• |
ide | kryesore

Meta: 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ilir Meta zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Shoqatës “Durrësi Autokton”, ndërsa paralajmëroi se kushdo që do të përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë, “praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij”.

Sipas Metës, 25 prilli është një ‘mundësi historike që të rivendosim në funksion rendin kushtetues’.

“Është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë!”, tha Meta mes të tjerash.
“Meqenëse jemi në prag të zgjedhjeve historike të 25 prillit, çdo gjë fillon nga çkapja e votës, nga vota e lirë dhe shenjtërimi i saj.

Ndaj është momenti, që 25 prilli të jetë një ditë referendumi për të vendosur shenjtërinë e votës në këtë vend, në mënyrë, që si vota e Presidentit, si e qytetarit më të thjeshtë të jetë përfundimisht e barabartë!

Më 25 prill kemi një mundësi historike të rivendosim në funksion rendin kushtetues, shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht të garantojmë fuqinë e qytetarit mbi pushtetin, mbi të zgjedhurin dhe t’i kthejmë këta në shërbim të tyre!

Më 25 prill populli vendos shenjtërinë e votës dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për 100 vitet që do vijnë.

Në Kushtetutë thuhet qartë: “Sovraniteti i përket popullit në Republikën e Shqipërisë. Sovrani flet përmes votës së lirë.”

Ndaj kushdo, që përpiqet të vërë dorë mbi votën e lirë praktikisht ka provokuar sovranin dhe duhet të presë të gjitha pasojat prej tij.

Unë jam këtu për t’i dhënë një mesazh edhe të gjithë shoqërisë civile të bashkëpunojë dhe të angazhohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të monitorojnë dhe t’iu bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë, sepse kjo është shumë e rëndësishme.

Asnjë qytetar nuk ka të drejtë nesër të kërkojë llogari nëse nuk shkon për të votuar.

Asnjë qytetar që tregton votën e tij, nuk ka të drejtë të kërkojë llogari, sepse ai që ta blen votën ka humbur çdo detyrim ndaj teje.

Në demokraci vota është fuqia më e madhe që ka një qytetar, sepse vota të fuqizon, vota të shfuqizon.

Vota të zgjedh, vota të ndëshkon.

Unë besoj që populli ynë është shumë i qartë dhe shumë i ndërgjegjshëm, për këtë çështje.

Ju e dini që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, kryekushti i Bashkimit Europian, po mbajnë peng këtë proces të çeljes së negociatave të vendit tonë.

Është e pafalshme, që ne ende nuk kemi asnjë shpresë, për çeljen e negociatave për shkak të mungesës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe të mos-hetimit të manipulimeve të bëra në të kaluarën.

Ndaj ky është një moment final për të bërë një restart të demokracisë, përmes zgjimit qytetar, votës së lirë, të ndershme dhe të barabartë.

Në këtë mënyrë duhet të ndalim edhe shpopullimin e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, sepse është një fakt kokëfortë dhe i bazuar në statistika europiane dhe jo mbi deklarata.

Shpresoj që bashkëpunimin tonë ta intensifikojmë më tej, duke demaskuar çdo përpjekje, që intimidon zërin qytetar, të shkundim çdo apati në drejtim të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe të mos presim që padrejtësia të na prekë individualisht, që të reagojmë kundër saj.

Mjafton që padrejtësia të prekë dikë prej nesh në komunitetin dhe vendin tonë, për të na paralajmëruar se të gjithë mund të jemi viktima të një sistemi të padrejtë që e tolerojmë me heshtjen dhe përgjumjen tonë.”, – u shpreh ndër të tjera Meta



1 Comment

  1. Dëmi më i madh që kanë bërë mediat mainstream, mediat sociale, tribunat politike, kafenetë, etj., është dëmi që u ka zbuluar vilat e reja ose u ka sulmuar vilat në Gjirin e Lalëzit. Dëmi është se vilat ua ka kthyer në obsesion. Gjatë vitit të fundit, në opozitë, Lulzim Basha i PD, i ka shtuar inventarit familjar edhe tre vila të tjera, dy në Tiranë dhe një në Hamallaj. Kryemadhi e LSI, duke u fiksuar te vila e Lalëzit, u ka kërkuar shqiptarëve: “Ma dorëzoni mua Shqipërinë se do ta bëj si shtëpinë (vilën) time”. Dokumentarët me dronë mbi Lalëz, mbi ish qendrën Partizani, etj., u ka krijuar fiksimin e mbrojtjes së vilave dhe pallateve të përfituara vjedhurisht. Tani ky është obsesion që vjen në sloganin e tyre ‘Shqipëria, shtëpia (vila jonë) që fiton’.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *