• |
ide | kryesore

Muajt pandemikë të 2020-s, vdekjet në Shqipëri u rritën me 38%, shumë më e lartë se gjithë shtetet e tjera të Europës

-Instant, Lajme, Të fundit



Janari dhe shkurti të një viti më parë ishin dy muaj të qetë në gjithë globin dhe askush nuk do të mund ta parashikonte stuhinë që do të vinte më pas. Pas zbulimit të rastit të parë me Covid-19 në Itali në shkurt, marsi ishte fatal për këtë shtet, i cili pa një rritje të menjëhershme të vdekjeve me 48% me bazë vjetore atë muaj, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Statistikor, pasi ishin tkurrur me 6.1% në janar-shkurt. Shtimi i fataliteteve tronditi Europën, me shtetet që nxituan të vendosnin karantinat më të ashpra që ishin parë ndonjëherë, duke zgjedhur të vuanin pasojat në ekonomi, përballë humbjeve të jetëve të njerëzve.

Pas Italisë, që ishte e para që priti valën fillestare të pandemisë, tendenca e rritjes së fataliteteve u konstatua në të gjithë Europën. “Monitor” ka përpunuar të dhënat për rritjen e vdekshmërisë për mars-dhjetor 2020, periudhën kur filloi e kulmoi pandemia, e krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, bazuar në të dhënat e Eurostat, që i publikon me bazë javore dhe instituteve statistikore përkatëse për vendet e rajonit.

 

Nga të dhënat rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, pasi janari dhe shkurti kishin shënuar tendencë rënëse. Sipas INSTAT dhe Eurostat, për periudhën në fjalë (përjashtuar janarin dhe shkurtin) janë regjistruar rreth 6 mijë jetë të humbura më shumë.

Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës (vetëm të dhënat për Bosnjë Hercegovinën nuk janë ende të disponueshme). Shteti i dytë pas nesh, me rritjen më të lartë të fataliteteve për periudhën pandemike është Maqedonia , me +29%, e ndjekur nga Spanja (+27.2), Polonia (27.1%), Sllovenia (+26.4%), Belgjika (24.5%), Italia (24.4%), Çekia (23.8%), Bullgaria (23%), Rumani (21.5%), Zvicër (21.3%), Maltë (20.6%), Kosovë (20.4%, e krahasuar vetëm me vitin 2019). Për shtetet e tjera rritja ka qenë më e ulët se 20%, ndërsa pandeminë pothuajse nuk e kanë vuajtur fare Islanda (1.5%) dhe Norvegjia (2.7%)- shiko grafikun: Rritja e vdekjeve, mars-dhjetor 2020 kundrejt mesatares përkatëse 2016-2019.

Karantina e ashpër, që në pothuajse gjithë Europën zgjati mes marsit dhe majit e frenoi disi valën e parë të pandemisë. Në Itali, psh, pas rritjes së fataliteteve dhe në prill me 40%, maji deri në shtator ishin të qetë, me rritje të ulët mes 3-6%, madje në qershor treguesi ra me 0.75 me bazë vjetore, sipas ISTAT. Në Shqipëri, vala e parë nisi nga qershori, disa javë pas lehtësimit të masave të rrepta kufizuese, për të kulmuar në gjysmën e dytë të vitit. I njëjti krahasim për shtetet e Europës, por për 6 mujorin e dytë 2020 në raport me mesataren përkatëse katërvjeçare 2016-2019 tregon se në Shqipëri, rritja e fataliteteve ishte 53.2%, sërish më e larta e Europës. Në përgjithësi, shtetet e rajonit nuk arritën të menaxhonin pandeminë pas daljes nga karantina. Në Maqedoni, fatalitetet u rritën me 51%, ndërsa në Kosovë me 48.5%, në 6 mujorin e dytë 2020. Situata e rënduar ishte dhe në Poloni, Slloveni, Bullgari, Çeki, Rumani, Serbi, Mali i Zi. (shiko grafikun: Rritja e vdekjeve 6 M II 2020/ 6 M II 2016-2019 (%)).

Në tremujorin e katërt 2020, rritja vjetore në raport me mesataren përkatëse katërvjeçare ishte më e larta në Maqedoni (83.7%). Nëntori dhe dhjetori ishin fatalë në shtetin fqinj, me rritje të jetëve të humbura përkatësisht me 103% dhe 143%, sipas të dhënave zyrtare të institutit të statistikave të Maqedonisë.

Sllovenia dhe Polonia ishin dy shtetet e tjera që panë rritje dramatike të pasojave që Covid-19 dha në humbjet e jetëve, me rritje përkatësisht 74.7 dhe 73.6%. Shqipëria është e katërta në tremujorin e katërt, me shtim të fataliteteve me 70.3%. Bullgaria, Çekia, Zvicra, Rumania, Sllovakia shënuar rritje me mbi 50%. (shiko grafikun: Rritja e vdekjeve T IV 2020/ T IV 2016-2019).

Janar- shkurti 2021, pjesa më e madhe e Europës qetësohet, Shqipëria jo

Teksa Shqipëria duket se po eksperimenton me krijimin e imunitetit natyror të tufës, me kufizime minimale, ndryshe nga mbylljet e reja të Europës, vala e tretë e pandemisë ishte e fortë edhe në muajt e parë të këtij viti. Të dhënat nga Zyra e Gjendjes Civile, e cila raporton vdekjet e ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, bëjnë të ditur se fatalitetet u rritën përkatësisht me 30.7% në janar dhe 78.6% në shkurt, me bazë vjetore (53% për janar-shkurt), ose rreth 2.2 mijë jetë të humbura më shumë se dy muajt e parë të 2020-s, kur nuk kishte filluar ende pandemia, duke e çuar në mbi 8 mijë bilancin që nga fillimi i pandemisë.

Kjo shifër mbetet deri tani më e lartë, e krahasuar me ato shtete për të cilat Eurostat ka nxjerrë të dhëna për 2 mujorin e parë të vitit. E dyta renditet Portugalia, që po përjeton një kulm të ri të pandemisë, me rritje 51%, por ky shtet në gjysmën e dytë të vitit të kaluar raporti rritje 21% të fataliteteve, kundrejt 53% të Shqipërisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *