• |
ide | kryesore

Arrestohen dy policë në Tropojë

Arkiva, Lajme, Të fundit



Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka arrestuar dy punonjës policie në Tropojë për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Të arrestuarit janë nënkomisari F. Gj., specialist i Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Komisariatit të Policisë Tropojë dhe inspektor B.Rr., po specialist i Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban në Tropojë.

SHÇBA njofton se nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se në 27 janar në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit për Çështjet e Brendshme është paraqitur përfaqësuesi i një kompanie sigurimesh, i cili ka bërë kallëzim penal se në datë 16 janar 2021 është njoftuar nga një person se ka ndodhur aksident në rrugën Tropojë – Lekbibaj, ku janë përplasur dy mjete.

Shoferit, thotë më tej SHÇBA-ja, i është thënë nga punonjësit e policisë, se fajtor është mjeti i siguruar tek kjo kompani sigurimi. Por vijon më tej njoftimi, “pas materialit kallëzues u krye hetim administrativ për rrethanat e aksidentit dhe përcaktimin objektiv të fajtorit si dhe veprimet e punonjësve të policisë në raport me ngjarjen. Dyshohet se dy punonjësit e Policisë Rrugore kanë shpërdoruar detyrën e falsifikuan dokumentet” thotë SHÇBA.

Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për dy punonjësit e policisë të cilët janë arrestuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *