• |
ide | kryesore

Dilemat e Tiranës dhe Partizanit marrin fund në derbi: ora e të vërtetës për ambicjet e klubeve

-Instant, F1, Sport



Kryeqyteti mban peshën e derbit sot, me Tiranën e Partizanin që do të sfidohen për zotërimin e ngjyrave. Ndeshja do të startojë në orën 13:00 dhe do të luhet në stadiumin “Selman Stermasi”, stadiumi i tretë që do të presë derbin për këtë sezon, pasi dy sfidat e mëparshme janë luajtur në “Air Albania” dhe në “Elbasan Arena”. Një përballje tepër delikate për të dyja skuadrat, që duket se nuk janë dorëzuar ende për titullin kampion apo kërkojnë të mbrojnë sezonin me zonën europiane të renditjes.

TIRANA – Moral i lartë për serinë e fitoreve, por edhe dilema, dy nga të cilat më tepër shqetësuese: Agustin Torasa e Kristi Vangjeli. Në hierarkinë e Orges Shehit natyrisht të dy duhet të ishin titullarë, por gjendja fizike nuk është ajo optimale. Dy lojtarët janë provuar nga trajneri si titullarë në seancën e fundit stërvitore, por Shehi nuk është bindur ende plotësisht për t’i aktivizuar nga minuta e parë. Argjentinasi vjen pas një periudhe problematike e nëse nuk ia del do të zëvendësohet nga Toli. E njëjta situatë edhe për Kristi Vangjelin. Mbrojtësi nuk ka formën e tij më të mirë, por eksperienca e korçarit mund të jetë shumë e vlefshme në derbi, krahasuar me Behiratche, pavarësisht se mbrojtësi vjen nga një gol i shënuar. Tekniku nuk ka dilema për pjesën tjetër: Bekajn në portë dhe përpara tij do të jenë Toshevskin, Behiratçen ose Vangjelin, Hoxhallarin e Ismajlgecin. Në krahët e mesfushës Halili e njëri prej dyshes Toli-Torasa, që do të kompletojnë repartin me Çelhakën e Bathën, që rikthehet në formacion. Në sulm aktivizohen Seferi e Kale, me Vayrynen gati të aktivizohet nga pankina.

PARTIZANI – Skuadra e Ilir Dajës ka humbur pikë të cmuara që mund ta kishin projektuar tashmë në krye të renditjes. E megjithatë vendet e fundit, Apolonia e Skënderbeu i morën 5 pikë në renditje, duke e bërë derbin tashmë shumë delikat, për atë që përfaqëson kjo ndeshje, por edhe të ardhmen e dy skuadrave. Dëmtimi i Stenio Junior ka bërë që Eraldo Çinari dhe Lucas Cardoso të sakrifikohen si qendërsulmues. Shkodrani me formën që ka do të udhëheqë sulmin e të kuqve, ndërsa Lucas Cardoso dhe Cordeiro Melo janë në balotazh për një vend titullari. I palëvizsshëm është Jasir Asani në krahun e djathtë të sulmit. Formacioni në derbi nuk pritet të ketë surpriza të mëdha. Kapiteni i skuadrës, Alban Hoxha, do të jetë mes shtyllave. Ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Esat Mala dhe Esin Hakaj nga krahët, teksa në qendër priten Eneo Bitri dhe Egzon Belica. Në mesfushë, Rron Broja pritet të jetë para mbrojtjes, ndërsa energji do të shpenzojnë Valentino Murataj dhe Jurgen Bardhi. Jasir Asani dhe Eraldo Çinari do të luajnë në krahët e sulmit, në mbështetje të Lukas Kardozos, i cili në bazë të formës që po kalon, është më i avantazhuar se Kordeiro Melo, i cili ende nuk ka shënuar këtë sezon në Superiore.

SITUATA Tek Partizani nuk shqetësohen shumë për skualifikimet, ndërsa tek Tirana ky është një problem dhe shumë i madh madje. Katër lojtarë rrezikojnë të mos jenë ndaj Laçit, nëse ndëshkohen me të verdhë në derbi: Grent Halili, Kristi Vangjeli, Jurgen Vrapi dhe Agustin Torasa kanë nga tre kartonë të verdhë. Dy ndeshje mes Tiranës dhe Partizanit janë luajtur këtë sezon me bardheblutë që kanë një humbje e një barazim. Partizani triumfoi në ndeshjen e 20 janarit me një gol të Çinarit. Nëse fitojnë bardheblutë, nuk kalojnë të kuqtë, por u shkojnë një pikë afër, ndërsa një fitore e Partizanit i mban të besuarit e Ilir Dajës në pretendimet për titull.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *