• |
ide | kryesore

Video/ Messi magjeps, pastaj tradhëton: Barcelona jashtë, me PSG në çerekfinale shkon edhe Liverpool

-Instant, F1, Sport, Video



Mbrëmë Porto e Dortmund, ndërsa sot ishte radha e Liverpool e Paris Saint Germain të kualifikohen në cerekfinalet e Champions League, pa e vënë në diskutim situatën, të fortë edhe në rezultatet e ndeshjeve të para. PSG eleminon Barcelonën, duke barazuar 1-1 në Parc des Princes, edhe pse një penallti e humbur nga Lionel Messi në fundin e pjesës së parë, mund të ndryshonte krejt rrjedhën e historisë. Në Puskas Arena, Liverpool tregon fytyrën e kundërt të Premier League, duke shënuar dy gola të tjerë ndaj Leipzig.

PSG – BARCELONA 1-1
Pas fitores në ndeshjen e parë 1-4, parisianëve u mjaftoi barazimi 1-1 në shtëpi për të kaluar raundin: Mbappé zhbllokoi ndeshjen me një penallti (31 ‘), përpara se Messit (37’) të vihej në sedër, duke nxjerrë nga repertori një gol spektakolar, që riktheu barazimin. Argjentinasi ka një shans të madh për të përmbysur gjithcka në fund të pjesës së parë, por Navas i pret penalltinë, duke i shuar shpresat katalanasve. Barça dominoi deri në minutën e 90-të, por nuk arriti më të kalonte mbrojtjen franceze dhe i dha lamtumirë turneut. Duhej një mrekulli, që këtë herë nuk arriti. Pikërisht katër vjet pas asaj 6-1 kundër parizienëve që i kualifikoi në çerekfinale në frymën e fundit, Messi dhe shokët e tij të skuadrës nuk janë në gjendje të përsërisin arritjen dhe përshëndesin Champions League në raundin e 1/8, siç nuk kishte ndodhi prej 14 vjetësh (hera e fundit në 2007, kundër Liverpool). Skuadra e Koeman dominon dukshëm, duke nxjerrë në fushë krenarinë, edhe pasi shkuan në disavantazh të një goli. Messi ndriçoi mbrëmjen me një perlë të vetën, por më pas tradhtoi blaugranat nga pika e bardhë e penalltisë, kur kishte shansin të rigjallërojë ambiciet e Koeman. Një PSG me shumë mungesa dhe sigurisht jo i shkëlqyer, por që arriti të përballojë impaktin e ofensivës katalanase, falë së gjithash një Keylor Navas në mbrëmjen e duhur, duke i dhënë vetes kalimin e raundit, ndërsa shpreson që të jetë në gjendje të rikuperojë ndonjë lojtar të rëndësishëm në ndeshjet e ardhshme.


LIVERPOOL – LEIPZIG 2-0
Në Puskas Arena një dygolësh tronditës i Liverpool në katër minuta, në pjesën e dytë, ashtu si ndodhi tre javë më parë, dërgon Klopp mes tetë më të mirëve. Skuadra e Nagelsmann rezistoi një pjesë loje e goditi një traversë para se të shembej. Në kthim u shënua i njëjti rezultat dhe të njëjtët shënues si në ndeshjen e 16 shkurtit, por me një skenar tjetër. Këtë herë Liverpool filloi fort dhe menjëherë kërkoi golin. Skuadra e Klopp bëri presion shumë lart, bllokon qarkullimin e topit të lojtarëve të Nagelsmann dhe u përpoq të çante disa herë, sidomos nga e djathta me Alexander-Arnold. Gulacsi duhet të ndërhyjë disa herë për ta mbajtur Leipzigun në lojë, por gjermanët dolën nga zona e sigurisë me kalimin e minutave. Të Kampl dhe Forsberg ishin mundësitë më të mira, por në pushim skuadrat shkuan në 0-0. Në pjesën e dytë Nagelsmann hodhi në fushë Sorloth fillimisht dhe Kluivert e Hëang më pas, por është sulmuesi norvegjez ai që i shkon pranë avantazhit me një goditje që kaloi Alisson por u përplas në traversë. Ishte gulçimi i fundit i gjermanëve, të cilët u përpoqën të mbyllin Reds në gjysmën e tyre të fushës, por e pësuan në kundërsulm: Jota shërbeu për Salah, e majta në kënd e të cilit përfundon në rrjetë për 1-0 e Liverpool (71 ‘). Leipzig u shpërbë dhe Reds përfituan menjëherë: Origi i sapo hyrë pasoi për Mané i cili dyfishoi nga fare pranë (74 ‘). Dy goditje të njëpasnjëshme nga Liverpool, ashtu si në ndeshjen e parë, gjithmonë e nënshkruar nga dyshja e zakonshme. Oksigjen për Klopp: çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dhe fitorja e parë “në shtëpi” pas serisë rekord prej 6 humbjesh radhazi.




Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *