• |
ide | kryesore

Bllokimi i rrugës Milot-Lezhë/ Prokuroria nis hetimet për mungesën e mirëmbajtjes

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Dhjetra qytetarë e kaluan natën në rrugën Milot-Lezhë, e cila u bllokua për orë të tëra pas reshjeve të dëborës dhe mungesës së borëpastrueseve. Situata u përkeqësua rreth orës 17:00 të së shtunës, duke sjell bllokim total të këtij segmenti rrugor, ndërsa dhjetra qytetarë që ishin në rrugë mbetën të bllokuar deri pas mesnate, kur u mundësua kalimi në një rrugë dytësore.

“Që prej ores 17:00 jam bllokuar tek ura e Milotit bashkë me 40 pasagjer. Kemi 5 orë këtu dhe asnjë masë nuk është marrë. Kam dhe një fëmijë të sëmure me temperatur në autobuz këmi telefonuar spitalin, por ambulanca ka ngelur e bllokuar”, tha drejtuesi i një autobuzi në një bisedë telefonike.

Policia e Lezhës fajësoi kompaninë “Geci” që ka me koncesion mirëmbajtjen e rrugës, ndërsa njoftoi nisjen e procedimit penal ndaj saj. Prokurori i Lezhës Erjon Shehaj i tha BIRN se kishin filluar hetimet dhe se po merreshin dokumentacionet e kontratës së mirëmbajtjes. Kompania “Geci”, nuk qe e arritshme, por sipas prokurorit ka pretenduar se në kontratë nuk kishte parashikime për mirëmbajtje nga dëbora.

Ndërkohë pas thirrjeve të shumta për ndihmë, forca të ushtrisë dhe mjete të saj ndërhynë për zhbllokimin e rrugës edhe pse dhjetra mjete mbetën të bllokuara edhe gjatë ditës së dielë.

I bllokuar në rrugë ndërsa udhëtonte për në Shkodër ishte edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në një bisedë telefonike me News 24, Basha fajësoi qeverinë se edhe pse kishte pasur informacion për motin dhe reshjet e pritshme të dëborës, nuk kishte marrë masa.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku vizitoi aksin rrugorë në mesnatën e të shtunës dhe pretendoi se ishin marrë masat për zhbllokimin e saj, ndërsa qytetarët e bllokuar po ndihmoheshin nga policia dhe Emergjencat Civile.

Por drejtuesit e makinave të bllokuar në rrugë thanë se nuk patën asnjë ndihmë për mbi pesë orë. “Po kalojmë një situatë mjaft të vështirë në mes të ftohtit, pasi temperaraturat janë disa gradë nën zero. Kjo është e pafalashme për shtetin shqiptar, duke qenë se reshjet e dëbores ishin paralajmëruar dhe këtu madje është dhe reliev fushor dhe rruga mund të ishte mbajtur lehtësisht e hapur”, tha drejtuesi i autobuzit.

Shkak i bllokimit të këtij segmenti rrugor sipas policisë u bë mungesa e ndërhyrjes nga firma kontraktore që mirëmban këtë segment rrugor. Në rrugë nuk është parë asnjë mjet apo punëtor për të pastruar dëborën dhe hedhur kripë, pavarësisht se ishte paralajmeruar për reshje dëbore në të gjithë rajonin e Lezhës.

Në oret e drekës të së shtunës Policia e Lezhës njoftoi se nga Sektori i Qarkullimit Rrugor dhe Specialistët e Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, ka nisur procedimi penal ndaj firmës kontraktuese për mirëmbajtjen e kësaj rruge, për vepren penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë marrë asnjë masë në lidhje me mirëmbajtjen e këtij aksi.

Ndërkohë sipas prokurorit Erjon Shehaj, që po kryen hetimet pas referimit nga policia, drejtues të kompanisë “Geci”, e cila ka në kontratë mirëmbajtjen e rrugës, kanë pretenduar se ata nuk kishte parashikime për mirëmbajtje dimërore, pasi rruga ishte fushore dhe nuk ka pasur parashikim për mot të kësaj natyre. “Ata pretendojnë që mirëmbajtja në dimër nuk është parashikuar në kontratë, por kjo do shikohet kur të merren të gjithë dokumentet”, tha Shehaj.

“Në superstradën Lezhë-Milot u krijua një problematikë mjaft i madhe, pasi mungesa e ndërhyrjes nga kontraktori solli bllokim të lëvizjes, e për pasojë dhjetra qytetar ngelën të bllokuar për shumë orë”, tha Ndrek Mhillaj, Shef i Emergjance Civile në Prefekturën e Lezhës.

Mhillaj tha se kishin pasur një numër të madh telefonatash dhe kërkesash për ndihmë. “Përballë situatë kërkuam mbështetjen e ushtrisë. Këta të fundit kanë ardhur pak minuta para mesnatë dhe kanë shpërndarë karburant dhe batanije për udhëtarët që ngelën të bllokuar”, tha ai, ndërsa shtoi se ushtria vijoi të ishte në rrugë edhe gjatë ditës së dielë.

Sipas Mhillajt rreth orës 2:00 të mëngjesit është bërë i munduar zhbllokimi i automjeteve dhe është devijuar lëvizja për nga rruga e vjetër Lezhë-Milot.

Reshjet e dëborës janë ndërprerë që prej mesnatës të së shtunës në Qarkun e Lezhës, por situata në rrugë vijon të mbetet problematike si shkak i ngricave. Superstrada Lezhë-Milot vijon të jetë e bllokuar dhe policia ka devijuar lëvizjen për nga rruga e vjetër, ndërsa akset e tjera kombëtare të këtij qarku janë të kaluashme, por këshillohet të bëhet kujdes nga përdoruesit e rrugës për shkak të ngricave.

Po ashtu si pasojë e motit me stuhi dëbore kanë ngelur pa energji elektrike disa fshatra si shkak të dëmtimeve në rrjet, ndërsa dhe rrugët në zonat rurale në Mirditë janë të bllokuara, pasi trashesia e dëbores ka arritur në mbi 20 centimetra.

/BIRN



7 Comments

  1. ahaah.. ‘ ne kontrate nuk eshte shkruar MIREMBAJTJE NGA BORA ‘…
    Po per cfare i ke marre leket ? Per ta mirembajtur nga ferrat ?
    Jam shume kurjoz se si do shkoj kjo histori. Nese vertet kontrata ka mangesi ne percaktimin e objektit te mirmbajtjes , atehere ky Geci del i lare , por duhet te pushohet nga puna ai qe ka formuluar kontraten.

  2. Une them hiqni nga kontrata edhe mirembajtje ne rast shiu, bresheri edhe nese kalojne shume makina qe ma prishin rrugen.

    Po ata oligarke u del emri tip Geci

  3. S’ka faj Geci ,ka 100 pune te tjera mbase 20% te investimeve ne Shqiperi a i mban dot?Sa per prokurorine as i preket nje fije floku miqve te Ramsesit shqiptar
    Jane keta qe e mbajne dhe ai i
    s hperblen ata me taksat tona.

  4. Mendoj se per moszbatim te kontrates duhet qe Ministria perkatese ta penalizoj firmen ne baze te termave te kontrates, por qe policia te filloj procedim penal dhe Prokuroria te filloj hetime me duket pak e cuditshme. Jo se jam kunder hetimit por vetem pasi Ministria te kete konstatuar shkelje dhe te beje kallzim penal

  5. Bushat pse nuk rri ne shpi apo ishe ne Kosove?
    Ne tere boten kur koha eshte e keqe ose me CORONA thuhet -rrini ne shtepi dhe eleminoni daljet perjashta.
    Asnje nuk ka faj ,psh bie termet pse qeveria e ka fajin,keto situata jane shume te renda.
    Bushat mos shaj por me vjen mire qe ke qene me kembet ne toke dhe e ke pare se cfare heq populli.
    Ishalla fiton Kurti po hallall bora dhe ngrica.
    Mos e ca sumen Bushat,ka edhe me keq.
    Ne shkoder akoma nuk jane ndare parate e permbytjeve para 10 vjeteve qe Berisha she Topalli premtuan,e mendon sot se kur i vjen rradha popllit.
    Rri ne shtepi dhe gezoju lajmeve te te Fevzos apo Enit.

  6. MIREMENGJES.

    MOS DEGJONI KAZANIN.

    SHQIPERIA NUK U BLLOKUA NGA DEBORA.

    Pasi te kem mbaruar nje karikatur me debore qe e kam nisur qe mbreme ne darke, ftoj vetem votuesit e rilindjes ketu te Kryeministria, qe te luajne me Topa bore, e theksoj vetem votuesit e rilindjes.

    Edhe Telekronistja e televizionit te famshem ERTV Belinda Balluku, direkt nga ura e Milotit fton me kete rast jo vetem votuesit e rilindjes, per lojera te ndryshme ne rruget e Shqiperise me Topa bore.

  7. Thoni mire qe dihej qe kater dite me pare qe do binte bore te shtunen dhe qeveria mori masat se po te kishte ardhur papritur kjo stuhi, as ministrja Balluku nuk do kishte cfare te bente dhe do duhej te dilte vete Rama ne terren. Por mos u beni merak, me gjithe keto aeroporte qe jane bere, tani e tutje kur te jete kohe e keqe do levizim vetem me avione.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *