• |
ide | kryesore

Kosovë – Serbi/ Vuçiç pas takimit me Lajçak: Askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Serbia është e gatshme në çdo moment të vazhdojë dialogun me Kosovën, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq tha se Serbia i mbështet aktivitetet, përpjekjet dhe synimet e Lajçakut që “me politikën e kompromisit, të vijmë deri te një zgjidhje, që do të nënkuptonte pakënaqësi ose kënaqësi të pjesshme për të dyja palët – pa ultimatume dhe zgjidhje të imponuara”.

Ai shprehu dëshirën e tij që në dialog të tregohet mirëkuptim për “interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

“Konsiderojmë se një marrëveshje kompromisi do të thotë: askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm”.

“Pavarësisht deklaratave që vijnë nga Prishtina, të cilat nuk janë inkurajuese, është detyrimi ynë që të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar”, tha Vuçiq, duke shtuar se nuk do të ketë përparim në integrimin evropian, nëse nuk ka një ndryshim serioz në dialogun me Prishtinën.

Vuçiq shtoi se Serbia nuk përcakton ndonjë afat për arritjen e një marrëveshjeje kompromisi dhe se ai do të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën në Bruksel, përfshirë “Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe gjithçka tjetër që nuk është plotësuar”.

Vuçiq po ashtu tha se Serbia “i ka përmbushur plotësisht detyrimet e saj” dhe se këtë ua ka përsëritur shumë herë zyrtarëve në Prishtinë dhe Bruksel.

I pyetur të komentojë deklaratat e zyrtarëve të Kosovës se ata presin që Serbia ta njohë Kosovën, Vuçiq tha:

“Nëse dikush mendon se mund të thotë: ju tani duhet ta pranoni Kosovën e pavarur, kjo nuk do të ndodhë. Ata mendojnë se në këtë mënyrë mund të bëjnë presion mbi vendin tonë dhe se serbët do t’iu japin gjithçka që duan, sepse do të jenë nën presion. Kjo nuk do të ndodhë”.

Lajçak: Dialogu, kyç për anëtarësim në BE

Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak tha se dialogu është thelbësor për përparimin e mëtejshëm të të dyja vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Status quo-ja nuk është e qëndrueshme për asnjërën palë. Shtetet anëtare të BE-së presin që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim”, tha Lajçak, për të shtuar se dialogu “do të zhvillohet shpejt, aq sa palët janë të gatshme”.

Ai kujtoi kërkesën e Bashkimit Evropian që të dyja palët të zbatojnë gjithçka që është rënë dakord në procesin e dialogut, gjatë dhjetë vjetëve të fundit.

“Praktika është që pasi marrëveshjet të arrihen, ato të harmonizohen me legjislacionin e brendshëm”, tha Lajçak.

Ai theksoi se vizita e tij në rajon zhvillohet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për shkak të arsyeve teknike, shtoi ai, nuk ka qenë e mundur që edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, të marrë pjesë në vizitë.

“Ne kemi një histori të bashkëpunimit të mirë dhe të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë. Ne ndajmë të njëjtin qëllim për Ballkanin Perëndimor dhe ai është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak.

Lajçak udhëtoi drejt Serbisë pas qëndrimit në Kosovë, ku, ndër të tjera, zhvilloi takim edhe me udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili pritet të formojë Qeverinë e re të Kosovës.

Kurti ka thënë më herët se dialogu me Serbinë nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij.

Lajçak ka thënë në Prishtinë se dialogu mund të përmbyllet brenda disa muajsh.

Ky proces, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur qysh në mars të vitit 2011 dhe do të duhej të përfundonte me një marrëveshje të detyrueshme gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë. /REL



2 Comments

  1. Njihni Kosovën pa kushte! Eshtë e vetmja mënyrë për të dalë nga humnera e historisë e për të ecur për para.

  2. Jo vetem te njohin Kosoven por edhe te pranojne e denojne debimin dhe vrasjet ne mase te popullit ne vitet ’90.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *