fjalë për strategjinë e qeverisë për vaksinimin. Edhe në disa vende si në Francë e Holandë shumë njerëz janë skeptikë ndaj vaksinimit. Deri tani asnjë vend i BE-së nuk e ka shpallur të detyrueshëm vaksinimin.

Aktualisht po diskutohet me zjarr si për çështjen e detyrimeve ashtu edhe për mundësinë nëse të vaksinuarve do t’u lejohet sërish të udhëtojnë apo të shkojnë në kafene, restorante, në koncerte e teatro. Si aspektet shkencore edhe ato politike janë të përfshira në këtë diskutim. Deri tani është e paqartë, se sa vaksinimi mund të parandalojë infektimin e njerëzve të tjerë dhe se sa kohë zgjat mbrojta nga infektimi prej vaksinës. Shtrohet gjithashtu pyetja, se si mund t’u hiqen të drejtat njerëzve, që deri tani nuk kanë pasur akses në vaksina.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *