• |
ide | kryesore

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për ndalimin e tubimeve politike

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për padinë e PR për masat e vendosura nga qeveria për pandeminë. Partia Republikane kërkoi nga Kushtetuesja shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që thotë:

“1- Të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, konferencat, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë e festave, ceremonitë martesore dhe organizimet përtej familjare të ceremonive mortore, deri në një urdhër të dytë; 2- Pika 4 e urdhrit nr. 351, datë 29.5.2020 ‘Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19’, të ndryshuar, shfuqizohet; 3- Ngarkohen për zbatimin e këtij urdhri organet kompetente për dhënien e masave administrative sipas aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020 ‘Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së shkaktuar nga COVID-19’, i ndryshuar”.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese GJK Komiteti teknik ka një javë kohë për rishikuar masat teksa duhet të rishikohet kohëzgjatja e kufizimeve.

PJESË NGA VENDIMI I KUSHTETUESES

Në disa raste GJEDNJ-ja i ka gjetur të mbështetura kufizimet mbi grumbullimet publike (si p.sh. kufizime të vendit ose numrit të pjesëmarrësve), ku qëllimi ishte mbrojtja e sigurisë publike ose ruajtja e rendit publik. Ajo nuk ka gjetur shkelje të nenit 11 të Konventës kur grumbullimi është shpërndarë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve.

Në kontekstin e rrethanave të pazakonta të krijuara nga pandemia COVID-19, Gjykata vë në dukje se ndalimi i përhapjes së këtij virusi përbën një “nevojë urgjente shoqërore”. Prandaj dhe masat e marra, duke përfshirë edhe urdhrin e ministrit në rastin konkret, janë të lidhura me këtë objektiv, në kuadër të detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë autoritetet shtetërore për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet ngjitëse.

Kërkuesja ka pretenduar se ndalimi i tubimeve nuk është mjeti i duhur dhe i nevojshëm dhe se mënyrat alternative të komunikimit online nuk janë të përshtatshme, pasi nuk mbulojnë të gjithë territorin. Ndërsa subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, ka parashtruar se urdhri nr. 633/2020 ka dalë pas shpalljes së gjendjes së pandemisë nga OBSH-ja, në përgjigje të situatës së krijuar, si rezultat i shtimit të rasteve të të prekurve dhe viktimave nga COVID-19. Sipas tij, kërkuesja ka në dispozicion mënyra alternative të komunikimit online për ushtrimin e të drejtave që pretendon se i janë cenuar.

Gjykata konstaton se në kuadrin e lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së tubimit, shpërndarja e informacionit dhe ideve ka një rëndësi të veçantë. Padyshim, tubimet politike dhe mbledhjet partiake zënё vend kryesor nё procesin zgjedhor, pasi pёrmes tyre pjesёmarrёsit dhe organizatorёt japin e shkëmbejnë opinione, ide e çёshtje tё programeve politike, me tё cilat partitë politike konkurrojnë nё zgjedhje, ndërsa zgjedhësit informohen për të bërë zgjedhjen e duhur. Gjykata thekson se kur kufizohen të drejtat kushtetuese, për kontrollin e proporcionalitetit të ndërhyrjes nuk mjafton vetëm ekzistenca e mjeteve alternative, por një faktor i rëndësishëm lidhet me vlerësimin se sa këto mënyra alternative lejojnë ushtrimin e së drejtës, qoftë edhe në masë të kufizuar. Kur kufizimet vendosen për lirinë e shprehjes dhe të tubimit përgjatë procesit zgjedhor, për Gjykatën merr rëndësi vlerësimi i hapësirës dhe shkallës së përdorimit të mënyrave alternative të komunikimit që iu mundësohen zgjedhësve dhe partive politike për të përhapur mesazhin dhe idetë e tyre politike tek votuesi përmes: video-konferencave, angazhimeve aktive në platforma elektronike me ndjekje të gjerë, rrjeteve sociale, takimeve online, emisioneve televizive, medieve etj.

Gjykata vlerëson, gjithashtu, se si rregull çdo kufizim i të drejtave në vetvete duhet të ketë elementin e përkohshmërisë. Po ashtu, parimi i proporcionalitetit kërkon që sa më i madh të jetë kufizimi, aq më i detajuar dhe bindës duhet të jetë justifikimi i tij. Në këtë këndvështrim, krahas numrit të kufizuar të personave që lejohen të grumbullohen, mënyrat alternative të ushtrimit të lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së tubimit e justifikojnë konceptin e kufizimit të përkohshëm të tyre. Megjithatë, kur këto kufizime zgjasin pa afat, duke humbur karakteristikën e përkohshmërisë dhe për kohëzgjatjen e pacaktuar nuk jepet justifikim, ato shndërrohen në ndalim tërësor të kësaj të drejte, duke zbehur rolin që luajnë mënyrat alternative.

Për sa më lart, Gjykata vëren se urdhri nr. 663/2020, në pikën 1 të tij, përmban shprehjen “deri në një urdhër të dytë”, që tregon se nuk ka një afat të qartë se kur këto masa kufizuese përfundojnë ose rishikohen. Konkretisht, nga hyrja në fuqi e tij e deri aktualisht ky urdhër nuk është rishikuar.

Në vlerësimin e Gjykatës termi “deri në një urdhër të dytë” krijon problematikë në dy drejtime: së pari, nuk detyron autoritetet përgjegjëse të bëjnë vlerësim periodik për masat kufizuese të përcaktuara me urdhrin në fjalë dhe, së dyti, nuk i përgjigjet standardit të proporcionalitetit. Kjo çështje merr edhe më shumë rëndësi po të merret në konsideratë që vendi tashmë është në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Në dritën e rrethanave konkrete që kanë të bëjnë me nivelin e përhapjes së virusit dhe ndikimin e tij në Shqipëri, të shpjeguara nga subjektet e interesuara, Këshilli i Ministrave dhe MSHMS-ja, Gjykata çmon se kufizimi nga urdhri i ministrit i së drejtës së tubimit, të lidhur me të drejtën e shprehjes, është i domosdoshëm në një shoqëri demokratike, pasi diktohet nga një nevojë urgjente shoqërore. Megjithatë, Gjykata vlerëson se akti i kundërshtuar nuk respekton kriterin e proporcionalitetit, sipas nenit 17 të Kushtetutës, për shkak të mosparashikimit të një afati të përcaktuar për kohëzgjatjen e masave kufizuese dhe për këtë shkak shprehja “gjer në një urdhër të dytë” duhet të shfuqizohet.

Në kushtet e shfuqizimit pjesërisht të urdhrit nr. 633/2020, Gjykata, në bazë të neneve 76, pikat 1 dhe 4, dhe 81, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, çmon se organi kompetent duhet të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *