• |
ide | kryesore

DW: Zona e mbrojtur Vjosë – Nartë rrezikohet nga ndërtimi i aeroportit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një grupim prej 37 organizatash mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare kanë ngritur alarm, sepse zona e mbrojtur Vjosë-Nartë rrezikohet nga ndërtimi i një aeroporti.

Nga Deutsche Welle

Në Akërni të Vlorës, ku pritet të ngrihet aeroporti i Vlorës ekzistonte dikur një aerodrom. Por zona tashmë është natyralizuar krejtësisht. Prandaj një grupim prej 37 organizatash mjedisore kombëtare dhe ndërkombëtare i dërgoi pak ditë më parë një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku i kërkojnë anulimin e ndërtimit të aeroportit ndërkombëtar të Vlorës brenda kufijve të zonës së mbrojtur.

Një prej tyre është shoqata PPNEA, e cila që prej vitit 2017 lobon për këtë kauzë.

“Lokacioni në studimin e fizibilitetit jepet “de facto”, pa u diskutuar. Pra nuk është bërë një vlerësim i barabartë midis disa lokacioneve të ndryshme, të jenë vënë në ekuilibër të gjitha parametrat, qofshin ato ekonomikë, socialë por edhe ata të impaktit mjedisor dhe të merrej një vendim bazuar në balancën e të gjithë këtyre parametrave. Kjo nuk ka ndodhur. Për të mos folur që ka mangësi të mëdha, që nuk e konsideron fare faktin që ky lokacion ndodhet brenda një zone të mbrojtur: ndodhet tërësisht brenda peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë.” – thotë Aleksandër Trajçe, PPNEA.

Fshati Akërni ndodhet gjeografikisht mes lagunës së Nartës dhe lagunës së Karavastasë. Ekspertët thonë se në këtë zonë ka lëvizje intensive shpendësh të egër. “Mbi këtë zonë ne kemi parë fluturime tufash të mëdha pelikanësh, flamingosh apo të shpendëve të tjerë qafëgjatë e këmbëgjatë që kanë madhësi dhe peshë të tillë që nëqoftëse do të përplaseshin me aeroplanët, mund të shkaktojnë deri aksidente tragjike. Pra mund të shkaktojnë rrëzime të aeroplanëve dhe raste të tilla ka pasur plot. Madje ne në letrën tonë edhe kemi referuar materiale shkencore që e vërtetojnë në mënyrë shkencore këtë dukuri.” – thotë Mirjan Topi nga Qendra “Shpendët e Shqipërisë”

Organizata ambientaliste gjermane EuroNatur është pjesë e koalicionit të 37 organizatave, e angazhuar në këtë kauzë shqiptare që në fillimet e saj. “Ne duam që statusi aktual i zonës së mbrojtur që është park natyror, të fuqizohet madje më tepër, sepse mendojmë që kjo natyrë e mrekullueshme e meriton këtë. Ne gjithashtu shohim potencial që popullsia vendase të përfitojë shumë më tepër nga nga turizimi në parkun kombëtar, që është vërtetë një markë mjaft e rëndësishme.” thotë Gabriel Schwaderer nga EuroNatur.

BE e shqetësuar – të konsultohen grupet e interesit

Ndërsa Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë thekson se ky investim duhet të përfshinte pjesëmarrjen dhe konsultimet me grupet e interesit. Në një reagim për Deutsche Welle, BE nënvizon: “BE ka shprehur shqetësime rreth legjislacionit shqiptar mbi investimet strategjike në lidhje me mbrojtjen e biodiversitetit, sepse ai lejon turizmin masiv dhe investimet industriale në zonat e mbrojtura.”

Komisioni Evropian përmend në mënyrë specifike rastin e veçantë të zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë në raportet vjetore për vitin 2019 dhe 2020, për Shqipërinë. BE e ka ngritur këtë çështje rregullisht në dy vitet e fundit në takimet sektoriale me qeverinë e Shqipërisë duke theksuar që aeroporti i propozuar duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e Shqipërisë dhe me konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së biodiversitetit që Shqipëria ka ratifikuar”.

Bashkimi Evropian sqaron se në dialogun politik me qeverinë shqiptare, do të vazhdojë të ngrejë çështje mjedisore, duke përfshirë çështjen e aeroportit të propozuar në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë.



2 Comments

  1. Ca ja fusin kot keto shoqatat. E do Zamiri ore ta kete afer resortit dhe ska nga e luan bythen njeri ne kete vend

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *