• |
ide | kryesore

Bindja Demokratike hap fushatën: Ndryshimi nis nga Shkodra

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Partia Bindja Demokratike zgjodhi Shkodrën për të nisur fushatën elektorale. Në një aktivitet, që u mbajt sot në kryeqendrën e veriut, koordinatori i Bindjes Demokratike, zoti Astrit Patozi dhe koordinatori i saj në Shkodër, zoti Tonin Uldedaj prezantuan kandidatët për deputetë të kësaj partie në këtë qark.
Uldedaj do të jetë pjesë e ekipit të kandidatëve për deputetë të listës së hapur, me të cilën Bindja do të konkurrojë në këtë qark elektoral. Ai shprehu kënaqësinë që është përfaqësues i kësaj force politike.

“Kur pranova t’i bashkëngjitëm Bindjes Demokratike, një force të re politike e qendrës së Djathtë, e bëra me bindjen e dikujt që ka parë në jetë për një alternativë ma shumë. Kështu dua të jetë edhe për të tjerët: Një alternativë ma shumë! Shkodra ka ditur gjithmonë me u zgjidhë, kur ka parë se dy zgjedhje nuk mjaftojnë.

Shkodra, as në komunizëm dhe as në demokraci nuk ka ndenjur e lidhur në afeksione politike pa kuptim. Ajo ka qenë vazhdimisht e djathtë dhe antikomuniste, por ka ditur t’i japë sinjale të djathtës, kur ajo e ka marrë Shkodrën si të dhënë njëherë e përgjithmonë”.

Ai u shpreh i bindur për fitoren e mandatit të Bindjes Demokratike në Shkodër që nuk do të jetë një mandat për partinë apo për kandidatin, por për të përfaqësuar vlerat më të mira të trevës së tyre.

“Kur vij për t’ju taku’, për t’ju kërku’ besën e votës nuk e baj në emër të kryetarit dhe të partisë, por në emrin tim dhe të familjes time, në emrin tonë të mirë, në emër të vlerave tona dhe të gjërave që na bashkojën me ju. Në emër të bukës, gëzimeve dhe hidhërimeve që kemi nda së bashku. Në emër të atyne që kemi përcjellë nga kjo jetë dhe kemi pritë në këtë jetë.

Mandatin që do më jepni nuk e kam për ta futë në xhep dhe për t’u kapardisë në Parlament, nëpër studio televizionesh dhe restorante në Tiranë. Ashtu siç do e marrim bashkë, bashkë do e mbajmë dhe do e ndajmë, siç kemi nda bashkë dikur bukën dhe besën e shqiptarit.

Kështu që mandati im parlamentar është i joni. Unë do vij për ta kërkuar votën, jo si leje të partive të vjetra për me kapë për fyti pushtetin, por si besë të dhanme se do të përdoret vetëm për interesat tuaja”.
Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi u shpreh se nuk është rastësi që fushata e Bindjes nisi nga Shkodra.

“Nuk ka qenë rastësi që paralajmërimi për rrëzimin e diktaturës erdhi fillimisht nga Shkodra. Ishin zhvillimet në Shkodër dhe në Kavajë që paralajmëruan se diktaturës po i vinte fundi.

Sot jemi pas 30 vitesh dhe Shqipëria prapë ka nevojë për një rishkundje. Sigurisht nuk jemi në diktaturë, sigurisht që ca gjëra të mira janë bërë në këtë vend këto vite, por kemi bërë shumë hapa pas gjithashtu. Ndaj sot më shumë se kurrë është e nevojshme të kemi një ndryshim dhe unë jam i lumtur që ashtu si para 30 vjetëve ky ndryshim ka për të nisur në Shkodër”.

Ai gjithashtu vuri theksin tek ndryshimi që ofron Bindja në këtë garë krahasuar me subjektet e tjera, duke e nisur nga vetja:

“Do të thonë që çne kjo parti e re po e bën e para këtë hap, përpos vështirësive dhe pse nuk po e bëjnë ata të partive kryesore, të cilat janë bërë veterane. Sekreti është fare i thjeshtë, ne kemi listë të hapur, ata nuk e kanë! Ata janë në ankth, po presin natën e thikave të gjata, dita që kryetari do të vendosë se kujt do i qeshi buza dhe kujt do i qajë. Ne nuk e kemi këtë ankth sepse ne e kemi listën të hapur, ’ne jemi të gjithë për një dhe një për të gjithë ‘. Nuk jemi musketjerë por jemi luftëtarë! Po hyjmë në një betejë për ndryshimin e Shqipërisë duke nisur nga vetja, sepse ne kemi respekt për veten në rradhë të parë, kemi respekt edhe për njëri tjetrin”.

“Në qoftë se një votues i Partisë Demokratike apo i Partisë Socialiste, do të shkojë te kutia e votimit ai mund të votojë ose Lulzim Bashën, ose Edi Ramën sepse nuk ka mundësi tjetër. Siç e thashë, lista e tyre do të bëhet në momentin e fundit të skadimit të afatit. Ky është ndryshimi ynë me partitë e tjera. Ne i japim mundësinë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, që të sjellin ndryshimin” – tha Patozi.



5 Comments

  1. opallosh patos mjaf te vjedh duke kriju parti shpresoje se kete here te nazhduikesh nga syte njeri i felliqur mendoj Kavaja do ta tregoje mire se kuish je dhe do shohim sa vota do marresh ne qytetin tend

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *