• |
ide | kryesore

Studimi i INSTAT: Familjet e arsimuara ulën konsumin gjatë viteve 2017-2019

-Instant, Lajme, Të fundit

Familjet që kishin kryefamiljarin me arsim të lartë kanë ulur konsumin në vitin 2019 në raport me vitin 2017, në pjesën më të madhe të qarqeve në vend.


Sipas të dhënave të INSTAT, familjet që kishin kryefamiljarin me arsim të lartë në Kukës ulën konsumin me 32% në vitin 2019 në raport me vitin 2017. Konsumi mesatar i një familje të tillë në Kukës ishte 63, 335 lekë në muaj më 2019, ndërsa në vitin 2017 ishte 93,691 lekë. Pas Kukësit, rënia më e madhe e konsumit ishte në familjet e arsimuara në Durrës, me rreth 26 %. Një familje me arsim të lartë në këtë qytet shpenzoi mesatarisht 94,717 lekë në muaj më 2019, ndërsa në vitin 2017 shpenzoi 127,608 lekë.


Në Vlorë. e njëjta kategori pësoi rënie të konsumit me 14.8% dhe në Korçë me rreth 8% dhe Elbasan me -03%.
Nga ana tjetër, familjet e arsimuara rritën konsumin për të njëjtën periudhë në Dibër me 57%, Fier 14.3% dhe Tiranë me 3.6% dhe Shkodër me 3%.

Për sa u përket shpenzimeve në nivel qarku, sipas nivelit të arsimit të kryefamiljarit, vihet re që me rritjen e nivelit arsimor të kryefamiljarit, rriten edhe shpenzimet. Shpenzimet më të larta janë regjistruar në kategorinë e kryefamiljarëve me arsim të lartë apo pasuniversitar, ndjekur nga kategoria e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale.

Vlerat më të larta të shpenzimeve për vitin 2019 në kategorinë e arsimit të lartë janë regjistruar në qarqet Tiranë dhe Shkodër, ndërsa vlerat më të larta për kategorinë e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale janë regjistruar në qarqet Tiranë dhe Korçë. Shpërndarja e familjeve sipas arsimit të kryefamiljarit dhe shpenzimeve mesatare mujore paraqet tendenca të ndryshme përqendrimi në qarqe.

Shpenzimet mesatare për konsum sipas qarqeve kanë ndryshuar gjatë periudhës 2018-2019 duke shprehur në përgjithësi tendenca të ndryshme për nga madhësia e shpenzimeve. Rritja më e lartë e shpenzimeve për konsum në vitin 2019 është regjistruar në Qarkun e Dibrës dhe atë të Fierit, përkatësisht 12,3% dhe 9,2%. Ndërsa ulja më e madhe e shpenzimeve të konsumit vihet re në Qarkun e Durrësit, me 1,6%.

Shpenzimet mesatare mujore për konsum të grupeve “Ushqime, pije joalkoolike, pije alkoolike dhe duhan” kanë ndryshuar gjatë periudhës 2018-2019, duke shprehur në përgjithësi sjellje të ndryshme konsumatore. Rritja më e lartë e peshës së shpenzimeve për këto grupe nga viti 2018 është regjistruar në Qarkun e Kukësit me 8,9 pikë përqindje, ndërkohë ulja më e theksuar për grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike, pije alkoolike dhe duhan” është regjistruar në Qarkun e Lezhës, me 6,6 pikë përqindje. /Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu