• |
ide | kryesore

Video/ Në derbin e emrave, triumfon Kastrioti: Skënderbeu mbetet i fundit

-Instant, Sport, Video



Një siguri jo matematike, por probabiliteti. Me fitoren e arritur 1-0 në Korcë përballë Skënderbeut, Kastrioti ka marrë një fitore shumë të rëndësishme, që e blindon në zonën e qetë të renditjes skuadrën e Ramadan Ndreut. Nuk arrijnë të kthehen në lojë të besuarit e Memellit, që mbeten në vendin e fundit.

Pjesa e parë ishte e barabartë, me skuadrat që tentuan disa herë të shënonin, por pa ia arritur qëllimit të krijojnë raste konkrete para portës. Bardhekuqtë nuk arritën të bënin të vlente faktori fushë, ndërsa pasi studioi në të parën, Kastrioti lëvizi ndryshe në të dytën. Jo vetëm për golin e avantazhit në minutën e 51’, kur De Silva shfrytëzon në mënyrën më të mirë krosimin e Nezirit nga e djathta, për ta dërguar topin në rrjetë me kokë, por edhe sepse e gjithë loja e krutanëve kishte një soliditet që e la kundërshtarin të parrezikshëm e praktikisht pa hapësira në zonën e miqve.

Korçarët u munduan të reagonin, por u përplasën me një skuadër të vendosur mirë në prapavijë, me Ndreun që u kujdes të merrte me vete tre pikët nga Korca. Kastrioti shkon kështu në kuotën e 28 pikëve dhe thuajse e ka siguruar mbijetesën, ndonëse ka edhe shumë ndeshje në vijim, ndërsa Skënderbeu fundoset në fund me 13 pikë, 2 më pak se Apolonia e vendit të parafundit dhe 5 pikë më pak se Bylisi i vendit të tetë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *