• |
ide | kryesore

Nis punën zyrtarisht Ambasada e Kosovës në Jerusalem

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kosova hapi të dielën ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë i pari vend me shumicë myslimane që njeh qytetin si kryeqyteti i vendit hebre, pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në shkurt. Veprimi ka ndezur debate dhe reagime pro dhe kundër, ndërkohë që në Kosovë është konsideruar si një hap i rëndësishëm, me zyrtarët që kanë theksuar se njohja e vendit nga Izraeli është më e rëndësishmja që nga shpallja e pavarësisë. Në kushtet e pandemisë globale, ambasada e Kosovës në Jerusalem u inaugurua pa shumë pompozitet, në praninë e ambasadores së Kosovës në Izrael, Ines Demiri dhe zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ministrisë së jashtme izraelite Gary Koren.

“Ne në Kosovë kemi kohë që presim, madje prej shumë vitesh, për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Të dielën, unë pata nderin më të madh në jetën time. Një nder që më është dhënë nga vendi im, nga qeveria e Kosovës, për të vendosur pllakën dhe flamurin e republikës së Kosovës, në ambasadën tonë, këtu në Jeruzalem”, tha Ines Demiri, Ambasadorja e Kosovës në Izrael.

“Është një ditë historike. Dua të përgëzojë Kosovën për vendimin e saj të rëndësishëm dhe vullnetin për ta implementuar shpejt. Unë do të doja të falënderoja personalisht edhe ambasadoren, për përpjekjet personale, dhe jam i sigurt se do të udhëheqë një nga ambasadat më të rëndësishme të Kosovës në botë”, thaGary Koren.

Hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, pason vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, për çka u hap rruga nga marrëveshja e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e bardhë, mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç, në praninë e presidentit të atëhershëm Donald Trump. Sidoqoftë, vendimi i Kosovës nuk është pritur mirë, nga Turqia, por edhe nga Bashkimi Evropian, që e konsideroi atë largim të Prishtinës nga blloku në lidhje me çështjen e Jerusalemit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *