• |
ide | kryesore

Rritet numri i azilkërkuesve, Qipro akuzon Turqinë për krijimin e një rruge të re për emigrantët

-Instant, Lajme, Planet



Qiproja akuzoi Turqinë për krijimin e një rruge të re për emigrantët, e cila ka ngarkuar këtë vend me përqindjen më të lartë të azilkërkuesve në Bashkimin Evropian.

Në muajt e fundit, Qipro është përballur me rritje të numrit të azilkërkuesve. Ky vend është anëtar i Bashkimit Evropian që nga viti 2004. “Turqia është origjina e shumicës së flukseve të azilkërkuesve. Ky vend nuk po arrin të zbatojë të gjitha marrëveshjet në lidhje me migrimin drejt Qipros”, tha Ministria e Jashtme dhe ajo e Brendshme e Qipros, në një deklaratë të përbashkët, raporton AFP. Deklarata i bëri thirrje Komisionit Evropian dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmojnë vendin për të ndaluar flukset e paligjshme të migrantëve dhe për të siguruar kthimet e ligjshme. Rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë gjenden në Turqi.

Në vitin 2016, Bashkimi Evropian arriti marrëveshje me Turqinë për ndaljen e rrjedhës së migrantëve në Evropë. Ankaraja kishte marrë përsipër të pranonte përsëri migrantët që nuk kishin të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare, në këmbim të miliarda eurove ndihmë. BE-ja në dhjetor të vitit 2020 tha se i kishte ndarë Turqisë gjashtë miliardë euro të premtuara në vitin 2016. Paratë e BE-së janë caktuar për projekte të veçanta sociale brenda Turqisë për të ndihmuar refugjatët dhe ato nuk do t’i paguhen drejtpërdrejt qeverisë turke.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *