• |
ide | kryesore

Detaje nga vrasja në Shkodër/ 12-vjeçarja u qëllua nga i vëllai, arrestohet xhaxhai i tyre

-Instant, Lajme, Të fundit



Zbardhet nga policia ngjarja e ditës së djeshme, ku në fshatin Baks të Velipojës u vra me armë zjarri një 12-vjeçare.

Fillimisht u mendua se e mitura ishte vetëvrarë, por policia sqaron se 12-vjeçarja është qëlluar aksidentalisht nga vëllai i saj i mitur, me armë gjuetie sportive.

Edhe pse u dërgua me urgjencë në spital, fatkeqësisht e mitura ndërroi jetë. Policia ka arrestuar xhaxhain e të ndjerës në pronësi të së cilit ishte arma e zjarrit.

30-vjeçari me inicialet Xh.Gj., akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

“Nga strukturat hetimore të Stacionit të Policisë Velipojë, nën drejtimin e Prokurorisë  në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje, më datë 10.02.2021, u arrestua në flagrancë  shtetasi Xh. Gj., 30 vjeç, banues në fshatin Baks, Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”(xhaxhai i 12 vjeçares)

Ky shtetas u arrestua pasi në banesë mbante pa leje një armë gjahu, me të cilën shtetasi i mitur E. Gj. aksidentalisht  ka shkrepur armën në drejtim të motrës së tij, shtetases E. Gj., e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, shkruan policia.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *