• |
ide | kryesore

The Spectator/ Biden vs Merkel: Përshkallëzohet përplasja për gazin rus

-Instant, Lajme, Planet



Dy muaj më parë, anija ruse “Akademik Cherskiy” u largua nga ishulli Rygen në Baltik, për të përfunduar kilometrat e fundit të gazsjellësit më të diskutueshëm sot në botë. Gjermania shpreson që “Nord Stream 2” të përmirësojë qasjen e saj në rezervat e mëdha të gazit natyror në Rusi.

Por në SHBA, projekti shihet si një mënyrë përmes së cilës Moska do të ushtrojë ndikim në Evropë. Përfundimi i këtij projekti,shënon në fakt krizën më të madhe diplomatike në marrëdhëniet transatlantike që nga Lufta e Irakut, dhe tani, ashtu si atëherë, ne shohim Gjermaninë që i kundërvihet SHBA-së.

Por këtë here, Gjermania është shumë më e vendosur. Që nga fillimi i ndërtimit të tij, gazsjellësi që kalon drejtpërdrejt nga Rusia në Gjermani, është kundërshtuar nga shumë zyrtarë dhe analistë në Evropë, që bien dakord me shqetësimet e Amerikës për varësinë nga energjia ruse.

Disa e shohin këtë gazsjellësi një dredhi që do i japë mundësi Rusisë të ndalë dërgimin e gazit përmes Ukrainës, në mënyrë që të mund ta përshkallëzojë më tej konfliktin atje. Pas arrestimit të Alexei Navalny, Parlamenti Evropian votoi një rezolutë ku kërkonte zyrtarisht anulimin e projektit, por pa rezultat.

Madje në Poloni, një ministër e krahasoi atë me Paktin Molotov-Ribbentrop. Ky është një ekzagjerim i madh, por mbetet një tregues i teorive të konspiracionit që ka shkaktuar “Nord Stream 2”. Për shembull, gjermanët thonë se amerikanët janë kundër projektit, pasi ata duan t’u shesin evropianëve gazin e tyre.

Por as kjo nuk është e vërtetë. Grindja Uashington-Berlin, tregon se marrëdhënia midis Gjermanisë dhe Rusisë është shumë më e afërt sesa kuptohet në përgjithësi. Ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, është një mik personal i Vladimir Putin, të cilin ai e quante dikur “një demokrat patëmeta”.

Schröder drejton tani bordin mbikëqyrës të “Nord Stream 2”. Ndërsa kompania është e vendosur me seli në Zvicër, ajo është tërësisht në pronësi të “Gazprom”, konglomeratit rus të energjitikës. Angela Merkel ka qenë më e rezervuar në lavdërimet e saj ndaj Putinit, por kur ajo dhe Putini takohen bashkë, ata bisedojnë në rusisht.

Rusia nuk është domosdoshmërisht një vend që pëlqehet nga shumë gjermanë, por gjithsesi është një vend që ata e kuptojnë mjaft mirë. Politikanët gjermanë reaguan gati me eufori ndaj rezultateve të provave të ndërmjetme të vaksinës ruse Sputnik V në fillim të këtij muaji.

Krahasojeni këtë reagim me mënyrën se si ata përbuzën vaksinën e Oxford-AstraZeneca, pasi një zyrtar gjerman artikuloi pretendimin e rremë se ajo nuk funksionon për të moshuarit. Në aspektin teknik, Sputnik, është shumë e ngjashme me vaksinën e Oxford.

Por kjo duket se nuk e zbeh padurimin me të cilin gjermanët parashikojnë ardhjen e tij në vend. Në teori, vaksina dhe gazsjellësi janë çështje të ndara, por a mund ta imagjinojmë vërtet se Gjermania do të mirëpresë një vaksinë ruse, vetëm për të bojkotuar më pas gazin rus, në shenjë protestë ndaj sjelljes së keqe të Kremlinit?

Vaksinat dhe gazsjellësi thellojnë varësinë e Gjermanisë nga Rusia, dhe varësinë e Rusisë nga tregu gjerman. Ne jemi dëshmitarë të fillimit të një miqësie të re midis 2 vendeve. Për habinë e shumëkujt, Bashkimi Evropian nuk është një lojtar në këtë marrëdhënie.

Kjo u pa shumë qartë gjatë vizitës që kreu në Moskë në fillim të këtij muaji Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë. Ai u poshtërua nga Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, që i bëri të qartë botës gjatë konferencës së tyre të përbashkët për shtyp, se BE-ja ishte për Moskën“një partner jo i besueshëm”.

Një ministër i jashtëm gjerman, nuk do të ishte trajtuar kurrë në atë mënyrë. Më vonë, Borrell arriti në përfundimin se BE duhet të ri-mendojë mënyrën sesi ta trajtojë Rusinë. Por kjo gjë nuk do të ndodhë, pasi Gjermania nuk ka asnjë interes ta lejojë Brukselin të ndërhyjë në atë që po bëhet një marrëdhënie dypalëshe fitimprurëse.

Ajo që kanë të përbashkët Gjermania dhe Rusia,është një përkufizim transaksionar i politikës së jashtme. Për Gjermaninë, kjo ka të bëjë me lehtësimin e tregtisë dhe bërjen e gjithçkaje që mundet për të mbështetur tepricën e saj shumë të madhe tregtare.

Po nëse Putini nis të helmojë kundërshtarët e tij, si Alexei Navalny? Kur u pyet nëse ajo do të tërhiqej nga “Nord Stream 2” në shenjë proteste, Merkel tha se të dyja çështjet duhet të shihen të ndara nga njëra-tjetra. Qasja e Merkel ndaj politikës energjitike gjatë 10 viteve të fundit, është një nga arsyet kryesore se përse Gjermania është bërë kaq shumë e varur nga Rusia.

Pas shpërthimit bërthamor në Fukushima në vitin 2011, ajo vendosi të përshpejtojë heqjen dorë nga energjia bërthamore në Gjermani. Afati i fundit i mbylljes së centraleve bërthamore është fundi i vitit të ardhshëm. Në këto kushte, Gjermania është bërë shumë më e varur nga lëndët djegëse fosile në përgjithësi – dhe nga gazi rus në veçanti – për të kënaqur nevojat për energji të industrisë së saj prodhuese.

Dhe ajo nuk ka një plan B. Kjo është arsyeja pse establishmenti politik në Berlin, është i bashkuar në mbështetje të gazsjellësit. Merkel është tashmë në muajt e saj të fundit në pushtet. Por pasardhësi i saj si drejtues i CDU-së (dhe ndoshta si kancelar) është Armin Laschet, një politikan që nuk është më pak i prirur për pasjen e marrëdhënieve të mira me Moskën.

Tani për tani, strategjia e Merkel duket se është akomodimi i presidentit amerikan Joe Biden në një armëpushim diplomatik mbi të rënit dakord mbi mospajtimin mbi “Nord Steam 2”, ndërsa Gjermania vazhdon përpara pavarësisht kritikave.

Sinjalet e hershme nga Uashingtoni, sugjerojnë që administrata e re nuk do t’i lerë gjërat të vazhdojnë në këtë kurs. Në tetor, stafi i Biden bëri publike ​një deklaratë,ku thoshte se “do të vazhdonte të kundërshtonte Nord Stream 2”, pasi ai donte të “forconte pavarësinë energjetike të Evropës”.

Edhe Sekretari i ri i Shtetit, Antony Blinken, e bëri të qartë në seancat e tij të konfirmimit se gazjellësi do të vazhdojë të jetë një çështje madhore në marrëdhëniet SHBA-BE. Në fund mund të jetë e mundur të arrihet një kompromis, bazuar në pranimin e Gjermanisë për të importuar shumë më pak gaz nga Rusia sesa planifikon aktualisht, dhe ndërkohë të nisë ndërtimin e terminaleve detare për gazin natyror të SHBA-së.

Ndërkohë, nëse Biden vendos të tregojë dhëmbët, ai mund të përdorë Aktin e Mbrojtjes së Evropës për Sigurinë e Energjisë, që u miratua nga një shumicë bipartizane në Kongresin Amerikan në fundin e vitit 2019 dhe u përforcuar më tej në dhjetor 2020.

Plani i Uashingtonit është të kërcënojë me sanksione çdo kompani, që zotëron mjetet për ta përfunduar projektin. Në fillim, kjo u duk se funksionoi. Kompania“Allseas” në pronësi të Zvicrës u tërhoq nga “Nord Stream 2”. Por Rusia prodhoi anijen“Akademik Cherskiy”, që me sa duket ka mjetet e duhura për ta përfunduar gazsjellësin.

Uashingtoni ka në dispozicion edhe disa karta të tjera për të luajtur. Ligji i lejon të vendosë sanksione kundër bankave dhe kompanive të sigurimeve. Për shembull njëra prej tyre “Zurich Insurance” është tërhequr nga frika e humbjes së qasjes në tregun amerikan. Disa kompani daneze dhe norvegjeze kanë bërë të njëjtën gjë.

Por Gjermania po lufton hapur kundër Uashingtonit. SHBA dëshiron ta ndalojë Gjermaninë të bëhet e varur nga Rusia. Por Gjermania ka shumë nevojë për energji dhe është e etur të vazhdojë përpara me çdo kusht. Ajo që nuk po ndihmon është përkeqësimi gradual i marrëdhënieve dypalëshe midis Berlinit dhe Uashingtonit që filluan nën presidencën e Ronald Reagan dhe prekën fundin nën George W.Bush dhe Donald Trump.

Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar në SHBA, Merkel ka arritur në përfundimin se Trumpizmi nuk u mposht, dhe se një ditë ai mund të kthehet. Ajo është zhvendosur gradualisht nga mbrojtja e marrëdhënieve të forta transatlantike drejt mbështetjes së autonomisë strategjike evropiane.

Dhe “Nord Stream 2” përbën një pjesë thelbësore të kësaj zhvendosjeje. Por duke u larguar nga Amerika, Merkel po e përçan BE-në. Shtetet baltike dhe Polonia, që i frikësohen fuqisë ruse janë instinktivisht kundër. Po kështu edhe Franca, një mbrojtëse e fortë e autonomisë strategjike. Ndaj “Nord Stream 2”, dhe mendimi konfuz i Evropës mbi autonominë strategjike do ta largojë BE-në dhe SHBA-në nga njëra-tjetra.

Nga Wolfgang Münchau “The Spectator”

Përktheu abcnews.al



1 Comment

  1. Ky eshte ne te njejten kohe deshtimi spektakolar me energjine e rinovueshme. Pas miliardash e miliardash te hedhura ne panele diellore e eolike e cfaredo marrezie tjeter qe prodhon energji ne menyre te paqendrueshme dhe me kosto te larte, Gjermania perfundoi e varur nga sistemi me ndotes i mundshem sic jane termocentralet, dhe ne te njejten kohe nga gazi i rivalit te vet strategjik. Mbyllja e centraleve berdhamore dhe aventura me energjine e rinovueshme jane gafa te renda politike te Merkelit. E paimagjinueshme sesi hidhet i pari ne aksione te kushtueshme dhe te deshtuara kunder ndryshimeve klimatike vendi qe edhe po te jene te verteta keto ndryshime ne rastin me te keq do te prekej lehte dhe ne rastin me te mire do te perfitonte, dhe ne cdo rast e vetme nuk ka asnje fuqi per ta ngadalesuar apo ndalur fenomenin. Tani gjermanet paguajne nje cmim pothuajse te dyfishuar te energjise ne shume pak vite dhe nje rritje te vazhdueshme te parashikuar te vazhdoje gjate.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *