• |
ide | kryesore

Profil/ Kush është Abdixhiku, lideri që do të ringjallë partinë e Rugovës

Arkiva, Kryesore, Lajme

LDK, partia historike e Kosovës ka dëshmuar se diti të reagojë ndaj humbjes katastrofale të 14 shkurtit. Ajo ka zgjedhur si pasues të ish kryetarit të dorëhequr që e rrokullisi drejt humnerës, Isa Mustafës, një profil krejt të kundërt me të, Lumir Abdixhikun. Ai ka marrë 191 votave të 328 delegatëve të kuvendi duke mos pasur nevojë as për balotazh në garën kundrejt nënkryetarit, Lutfi Haziri dhe anëtarit të kryesisë, Besian Mustafa.



Ndonëse i ri në rradhët e partisë së Rugovës, Abdixhiku që ka aderuar aty vëtëm në 2017, i ardhur nga jeta akademike, është shquar për personalitet dhe qëndrime parimore. Ai nuk ishte dakord me rrëzimin  me puç të qeverisë së përbashkët me Vetëvendosjen, por ndryshe nga Vjosa Osmani, ai nuk u largua nga shtëpia e përbashkët duke përplasur derën. Si ish ministër i Infrastrukturës në qeverinë Kurti, ai nuk pranoi të bëhej pjesë e një kabineti të paligjshëm dhe të pamoralshëm si ai që ndërtoi Avdullah Hoti. Lumiri priti orën e tij. Dhe kur qorrsokaku ku e futi LDK-në binomi Isa Mustafa Avdullah Hoti, rezultoi me përgjysmimin e votavë të rugovistëve duke i zbritur ato në minimumin historik të 12%, Abdixhiku besoi se i kish ardhur momenti. Ai vendosi të kandidojë me një plaftormë për rinovimin e LDK, që sipas tij ka histori të madhe por drejtohet nga njerëz të vegjël, dhe ta bëjë këtë kundër të gjithë atyre që tregoheshin rezistentë ndaj ndryshimit dhe donin të bënin sërish një zgjidhje, jo me zgjedhje por me kompromis.

“Më 14 shkurt morëm rezultatin më të rëndë historik. Me vetëm 12.6% e me vetëm 110 mijë vota, u renditëm në pragjet më të ulëta politike. Ishte ndëshkim nga njerëzit tanë, nga qytetarët e vendit tonë, nga të njëjtit që dikur na kishin dhënë besim. E rëndë është rënia, por, më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Mburrja jonë ndërtohet mbi të shkuarën; prandaj, ne e falenderojmë dhe e nderojmë secilin për shërbim. Por, e shkuara s’na mjafton më! Përpjekja jonë politike duhet t’i qëndrojë të sotmes. Reformat duhet ta projektojnë të ardhmen” argumentoi ai në momentin që shpalli kandidaturën për kreun e partisë.

Me 191 votat që mori këtë të dielë në, 14 mars ai i’a arriti.

Ky 37 vjeçar, doktor shkencash në ekonomi në Universitetin britanik Staorshire, i cili më parë ka qenë edhe aktivist i shoqërisë civile, ia doli të bindjë një parti tradicionale si LDK. Dy atutë e tij qenë, mos përkulja ndaj establishmentit të vjetër dhe të mykur, që e zbriti partinë në minimumin e 100 mijë votave, e kombinuar njëkohësisht me vendosmërinë për të mos e braktisur shtëpinë e përbashkët, ashtu sikurse bëri Vjosa Osmani.

Prandaj, kur pas disfatës, Isa Mustafa e la bosh i turpëruar vendin që uzurponte prej kohësh, një pjesë e mirë e militantëve dhe degëve të partisë i bënë thirrje atij që ti printe ndryshimit.

Aq i fortë qe sinjali i këtij transformimi që ai simbolizon, sa që për fotoren atë e uroi edhe vetë presidentja në detyrë Osmani dhe kryeministri i zgjedhur Albin Kurti. 

 “Sot po e hapim një faqe të re të rrugëtimit tonë politik, me synime dhe qëllime të qarta, për ta kthyer LDK-në në vendin e saj origjinal… Përgjatë kohës, megjithatë, LDK-ja nuk arriti të mbajë dhe as të rrisë mjaftueshëm votuesit e saj. Ndonëse arsyet për një rënie të tillë mund t’i rendisim dhe përmendim me rend, arsyen e vërtetë dhe të vërtetën e vetme e gjejmë te vetvetja dhe nga vetvetja ne duhet të nisim rikthimin tonë të madh”, theksoi menjëherë pas fitores Abdixhiku, i cili premtoi rinovim të kryesisë së partisë dhe shtimin e saj me figuar nga jeta publike.

Por, nëse ky është një bast më i lehtë për tu realizuar, sfida tjetër është ajo që LDK-ja e re do të mbajë ndaj qeverisë së sapo zgjedhur Kurti. A do ti japë ajo votat për të zgjedhur politikanen më të votuar në Kosovë, Vjosa Osamanin si presidente? A do të jetë kjo një shenjë bashkëpunimi me qeverinë e ndryshimit? Apo do të shkojë drejt konfrontimit direkt për të marrë monopolin e një opozite reale?

Të gjitha këto pritet të shihen. Por ky do të jetë hapi i parë që do të skicojë profilizimin e pasardhësit të katërt të Ibrahim Rugovës në krye të LDK-së.

©Lapsi.al

 

1 Comment

  1. Pergezime Kosove . Ti tregon se je e gjalle dhe vitale. Ti tregon se ke njerez qe te duan. Mesona edhe ne te humburit e Shqiperise se vogel.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu