• |
ide | kryesore

INSTAT: Nga Shqipëria janë larguar 600 mijë persona që nga 2011

-Instant, Lajme, Të fundit



Disa anketa dhe metodologji të zhvilluara nga INSTAT dhe organizata të ndryshme joqeveritare tregojnë për një përkeqësim të fenomenit të emigracionit në dekadën e tretë që nga rënia e regjimit komunist. Një prej tyre, që mat emigracionin dhe diasporën, tregon se nga viti 2011 deri më 2020, janë larguar nga vendi rreth 600 mijë persona.

INSTAT përdor metoda të tërthorta për kryerjen e një vlerësimi mbi numrin e emigrantëve, i cili bazohet në të dhënat e dy censeve të njëpasnjëshëm, edhe pse ka vështirësi ose kufizime. Censi i popullsisë dhe banesave në Shqipëri jep një vlerësim të stokut të migracionit brenda periudhës midis censeve, i cili zakonisht kryhet çdo 10 vjet dhe përmban vetëm një numër të vogël pyetjesh, të cilat nuk mund të numërojë të gjitha ngjarjet e migrimit si: familje të tëra që lëvizin, migrimin sezonal të përkohshëm dhe qarkullues.

Metoda e tërthortë që INSTAT përdori ishte krahasimi i dy popullsive, asaj të popullsisë banuese dhe regjistrit civil nxori se numri i emigrantëve që jetojnë jashtë vendit arriti në 1,6 milionë persona në vitin 2020 në krahasim me 1.08 milionë që ishin nga rezultatet e censit të vitit 2011, ose rreth 600 mijë persona më shumë.

Sipas të dhënave të INSTAT nga viti 2001 në 2011 ishin larguar në emigrim 481 mijë persona, por përgjatë dekadës së tretë 2011-2020 numri i emigrantëve u rrit me 25%.

Tendenca në rritje në rritje e emigracionit u nxit nga kriza ekonomike e vitit 2008 dhe heqja e vizave me Bashkimin Europian në dhjetor të vitit 2010. Përgjatë dekadës së fundit emigracioni u zgjerua nga individë të veçuar në ikjen e të gjithë familjes. Shumë familje kërkuan azil ekonomik pas vitit 2015, fenomen i cili vazhdon të ndodhë.

Kjo shifër është gati dy herë më e lartë sesa ajo e një ankete të fundit të INSTAT parë, që gjeti se gjatë viteve 2011-2019 janë larguar nga vendi mbi 360 mijë persona, ose 13% e popullsisë banuese në vitin 2011.

Një studim i fundit i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Rusell King tregon se emigrimi ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, që nga elitat e deri te grupet më të varfra e më të margjinalizuara dhe ka tërhequr njerëz nga të gjitha rajonet e vendit

Sipas tyre, pas tri dekadash migrimi vijon të ndodhë ende, ndonëse natyra e tij ka ndryshuar – më pak një migrim për shkak të varfërisë, dëshpërimit dhe protestës, siç ishte ai gjatë viteve ‘90-të, dhe më shumë, në ditët e sotme, një veçori strukturore e shoqërisë dhe demografisë shqiptare, në veçanti tek të rinjtë, segmentet më të arsimuara të popullsisë..

Vendet të cilat kanë si qëllim përfshirjen e diasporës së tyre në zhvillimin e vendit, nuk ju mjafton vetëm numri i tyre, por shumë i rëndësishëm është profili i tyre, si demografik ashtu dhe social e ekonomik.

INSTAT rekomandon që nevojitet të kenë informacion mbi përqendrimin e tyre, statusin arsimor dhe atë në punësim. Këto karakteristika do të ndihmojnë më së shumti qeverinë për të kuptuar më qartë potencialin profesional dhe ekonomik që ka diaspora.

Ndërtimi i regjistrit të emigrantëve, nismë e ndërmarrë tashmë nga Ministria e Brendshme, do të ndihmojë shumë në këtë drejtim. Nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, do të bëhen përpjekje për mbledhjen e të dhënave cilësore, nga Përfaqësitë Diplomatike.

Ikin familjet

Një tjetër anketë e INSTAT, në bashkëpunim me donatorët në rreth 20 mijë familje vitin e kaluar (prill-korrik 2019) ka zbuluar një fakt të frikshëm në dekadën e kaluar, pasi fenomeni është zgjeruar në emigrimin e së gjithë familjes. Gjatë 10-vjeçarit të fundit janë larguar nga vendi 6,6% e familjeve, gjithsej 49,500 të tilla, ndërsa në vitet 2001-2011 ishin larguar 4.4% e njësive familjare.

Anketa ka zbuluar se kushtet ekonomike, duke përfshirë varfërinë, papunësinë dhe nënpunësimin, të ardhurat e ulëta nga punësimi, kushtet e vështira të jetesës, mbrojtja e kufizuar sociale dhe borxhet janë faktorët kryesorë për emigrantët shqiptarë.

Përveç këtyre faktorëve bazë, një tjetër shtysë është e ardhmja e fëmijëve.

Përveç tyre, ka edhe të tjerë faktorë, si mangësitë dhe cilësia e ulët e shërbimeve të kujdesit shëndetësor, strehimi, konfliktet dhe siguria fizike që shkaktojnë stres të vazhdueshëm psikologjik, përfshi cilësinë e ulët të arsimit. Për disa nëngrupe (p.sh. romët dhe egjiptianët), një faktor shtesë është diskriminimi.

Pjesa dërrmuese e personave që emigrojnë janë të rinj, ndërsa 14% e tyre ishin me arsim të lartë. Largimi i burrave ishte 200% më i lartë se ai i grave. Emigracioni i dekadës së fundit ka përfshirë një pjesë të konsiderueshme të shtresës së mesme edhe nga ana e formimit arsimor.

Sipas të dhënave të anketës, nga të larguarit, 54% e tyre kishin një diplomë të arsimit të mesëm, profesional ose të përgjithshëm, ose një diplomë të studimeve të larta. Gati 14% e emigrantëve gjatë periudhës 2011-2019 ishin me arsim të lartë./B.Hoxha/monitor/



3 Comments

  1. Shpopullimi i Shqipërisë, nëse i referohemi retorikës propogandistike të Ramës, është qëllimi i së ashtuquajturës “rilindje urbane”.
    Ai po e thotë gjithnjë e më hapur se nuk e sheh me shqetësim emigrimin e shqiptarëve e është i interesuar më shumë që në Shqipëri të “emigrojnë” të huajtë.
    Në tetë vite në pushtet, qeveria Rama u përkujdes jo për të investuar në rritjen e prodhimit të përgjithshëm dhe eksportit shqiptar, por me “zbukurimin” e fasadave të qyteteve sipas shijeve të tij, të “mrekullojë” të huajtë që të vijnë e shijojnë bukuritë e Shqipërisë e të vijnë e të jetojnë këtu.
    Sipas propogandës së tij, mirqënja e shqiptarëve do të mgrihet me rritjen e emigrimit të tyre për tu punësuar jashtë, dhe ardhjen në Shqipëri të emigrantëve të pasur që duke shfrytëzuar turizmin e bukuritë natyrore të vendit tonë, dot të rrisin pagat e skllevërve” shqiptarë që ndërtojnë grataçiela e porte jahtesh lluksoze.
    Nëse do të shohim mediat e kapura prej tij, pikërisht në kohën e “kiametit”, shkatërimit nga tërmeti e nga pandemia, po ju bëhet propogandë “rilindjes urbane” , fasadave urbane e agroturizmit rural.
    Derdhen para për qëndrat e qyteteve, sheshe e ndonjë rrugë , bëhen projekte për porte e aeroporte, në një kohë që mbi 70% e popullsisë jetojnë me 2 deri 5 dollarë në ditë e një pjesë e madhe përjetojnë edhe varfërinë absolute.
    Me dhjetra mijë familje jetojnë në çadra e në shtëpi të rënuara, pa ujë, pa emergji elektrike, pa rrugë rurale , pa punë e pa para, e ai propogandon fasadat e ndërtuara me para droge.
    Të vetmin port të madh që ka Shqipëria, ate të Durrësit, kërkon tja japë sheikëve multimiliarderë arabë që ata në vënd të tij të ndërtojnë “portin më të madh të jahteve” në Mesdhe.
    Po këtë po tenton ta bëjë edhe në Vlorë e Sarandë.
    Po sa shqiptarë do të banojnë në kullat e larta kur çmimi i një metri katror shkon deri në 4 mijë euro ?
    Cilët shqiptarë veç kategorisë së bosëve të mafies e “politikanë” të kategorisë së Saimir Tahirit do të kenë jahtet e tyre ?
    Është e vërtetë që Shqipëria mund të bëhet një vend atraktiv turistik për të huajt, por shqiptarët mos duhet të zgjedhin një kryeministër që mendon veç për multimilionerët ?
    Ka në botë shumë vende “parajsa turistike” për të huajtë por sa ka ndikuar kjo në rritjen e nivelit të jetesës për vendasit ?
    Pjesa më e madhe e tyre përjetojnë nivelet më të ulta të jetesës duke u kthyer në skllevër pune të të huajve.
    Kur themi që Shqipëria është një ndër vëndet më të varfëra të Europës, duhet të pranojmë faktin se deri para 20 viteve , Shqipëria ishte ndër vëndet më të varfëra të botës.
    Që Shqipëria ka ndryshuar pozitivisht në këto 30 vite të ndryshimit të sistemit, është një fakt i dukshëm, veçanërisht për ne emigrantët, e nuk pajtohem kursesi me mendësinë e nostalgjikëve të enverizmit se “jemi më keq se sa ishim”, e kjo sigurisht ka ardhur si pasojë e tregut të lirë kapitalist e sistemit demokratik pluralist.
    Po vendet e pa zhvilluara si prioritet në ngritjen e nivelit të përgjithshëm ekonomik, nuk duhet të kenë vetëm turizmin.
    Prioritetet më të mëdha në investime duhet të jenë veçanërisht për Shqipërinë, investimet e fuqishme në infrastrukturën e komunikimit (rrugë automobilistike, rrugë hekurudhore, linja ajrore e detare e tani edhe komunikimi kompjuterik).
    Së dyti investimet e fuqishme në burimet energjitike.
    Së treti ujsjellësit e ujëshpërndarësit për vaditje.
    Pa komunikacion, pa energji e pa ujë, është e pamundur të ndërtosh një industri që të plotësojë nevojat e popullsisë e të risë buxhetin me eksportet.
    Komunikacioni duke ruajtur kushtet e zhvillimit të industrisë, ndikon edhe në pakësimin e papunësisë
    Pa këto, nuk mund të përmirësohen shërbimet publike si shëndetësia e arsimi.
    Talleshte Rama sa ishte në opozitë me prioritetet e qeverisjes Berisha se atij i është bërë mëndja vetëm rrugë e hidrocentrale.
    Por që të shkosh tel portet e aeroportet duhet të keshë ndërtuar sistemin e plotë të gjithë rrugëve.
    Që të përballosh jo vetëm ngritjen e nivelit ekonomik e industrial, por edhe të turizmit, duhet siguruar energjia dhe infrastruktura ujore.
    Në 8 vite në pushtet, Rama nuk ka arritur që të përfundojë edhe ato projekte që nuk arriti të përfundojë Berisha
    Vitin e fundit , disa muaj para zgjedhjeve, del me projekte 3D për porte e aeroporte, pa ndërtuar pothuajse asnjë rrugë të saktë por vetëm me premtimet se “do të bëjmë” këtë apo ate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *