• |
ide | kryesore

Kulisat/ Si po luan Vjosa Osmani për presidencën

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme



Duket se dita ditës, tre elementë po bëhen gjithnjë e më të fortë për ta shpënë Vjosa Osmanin drejt presidencës së Kosovës.

Së pari mbështetja nga shumica parlamentare e Vetëvendosjes duket më e fortë se kurrë. Së dyti faktorët ndërkombëtarë në Kosovë janë shprehur qartë se nuk duan një krizë që do të provokonte zgjedhje të reja. Dhe së treti, drejtuesit e rinj të LDK-së me kryetarin e sapozgjedhur Lumir Abdixhiku, nuk janë treguar refraktarë për të bojkotuar seancën e cila do ti rikthente automatikisht kosovarët drejt kutive të votimit.

Lideri i mazhorancës Albin Kurti, që edhe në publik e thërret aleaten e tij “presidente” ka deklaruar disa herë se do të jetë shumë e afërt dita kur do të thirret seanca për të votuar presidentin e ri. “Atë që e votoi populli me mbi 300 mijë vota do të mund ta legjitimojmë edhe me të gjitha votat e nevojshme në mbledhjen e Kuvendit të Republikës”, deklaroi këtë të mërkurë Kurti, i cili së bashku me minoritetet dëshmoin në votimin e qeverisë se e ka një mazhorancë të konsoliduar në parlament.

Edhe kryediplomati amerikan, Philip Kosnett, ka shkruar sot një editorial për Indeksonline, ku ka theksuar se duhet shmangur përdorimi i zgjedhjes së presidentit për të shkaktuar një krizë të re politike. Kosnett ka sqaruar se qeveria të cilën e përfaqëson nuk është duke kërkuar as në mënyrë publike, as privatisht që dikush të votojë për një individ të caktuar për president. “Ka ikur koha e presidentëve që dalin nga zarfi”, ka shkruar ai, duke sqaruar se ajo që po kërkon SHBA-ja është që të shmangen zgjedhjet tjera, të cilat do të kushtojnë shumë dhe që do ta lënë vendin në krizë edhe për një kohë të gjatë në mes të pandemisë.

Pas votimit të qeverisë së re edhe shtetet e QUNT–it (grupi i shteteve të përbëra nga ShBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca) kanë qenë aktive në kërkesën për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Quint-i ka thënë se “detyra e parë e institucioneve të reja të Kosovës është zgjedhja e presidentit”.

Të gjitha këto përpjekje po bëhen për shkak të specifikës së veçantë me anë të cilës zgjidhet kreu i shtetit në Kosovë. Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave (80 nga 120) të deputetëve.

Në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse në asnjë nga raundet nuk plotësohet korumi prej 80 deputetësh, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Pikërisht për këtë artific, të sanksionuar nga Gjykata Kushtetuese, nëse partitë e opozitës e bojkotojnë procesin, ato shkaktojnë krizë dhe zgjedhje. Duke qenë se PDK-ja dhe Aleanca e Ramush Haradinajt janë shprehur se as nuk e votojnë Vjosa Osmanin dhe as nuk do të marrin pjesë në raundet e votimit, kyç mbetet roli i LDK, e cila ka 15 deputetë. Kjo ka qenë arsyeja që Vjosa Osmani pati një takim të veçantë me kreun e prorsazgjehdur të kësaj partie, Lumir Abdixhiku me të cilin ka pasur një marëdhënie speciale. Pas takimit Abdixhiku tha se Vjosa do të marrë përgjigje së shpejti nga Lidhja Demokratike e Kosovës nëse do ta mbështesin ose jo për presidente të vendit. Abdixhiku e quajti pozitiv dhe konstruktiv takimin, duke thënë se subjektit të tij politik i duhet ende kohë për të marrë një vendim përfundimtar. “Tani, ne kemi biseduar rreth rolit të saj të ardhshëm. Do të kemi nevojë për qartësime shtesë dhe do të kemi kohë për konsultime shtesë brenda partisë, dhe në momentin që përfundojnë këto dy procese, atëherë do ta kemi të qartë edhe vendimin përfundimtar. Takimi ka qenë konstruktiv dhe pozitiv. Kemi diskutuar platformën. Nuk kemi vërejtje sa i përket përmbajtjes së platformës”, tha Abdixhiku.

Ndonëse këto deklarata janë larg të qenit një “OK”, tonet aspak armiqësore të kreut të ri të LDK-së tregojnë se, nëse ai nuk voton pro ish koleges së vet Osmani, së paku nuk do ta shtyjë partinë e tij drejt bojkotit.

Dhe Vjosa Osmanit nuk i duhet më tepër sesa kaq. Boll që LDK-ja mos bojkotojë procesin qoftë dhe duke votuar kundër dhe ajo do të zgjidhet presidente.

Por synimi i saj është larg të qenit i përfunduar. Qeveria Kurti bashkë me deputetët minoritarë, jo serbë, tregoi se ka 67 vota. Pra për të bërë 80 prezenca në sallën e kuvendit asaj do i duhet edhe pothuajse totali i 15 deputetëve të LDK-së, gjë që nuk është lehtësisht e arritshme pasi shumëkush në këtë parti ruan inate të forta më gruan që i përplasi derën në fytyrë hierarkëve të vjetër të partisë. 

©Lapsi.al

 

 



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *