• |
ide | kryesore

Policia malazeze bllokon Tuzin, Gjeloshaj: Hakmarrje për valëvitjen e flamurit të Kosovës dhe Shqipërisë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Policia malazeze ka tentuar të mbyllë të enjten në mëngjes disa biznese të gastronomisë në Komunën e Tuzit, në Mal të Zi, të cilat ishin të hapura pavarësisht masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, për luftim të koronavirusit.

Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, ka thënë se masat e reja kanë për qëllim hakmarrjen për shfaqjen e fundit të flamurit të Kosovës, me rastin e ditës së shtetësisë së Kosovës më 17 shkurt, dhe jo për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Instituti i Shëndetit Publik ka renditur të mërkurën Tuzin në grupin e komunave nëpër të cilat po ashpërsohen masat e kufizimit, duke përfshirë mbylljen e plotë të objekteve hoteliere.

Gjeloshaj dhe disa qytetarë herët në mëngjes e kanë bllokuar sheshin në drejtim të Podgoricës, duke thënë se nuk do të lëvizin derisa nuk shkojnë aty kryeministri Zdravko Krivokapiq dhe zëvendëskryministri, Dritan Abazoviq, me të cilët duan të bisedojnë për masat e reja dhe bllokimin e komunës.

Kryetari Gjeloshaj, ka thënë se kanë bllokuar hyrjen në qytet “për të mbrojtur kushtetutën dhe për të parandaluar diskriminimin ndaj secilit në shtet”.

“Objektet hoteliere në Tuz janë duke punuar në zbatim të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Unë e mora këtë urdhër. Jemi në Grupin e Parë, që e ka krijuar Instituti i Shëndetit Publik, por kjo është një hakmarrje e drejtpërdrejtë”.

Sipas tij, Podgorica në baza ditore regjistron 300 persona të infektuar me koronavirus, kurse Tuzi nga dy apo tre raste.

Gjeloshaj ka thënë se të mërkurën u ka nisur tërë ditën mesazhe këtyre zyrtarëve, mirëpo ata nuk janë lajmëruar nëse do të shkojnë të enjten në këtë komunë.

Ai ka thënë se i pret “nëse janë të interesuar për qytetarët”.

“Në vend që ata të vijnë, ata po dërgojnë policinë, kjo është përgjigjja që ata kanë ndaj qytetarëve të Komunës së Tuzit”.

Gjeloshaj ka thënë të mërkurën vonë, në një postim në rrjetin social Facebook, se nuk do të respektojë vendimin e Institutit për masat e reja.

Lidhur me këtë rast është deklaruar Prokuroria Themelore në Podogoricë, e cila ka njoftuar se është hapur rasti lidhur me deklaratën e Nik Gjeloshajt dhe se po konfirmohet “ekzistimi i bazës së dyshimit se është kryer vepër penale e thirrjes për rezistencë ose ndryshe e cila ndjeket penalisht sipas detyrës zyrtare”.

Aktualisht në Tuz janë 95 persona të infektuar me koronavirus, dhe kjo komunë gjendet në zonën e ashtuquajtur të gjelbër, ku shkalla e epidemisë nuk është në rritje.

Tuzi është qytet me shumicë shqiptare, 10 kilometra larg Podgoricës.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *