• |
ide | kryesore

Vaksinat ruse dhe kineze/ Ministri francez: Rrezik për unitetin e bllokut

-Instant, Arkiva, Planet, Të fundit



Një ministër i kabinetit francez u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mos i përdorin vaksinat ruse ose kineze për Covid 19, nëse ato nuk miratohen nga rregullatori i BE-së për barnat. Ministri i Çështjeve Evropiane, Clement Beaune paralajmëroi se vaksinat ruse dhe kineze përbëjnë rrezik për unitetin e bllokut dhe për shëndetin publik. Pas një fillimi të vështirë të fushatës së vaksinimit, që e la Bashkimin Evropian prapa disa vendeve të tjera si Britania, disa shtete anëtare në Evropën Qendrore kanë blerë ose po shikojnë mundësinë për të blerë vaksina ruse ose kineze.

I pyetur nëse secili vend anëtar po bënte thjesht “atë që dëshironte”, Ministri Beaune tha për radion RTL: “Nëse zgjedhin vaksinën kineze ose ruse, kjo mendoj se do të ishte mjaft serioze“. Ai tha se kjo “do të përbënte problem në kuptimin e solidaritetit tonë dhe do të paraqiste një rrezik për shëndetin, sepse vaksina ruse nuk është ende e autorizuar në Evropë“. BE-ja deri tani e ka bërë prokurimin e vaksinave në mënyrë të centralizuar, përmes organit të saj ekzekutiv, Komisionit Evropian. Megjithatë vaksina ruse Sputnik V është miratuar ose po vlerësohet për miratim në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.

Hungaria tashmë ka filluar imunizimin e njerëzve me vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse, ndërsa Polonia po diskuton për blerjen e vaksinës kineze. Rajoni italian i Lazios tha se do të kërkonte 1 milion doza të vaksinës ruse, nëse miratohet nga EMA, ndërsa qeveria e enklavës së vogël të pavarur të San Marinos tha se kishte filluar përdorimin e vaksinës ruse këtë javë. Rregullatori evropian i barnave EMA, tha të enjten se kishte filluar një vlerësim të vaksinës Sputnik V.

Por edhe nëse miratohet, Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim që ta përfshijë atë në listën e tij. Evropa deri tani ka miratuar vaksinat Pfizer dhe BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca-Oxford, ndërkohë që vazhdon punën për vlerësimin e vaksinave kandidate CureVac dhe Novavax. EMA pritet të shpallë vendimin e saj mbi vaksinën me një dozë të vetme me Johnson & Johnson më 11 mars.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *