Në Spanjë, terrori i humbjes së Lionel Messi është i vërtetë. Pleshti nuk ka rinovuar ende me Barcelonën dhe as nuk është thënë që ai përfundimisht ta bëjë këtë. Zgjedhjet për presidencën e klubit katalanas mbahen në mars dhe vetëm pas kësaj argjentinasi do të jetë në gjendje të flasë me numrin 1 të ri të Camp Nou. Por, ndërkohë, ofertat vijnë me shumëicë. Paris Saint-Germain ka dalë hapur, me Di Maria, Pochettino dhe Verratti tashmë që kanë bërë të ditur se po e presin me krahë hapur. Manchester City i Guardiola, shpjegojnë nga Anglia, është më i duruar dhe do të fillojë sulmin e tij pas ndonjë muaji, kur situata të përcaktohet më shumë. Ndërkohë… autoritetet tatimore spanjolle po dridhen.
Jo se marrëdhënia e Pleshtit me tatimet iberike ishte saktësisht e lumtur, duke patur parasysh se disa vjet më parë Messi u dënua për evazion fiskal. Por që nga ai moment, gjashtë herë Topi i Artë ka paguar taksat rregullisht, duke u bërë një nga taksapaguesit më të mëdhenj në Spanjë. El Periodico de Catalunya ka bërë disa llogaritje dhe ka vërtetuar se që nga viti 2017, viti në të cilin ishte rinovimi faraonik i kontratës që shkaktoi kaq shumë diskutime, kapiteni i Barcelonës dhe Argjentinës u ka paguar autoriteteve tatimore një shifër gati të paimagjinueshme: të paktën 370 milion euro, 275 prej të cilave vetëm për taksat mbi të ardhurat. Mjaftueshëm për të pasur terrorin e pastër se mund të shohin argjentinasin të shkojë për të luajtur në një kampionat tjetër, me spostimin e rezidencës fiskale.
Gazeta bëri të kundërtën e El Pais, që shkaktoi kaq shumë skandal duke botuar kontratën mes Messit dhe Barcelonës. Argjentinasi i kushtoi klubit të paktën 555 milion në katër vjet, por ka derdhur shumë para në arkat e shtetit. Edhe falë të drejtave të imazhit, të cilat përfaqësojnë pjesën tjetër të konsiderueshme të taksave të paguara nga Messi. Për të, gati 84 milionë që derivojnë nga shfrytëzimi i imazhit të tij. Dhe, duke marrë kthimin mesatar të tatimit mbi të ardhurat e tatimpaguesit spanjoll, llogaritja është bërë: Pleshti paguan taksat e 120 mijë banorëve. E kjo shpjegon pse nuk është vetëm Barça ose La Liga që i frikësohet lamtumirës së tij …