Një shans i humbur, në një ndeshje shumë të rëndësishme, kur të gjithë kundërshtarë direkt kishin ndalur hapin. Vetëm barazim edhe për Vllazninë, që dënohet nga zgjedhja fillestare, sipas asaj që bën të ditur tekniku gjerman Thomas Brdaric, për të mos zgjedhur një lojtar fiks për penalltitë: “Demir Imeri mori topin pasi kishte besim. Hoxha kishte dalë nga fusha. Dilaver ka gjuajtur penalltitë e fundit. Ne besojmë tek besimi që lojtarët kanë, por edhe ata duhet të kenë përgjegjësi” tha tekniku.
Në lidhje me ndeshjen dhe shumë rastet e krijuara, por edhe të humbur të skuadrës, përballë Kukësit, Brdaric nuk e bën dramë dhe i del në mbrojtje të tijve: “Kam pasur shumë mundësi për shënim. Jam i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve. Skuadra krijoi shumë dhe ne jemi aty, skuadra arrin të krijojë. Kishim më shumë raste se Kukësi. Mund t’i kishim shfrytëzuar më mirë, por rezultatin është ai që është” – tha tekniku -. “Strategjia ishte që ne, pa marrë në konsideratë fundin e ndeshjes, u munduam që duke i lënë topin Kukësit, ta kapnim në kundërsulm, por jo gjithmonë gjërat shkojnë si duhet”.
Në fund edhe një mburojë ndaj Dilaver, që nuk po arrin të bëjë diferencën: “Dilaver për mua është një lojtar dhe djalë shumë i mirë. Duhet të tregohemi pak të durueshëm me lojtarët, pasi në muajt e fundit po luajnë shumë. Dilaver e ka besimin tim, me Teutën ishte i pafat. Është sulmues shumë i rëndësishëm, por i duhet pak kohë për të qenë si në fillim të sezonit”, përfundoi Brdariç.