• |
ide | kryesore

“Nis kodin! Urgjente!” Skema për marrjen e WhatsApp, mbi 1 mijë llogari të vjedhura

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



WhatsApp është ndoshta aplikacioni më popullor mes shqiptarëve në komunikimin e përditshëm me mesazhe, foto apo video, por javët e fundit një pjesë e përdoruesve kanë qenë nën një sulm të vazhdueshëm nga persona të panjohur. Policia paralajmëroi se “situata është serioze” dhe për ekzistencën e një “skeme” të vjedhjes së informacioneve personale.

Por si funksionon përvetësimi i llogarive në WhatsApp? Sipas policisë, vjedhja nis me kërkesën për të rikthyer një kod gjashtëshifror. “Kjo kërkesë vjen nga një person i cili ka njohje të mëparshme me viktimën dhe që ka qenë edhe ai/ajo viktimë e këtij sulmi, pra autori nis mesazh nga llogaria e një viktime tjetër” tha zëdhënësja e policisë.

Skema është shpjeguar në emisionin Opinion, nga specialisti i IT, Gentian Progni, shoqëruar me zbërthimin e mesazheve nga një rast konkret.

Në foton më lart është mesazhi i parë, që mbërrin në celularin e një prej viktimave. Ai përmban një numër gjashtëshifror.

Paralelisht me këtë mesazh në celular, nga një i njohuri juaj vjen një mesazh tjetër në WhatsApp që kërkon kthimin me urgjencë të numrit gjashtëshifror.

Gabimi që nuk duhet bërë është kopjimi i numrit gjashtëshifror nga mesazhi i parë dhe dërgimi i tij me WhatsApp.

Skema funksionon përmes kontakteve të njohur mes njëri-tjetrit. Kjo do të thotë që mesazhet vijnë nga persona që më parë kanë rënë viktima dhe që janë të njohurit tanë.

Sipas Prognit, problem tjetër është që edhe nëse nuk dërgohet numri gjashtëshifror, linku bashkëngjitur në mesazhin e parë, nëse klikohet, kryen të njëjtin funksion, pra vjedhjen e të dhënave që janë ruajtur nga WhatsApp.

“Janë dy metoda. Për personat që e kuptojnë: Ata bëjnë bllokimin total të WhatsApp për një periudhë kohore. Ti nuk e përdor dot. Bën “crash” automatikisht. Kur të vjen një mesazh, nuk e kthen dot, apo nuk bën dot telefonata. Kjo është një nga metodat, metoda tjetër është që funksionon normalisht WhatsApp, por të gjitha bisedat kopjohen ndërkohë.” shpjegoi Progni.

Dyshimet janë se skema e vjedhjes së të dhënave nga WhatsApp vjen nga jashtë vendit dhe kohët e fundit në shënjestër janë gazetarë apo punonjës të zyrave të shtypit të partive. Progni tregoi që kur një gazetar, kishte tentuar të komunikonte me dërguesin e mesazhit, duke e pyetur se përse duhet ta bënte veprimin e kërkuar, ai kishte marrë një përgjigje me një shqipe të cunguar “Ju dërguar një mesazh sms”. Mënyra e shkrimit të përgjigjes, është një e dhënë që tregon se hakeri e kishte përkthyer fjalinë në “google translate”, duke shtuar dyshimet se ai është një person i huaj.

“Deri tani në Shqipëri janë 1 mijë persona të hakeruar. Për momentin informacioni është se mesazhet e hakerave janë rusë dhe turk. Informacionet se përse po ndodh kjo, lidhen me zgjedhjet, sepse të gjithë personat që po virusohen aktualisht janë ose gazetarë politikë, ose persona që punojnë në zyrat e shtypit të ministrive dhe partive” u shpreh specialisti i IT.

Disa ditë më parë, këtë fenomen e kanë denoncuar gazetari i emisionit politik në TVSH Lutfi Dervishi dhe ai i A2 CNN, Blendi Salaj, të cilët ranë viktimë e kësaj skeme, ndërkohë që të tjerë gazetarëve iu ka ndodhur e njëjta gjë në ditët e fundit.

Mënyrat për t’u mbrojtur janë disa, thonë specialistët. Përveç kujdesit në shkëmbimin e të dhënave personale, WhatsApp ofron një sistem mbrojtës me kodin e verifikimit me dy  hapa “Two step verification” që duhet aktivizuar.

Përveç kësaj, preferohet që opsioni “Backup”, pra ai i ruajtjes periodike të të dhënave të jetë i çaktivizuar. Po ashtu, këshillohet të çaktivizohet edhe shkarkimi automatik i fotove apo videove që dërgohen në mesazhet e aplikacionit.©Lapsi.al



2 Comments

  1. po nese kodi ka ardhur tek numri yt eshte afermendsh qe personi ka tentuar ta aktivizoje me numrin tend…qe ketu mbaron muhabeti or mik …..budallalleqe

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *