• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ vendos për rinumërimin e 500 vendvotimeve

-Instant, Lajme, Të fundit



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen 494 vendvotime nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Ky rekomandim i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve u shqyrtua gjatë mbledhjes të mbajtur të hënën në KQZ-së. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se këto vendvotimeve nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit.

“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve. [Po ashtu] në një numër të madh të vendvotimeve, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha Elezi. Gjatë mbledhjes, QNR-ja bëri të ditur se janë refuzuar 9.049 zarfe me fletëvotime të ardhura nga jashtë, ndërkaq deri më tani janë miratuar 22.326 zarfe me vota. Arsyet e refuzimit të zarfeve me vota nga jashtë, sipas Burim Ahmetajt nga sekretariati i KQZ-së, janë të ndryshme. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo të vlefshme.

Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, qytetarët kanë votuar në 888 qendra të votimit me 2,382 vendvotime. KQZ tashmë ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve, sipas të cilave, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.43 për qind. Në zgjedhje kanë marrë pjesë më shumë se 830 mijë persona me të drejtë vote./REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *