• |
ide | kryesore

Merrick Garland konfirmohet nga Senati amerikan në postin e Prokurorit të Përgjithshëm

-Instant, Lajme, Planet



Merrick Garland, një gjyqtar federal i gjykatës së apelit dhe ish-zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, emërimi i të cilit në vitin 2016 në Gjykatën e Lartë u bllokua nga republikanët, u konfirmua të mërkurën nga Senati amerikan si zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend.

Merrick Garland, 68 vjeçar, një jurist me përvojë, u konfirmua lehtësisht si Prokuror i Përgjithshëm- një nga emërimet më të rëndësishme të kabinetit të presidentit Joe Biden- me një votim dypartiak 70 me 30. Të gjitha 30 votat “kundër” u hodhën nga senatorët republikanë, përfshirë senatorët Ted Cruz dhe Josh Hawley.

Konfirmimi i zotit Garland në krye të Departamentit të Drejtësisë, pritet të çojë në ndryshime të rëndësishme të politikave të drejtësisë penale nën administratën e presidentit Biden, që nga një moratorium i mundshëm mbi ekzekutimet federale që rifilluan nën ish presidentin Donald Trump, deri në shqyrtimin nga afër të departamenteve të policisë, të akuzuara për shkeljen e të drejtave civile.

Zoti Garland trashëgon një agjenci masive të zbatimit të ligjit të ngarkuar me polemika dhe probleme morale pas katër vitesh të trazuara nën administratën e ish presidentit Trump, në një kohë që Departamenti i Drejtësisë po kryen një hetim të gjerë për sulmin e 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e zotit Trump.

Gjatë seancës së konfirmimit muajin e kaluar, zoti Garland tha se hetimi i mësymjes së përgjakshme, i cili ka çuar në akuza kundër më shumë se 300 personave, do të ishte përparësi e tij.

Mbështetja dypartiake për zotin Garland është në kontrast të fortë me votat përgjatë linjave partiake për dy prokurorët e përgjithshëm të zotit Trump – Jeff Session dhe William Barr.

Republikanë të shquar vlerësuan emërimin e zotit Garland, përfshirë udhëheqësin e pakicës në Senat, Mitch McConnell, i cili bllokoi emërimin e zotit Garland nga ish presidenti Barack Obama, për të mbushur një vend të lirë në Gjykatën e Lartë në vitin 2016, duke argumentuar se procesi ishte shumë afër zgjedhjeve presidenciale.

Si Prokuror i Përgjithshëm, zoti Garland do të drejtojë një departament me më shumë se 100 mijë punonjës dhe një buxhet prej më shumë se 31 miliardë dollarësh. /VOA/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *