• |
ide | kryesore

Superiore, Partizani prova për të marrë kreun: përplasen pretendentët

-Instant, F1, Sport



Nuk ka shumë kohë për të humbur e Superiorja përgatitet për raunin e mesjavës, që do ti zbresë skuadrat në fushë për të 22-ën e kampionatit. Një raund që mund ti shkojë shumë për shtat Partizanit, duke qenë se të kuqtë luajnë ndeshjen më të thjeshtë të mundshme, ndërsa pretendentët e tjerë përplasen mes tyre.

Kështu, e gjithë vëmendja është përqendruar në Niko Dovana ku Teuta do të presë Vllazninë. Skuadra e Martinit me 37 pikë ka mundësinë të ngushtojë diferencën me shkodranët në vetëm një pikë. Durrësakët pasi barazuan me Kukësin, kërkojnë të kthehen tek suksesi, duke parë se kryesuesit nuk po kalojnë momentin e tyre më të mirë dhe shfaqën gjithë limitet e tyre kundër Tiranës. Nuk mund të konsiderohet aspak e lehtë transferta e Lacit, kur përballë të jetë Kukësi, që i tregoi dhëmbët kundër Teutës një javë më parë. Josa shpreson të ketë gjetur ekuilibrin mes një skuadre që shënon me rregullsi, por edhe pëson lehtësisht.

Në anën tjetër, barazimi me Partizanin i ka dhënë më tepër besim Lacit, që ka treguar forcën kundër të gjithë pretendentëve. E megjithatë Duro duhet të bëjë kujdes nga një skuadër që nuk do të heqë dorën e fundit që e mban të lidhur me Europën. E në këto përplasje ai që mund të përfitojë për të synuar vendin e parë këtë mesjavë është Partizani. Të kuqtë luajnë në transfertë me Apoloninë e vendit të parafundit, në letër e thjeshtë, por Daja ka memorien e një barazimi që e penalizon tashmë në tre pikët që e ndajnë nga kreu. Të kuqtë shpresojnë të rikuperojnë ndonjë lojtar, por gjithësesi kanë armët e duhura për të bërë keq në Loni Papuciu, ku shkojnë të pamundur në 2021.

Tirana ka marrë zemër me një fitore që i bëri nder kampionatit përballë Vllaznisë e tani kërkon të përsëritet në shtëpi ndaj Bylis. Bardheblutë kanë rikuperuar Kale, që gjithësesi duhet të shtrëngojë dhëmbët, ndërsa kthehet nga skualifikimi Hoxhallari, edhe pse do të mungojë Najdovski e Danso me Covid. Delikate sfida në Korcë mes Skënderbeut e Kastriotit. Bardhekuqtë kanë nevojë për pikë, por me këtë ritëm krutanët e Ndreut rrezikojnë ta shohin veten të përfshirë në një mbijetesë që e mendonin larg, me Bylis shtatë pikë larg në zonën playout.

SUPERIORE JAVA E 22
03/03/21
Tirana           13 : 00 Bylis
Apolonia       13 : 00 Partizani
Skënderbeu  13 : 00 Kastrioti
Teuta             16 : 00 Vllaznia
Kukësi           16 : 00 Laçi



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *