• |
ide | kryesore

Rreziku i strategjise opozitare

-Instant, Arkiva, Blog, Ide

Thelbi i strategjisë opozi tare është rrëzimi i PS-së dhe Edi Ramës, duke i prezantuar ata si e keqja më e madhe në Shqipëri sot. Si Basha, Kryemadhi dhe Meta, ashtu edhe analistët pro rotacionit, theksojnë kleptokracinë dhe degradimin e qeverisjes Rama në autoritarizëm, për të bindur elektoratin që të votojë kundër qeverisë aktuale.


Në gjuhën e strategjive elektorale, kjo njihet si fushatë negative. Thelbi i strategjisë elektorale opozitare sot nuk është ofrimi i një alternative pozitive, aq sa theksimi i përmasave negative të qeverisjes Rama.


Natyrisht, si Meta, dhe Basha premtojnë një qeverisje ndryshe, ofrojnë programe qeverisëse, por ky nuk është dimensioni kryesor i fushatës së tyre. Kjo për faktin e thjeshtë se alternativa që ofrojnë në letër shoqërohet me të njëjtët politikanë të diskretituar në 30 vite tranzicion.

E thënë ndryshe, është vështirë t’i shesësh elektoratit fabulën që Basha, Berisha, Meta, Kryemadhi, Mediu dhe Duka janë alternativa e ndryshimit pozitiv. Është shumë më thjeshtë dhe më e besueshme për elektoratin të denoncosh degradimin e qeverisë Rama.

Ndaj nuk është çudi që edhe analistë si Fatos Lubonja që mbështesin rotacionin e qeverisjes, e kanë pranuar haptas se opozita nuk ofron ndonjë alternative shpresëdhënëse, është thjesht e keqja më e vogël.

Ndaj i ftojnë shqiptarët të votojnë kundër Ramës më shumë se sa pro Bashës apo Kryemadhit. Disa analistë, si Andi Bushati, kanë deklaruar se në Shqipëri gjithmonë votohet kundra më shumë sesa pro diçkaje, ndaj shpresojnë se shqiptarët do të votojnë kundër Ramës.

Problemi është se fushatat negative nuk janë efikase në mobilizimin e elektoratit, sidomos atij opozitar, për dy arsye. Së pari, një ligjërim që i thotë elektoratit se Rama është diktator (madje së fundmi e krahasuan edhe me diktatorin Pinocet, që në Kili vrau me mijëra intelektualë e studentë), se kontrollon gjithçka, se do vjedhë zgjedhjet, se ka mbështetjen e grupeve më të fuqishme kriminale, krijon mitin e Ramës mbinjeri.

Ky ligjërim bie ndesh me ftesën që i bëhet elektoratit për ta rrëzuar Ramën, sepse dekurajon votën e të pakënaqurve me qeverisjen. Nëse Rama do vjedhë zgjedhjet, është i gjithëpushtetshëm dhe ka mbështetjen e krimit, atëherë e ka të garantuar fitoren. Përse duhet të dalin të votojnë të pakënaqurit me qeverisjen e tij? Përballë një pushteti të hekurt socialist opozita shfaqet më shumë si viktimë, sesa si faktor ndryshimi.

Nëse Rama është kaq diktator i fortë dhe i rrezikshëm, si do ta rrëzojë Luli që është i sjellshëm dhe qytetar? Së dyti, negativiteti thjesht forcon pakënaqësinë ekzistuese me politikën dhe klasën politike në përgjithësi dhe demobilizon veçanërisht elektoratin gri që bën diferencën. Ndërkohë që elektorati i pushtetit ka interes konkret për të votuar dhe del në masë.

Ndaj një parti politike, sidomos në opozitë, përkrah denoncimit duhet të ofrojë edhe shpresën. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një opozitë si Partia Demokratike, elektorati besnik i së cilës historikisht ka qenë dhe mbetet më i vogël se ai i PS-së. Po të përjashtojmë zgjedhjet e vitit 1996, në 30 vite tranzicion PD-ja vetëm dy herë ka fituar më shumë vota se PS-ja, në vitin 1992 dhe 2005.

Në të dyja këto raste fushata opozitare e PD-së nuk ka qenë thjesht negative, por kryesisht pozitive. Natyrisht të gjitha fushatat elektorale i kombinojnë këto dy dimensione, por jo në të njëjtat përmasa. Në 1992 PD-ja ofronte një qeverisje europiane, moderne dhe demokratike dhe jo thjesht anti-komunizëm. Në 2005, PD-ja ofronte “qeverisje me duar të pastra” dhe fytyra të reja,j o thjesht anti-korrupsion.

Kjo do të thotë që fushata aktuale negative e Partisë Demokratike ka pak shanse që t’i japë shumicën e votës dhe shumicën e vendeve në Parlament Partisë Demokratike. Në fakt, të gjitha sondazhet, si majtas dhe djathtas, e tregojnë PD-në pas PS-së. Në këto kushte, shpresa e kryesore e opozitës dhe e shumë analistëve, është që PS-ja mos të arrijë të fitojë shumicën e vendeve në Parlament e vetme. Por, kjo është një shpresë problematike, sepse edhe nëse realizohet nuk garanton rrëzimin e Ramës. Edhe nëse Rama dhe PS-ja nuk fitojnë shumicën e deputetëve, probabiliteti që PSja të jetë forcë e parë dhe të krijojë qeveri me LSI-në është shumë më i lartë, sesa probabiliteti që diçka e tillë të ndodhë me PD-në.

Të paktën këtë tregojnë shumica dërrmuese e sondazheve: PS-ja mbetet forca më e madhe politike në Shqipëri. Këtu shumë opozitarë do hidhen përpjetë dhe do më thonë se Meta kurrë nuk bashkëqeveris me Ramën. Se janë duke u sharë e luftuar me sinqeritet. Madje, disa analistë kanë lavdëruar denoncimin e zellshëm që Meta po i bën oligarkisë së Ramës.

Por, të gjithë e dimë se Meta dhe Rama kanë qeverisur më parë, pasi janë sharë e përplasur publikisht dhe do bashkëqeverisin nesër nëse i duhet. Votat që LSI-ja merr sot kundër Ramës, nesër shumë lehtë mund të vihen në shërbim të tij. Dje, në vitin 2013, pazarin PS-LSI e quajtën “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Nesër mund të përdorin të njëjtin emër. Natyrisht, Rama dhe PS0ja mund të vendosin të bëjnë koalicion me PD-në në vend të LSI-së, për ta çuar në skrap këtë të fundit. Edhe këtu s’ka asnjë çudi. Një aleancë e tillë ka ndodhur mes socialdemokratëve dhe demokristianëve në Gjermani. Edhe për këtë pazar e kanë emrin gati “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.

Në çdo rast është shumë vështirë që opozita, politike dhe mediatike, ta rrëzojë Ramën duke argumentuar se PS-ja është e keqja më e madhe dhe PD-ja dhe LSI-ja janë e keqja më e vogël. Me shumë gjasa, strategjia aktuale opozitare ose do ta mbajë Ramën në pushtet vetëm, ose në aleancë me LSI-në, ose në një koalicion bashkëqeverisës me PD-në.

Panorama

9 Comments

  1. Kjo analize nuk ka kuptim. Keto zgjedhje o i fiton PS-ja, o i fiton PD&LSI+aleatet, o dalin 70 me 70, ose te dyja koalcionet nuk marrin dot 140 deputete dhe do t’i duhen te bindin partite e reja qe do marrin deputete per te bere koalicionin qeverises. I vetmi rast kur mund te diskutohet hedhja e LSI apo PD ne krahun tjeter eshte rezultati 70 me 70. Perndryshe qofte Rama qofte Basha nuk kane asnje interes te bejne koalicion me njeri-tjetrin por do e bejne me partine apo partite jashte dy koaliconeve. Mundesia tjeter eshte qe partite e reja me deputete te ruajne nje moral te larte revolucionar dhe te refuzojne koalicionin duke ja lene llokmat e pushtetit prap LSI-se. Enderr shume e bukur po qe as keto parti vete nuk e kane perkundur. Pothuajse te gjitha kane thene apo nenkuptuar qe do bejne koalicion me partine qe fiton. Nje mundesi tjeter eshte qe Basha edhe pse ka shumicen deshton te beje marreveshje me partite qe ka ne lista dhe Rama arrin t’i joshi. Edhe kjo ka shume pak shanse te ndodhi sepse Basha do beje gjithshka per te formuar qeverine ne menyre qe te shpetoje karriken e kryetarit te partise.
    Pra e gjithe kjo analize mbulon vetem ngjarje me probabilitet shume te ulet, praktikisht nje analize e tipit po te kishte halla koqe.

  2. Ku e sheh fushatën negative? Ti numërosh dështimet dhe gënjeshtrat quhet fushatë negative?
    Nuk është fushatë negative ajo e Ramës që fyu kandidatët e opozitës në ekran me sulme banale dhe seksiste?
    Të ofrosh normalitet dhe shkëputje e largim nga statusquo e çmendurisë se propagandës nuk është fushatë pozitive?
    E provuam në 2013 tampamet dhe dajret dhe mrekullitë e frymës revulucionare me Ramën e ja ku kemi përfunduar. Pretendimet kanë rënë në: “të paktën të jetë në rregull nga mendt e kokës dhe të mos abuzojë me drograt, e të lejë popullin në punë të vet e të mos i marri shumë si Rama me super taksa, PPP dhe banda”.

    Sondazhet siç mund ta dish, pasi jep dhe leksione jashtë Shqipërisë dhe Shqipërisë nga jashtë, janë perdorur për të shtypur votuesit dhe per ti demotivuar që të shkojnë në votime për ti dhënë idene e pa-shpresës se nuk ja vlen barra të shkosh të votosh se nuk do ndryshojë gjë. Sondazhet e paguara nga palët në konflikt interesi dhe analizat në media nga gaztorët e Ramës nuk janë argumenta bindës.

    Po, Rama mund të përdori krimin për të manipuluar votat, është në dorën e opozitës se si do e mbrojë dhe faktojë tentativat nga bandat.

    Ndërsa ministrat e drejtorat e LSI i mori Rama në PS dhe bashkë me to të mirat dhe keqiat e tyre, nuk mund ta akuzojë PS LSI-në për asgjë përderisa Metën e bëri President dhe gjithë pushtetarët e LSI i mori ne gjirin e saj dhe i asimilioi.

    Eshtë e lehtë të mbledhësh numrat e te thuash qe Rama do marri përsëri 74 mandate se nuk ka amortizim e lodhje, ka aleatët e mëparshëm dhe mund ti përdori njësoj grupet kriminale dhe administratën. E të mos marrësh në konsideratë që ndoshta edhe votuesit e majtë mund të jenë lodhur me Ramën dhe nuk kanë asnjë interes, shpresë e frymë që të shkojnë në 8 të mëngjesit e ta votojnë si herët e tjera (Gjithmonë nëse nuk është i vërtetë stereotipi 80-vjeçar qe dhe bar hanë e partinë nuk e leshojnë…).

    Ju hyni në kategorinë e njerëzve shumë të zakonshëm në studio televizive dhe rrjete sociale që thonë Rama është i keq dhe i ka bërë dëme Shqipërisë, por Luli nuk është agresiv, banal dhe i dhunshëm si Rama e prandaj duhet votuar Rama dhe 8 vjet të tjera që të eci vendi përpara.

  3. Kush ësjtë ky djali që paska bërë këtë palo shkrim ?
    Me siguri një nga majtistët e thurrjes.
    Njëson si liderë të opozitës Bashën me Berishën, Kryemadhin, Metën, Mediun e Dukën e nga ana tjetër “komandantin” dy metrosh.
    Që opozita e përbërë nga parti të shumta një pjesë e të cilave edhe të majta, i janë kundërvënë një partie të vetme, partisë socialiste, kjo nuk ka sepse të komentohet për politikë “negativiste”, por si një simbolikë e një aleance të madhe partishë kundër një lideri me rekorde korruptive e deri kriminale nga njera anë, e nga ana tjetër të një njeriu anormal që asnjë shqiptar normal nuk do të deshte ta ketë fqinjë nga natyra e tij arrogante e harbute e jo më ta ketë kryeministër.
    Mandej edhe ky koalicion i madh partishë , të vogla e të mëdha, nuk konsiderojnë armik gjithë partinë socialiste, por negativizmin e shohin tek një personazh i vetëm i kësaj partie të cilën e ka lidhur mo botën e krimit.
    Së dyti, kjo opozitë nuk ka si lider as Berishën, as Metën, as Mediun e as Dukën, po ka juristin e politikanin e ri Lulzim Basha me një formim arsimor e kulturë politike tërësisht europerëndimore që përbën një kontrast shumë të madh krahasuar me Ramën, një politikan amorf e pa ide që më shumë afron me sheikët e lindjes që i venë rëndësi më shumë fasadave të madhështisë e jo nivelit të përgjithshëm të jetesës..
    Ky njeri me një të kaluar të njohur të arrogancës e dhunës ndaj femrave, po e qeveris Shqipërinë si një sulltanat .duke e mbushur qeverinë e parlamentin me gra ngaqë ka bindjen se mund ti nënshtrojë më shumë se burrat..
    Më habit se shof që autori i shkrimit është një djalë i ri, e ka të njejtën mendësi të ca palo analistëve si Baton Haxhiu, Frrok Çupi apo Kreshnik Spahiu.

  4. Politikani i ri Lulzim Basha thote ky me lart,ne fakt i ri fringo eshte vetem se ka qene pak minister transporti dhe padashje ngaqe ngaterrohet pak me shifrat,vodhi nja dyqind e ca milion,ka qene edhe pak minister i jashtem dhe padashje i fali Grekut ca kilometra det,ka qene dhe pak minister rendi dhe padashje vrau kater Shqiptare me duar ne xhepa,ka qene edhe pak kryetar bashkie me vota te vjedhura live ku ja fyti gjumit 4 vjet,u be edhe pak kryetar i PeDese duke vrare padashje konkurentin e tij Sokol Olldashi,keshtuqe shume politikan i ri,i shkolluar dhe europian ky Lyl Basha…!

  5. Ky zoteria cfare po u thote shqiptareve me kete shkrim? Deklaron me bindje te plote qe PS fiton shumicen? Permend sondazhet e paguara te qeverise. Shkurt, ben diversion ne mbeshtetje te Rames. Te gjitha shkrimet e tij s’kane as koke as kembe pa argumente, thjesht teori pa lidhje me realitetin.

  6. I paemër 13/03/2021 te 18:06

    Blendi eshte nje nga te rinjte e djathte me premtues ne Shqiperi dhe pjese e gazetes Standard, ndoshta kryeredaktori nqse nuk gabohem. Per mua eshte i sakte, dhe shpresoj qe opozita ti marre per baze mendimet e tij. Dhe pse jam socialist une Ramen nuk e dua me sic thote dhe Blendi ketu entuziazmi ka rene. Basha ja fut Rames vetem me 3 fjale, “do te burgos” sepse e di i madh dhe i vogel babezine e tij uleritese per te vjedhur para! Nuk jane para qe shteti yne i ka plus, por borxhe me 100 andrralla qe do u rendojne shqiptareve te varfer! Respekte Blendi, te shpresojme qe Rama te mos fitoje dhe opozita ta lexoje shkrimin tend pa inate personale me ty ndoshta per pakenaqesite tuaja pasi kauza eshte me e madhe!

  7. Përderisa e pranon se je i majtë o shoku EV, është e kjartë se do të biesh në pozitat subjektive të Fatos Lubonjës, për të cilin të gjithë janë banditë veç vetes së tij..
    Lubonja është edukuar që në fëmijëri me ideollogjinë marksiste e sadoqë e pësoi nga diktatura enveriste, ai nuk është shkëputur asnjëherë nga idetë e internacionalizmit proletar.
    Për Lubonjën e shumë analistë të këtij lloji, cilido i pasur, cilido kapitalist është një “bandit” e cilado parti politike që mbështet sistemin e tregut të lirë kapitalist, është një bandë.
    Kaq i fiksuar është subjektivisht në urrejtjen e tij kunër kapitalizmit, saqë haron që humbi vitet më të bukura të rinisë në burgjet e “diktaturës së proletariatit”.
    Nëse lexon publiçistikëm e Lubonjës, ai është në kërkim të një “sistemi të ri” pa “oligarkë”, siç abuzohet në përgjithësimin e kapitalistëve.
    Por a mund të quhet “sistem i ri” ideja marksiste e komunizmit botëror ?
    Evolucioni i shoqërisë njerëzore, nga komuna primitive në gjendjen e sotme, erdhi si pasojë e konkurencës së lirë të vlerave e aftësive. Padyshim se në këtë evolucion ka luajtur rol të rëndësishëm edhe nocioni “popull”, por ama jo nga shtresat e pa arsimuara e të niveleve të ulta arsimore e kulturore, por nga elitat e tyre e kjo tashmë është e vërtetuar plotësisht nga studimet shkencore të përbërjes së ADN.
    Është krejtësisht e pamundur që të gjesh qoftë edhe dy njerëz binjakë, me të njejtat cilësi biollogjike e po me të njejtat aftësi të qelizave të trurit.
    Diversiteti është një dukuri universale, e idetë e barazimit janë tashmë një ëndër utopike e provuar si e dështuar.
    Për ta kuptuar këtë, mjafton të analizosh qoftë edhe pjestarët e një familje.
    Edhe në një familje me katër fëmij, do të gjesh ndryshime të dukëshme midis tyre, si për aftësitë e intelektit, ashtu edhe aftësitë e përgjithëshme fizike
    Ngase vjen kjo ?
    E para nga trashëgimia gjenetike e prindërve e mandej edhe nga trashëgimia e geneve të veçanta të trashëguara edhe nga deri stërgjyshër të babait apo nënës.

    1. Jam kufizuar në komentin e mësipërm vetëm tek gjenitë me emergji pozitive, por në historinë e njerëzimit ka pasur e ka edhe sot edhe gjenij me energji negative.
      Për këtë kategori gjenishë , nuk mjafton një koment në një portal, pasi pasi problemi është shumë më kompleks e i ngatëruar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu