• |
ide | kryesore

Marrëdhënie të tensionuara me Kinën, SHBA: Të përgatitemi për një luftë të ftohtë

-Instant, Lajme, Planet



Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë treguar se janë në prag të një luftë të ftohtë afatgjatë, e ngjashme me luftën e ftohtë SHBA-Bashkim Sovjetik,  të dekadave të kaluara.

Ashtu si konflikti SHBA-BRSS  edhe marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës janë rrënjosur në konkurrencën midis sistemeve politike dhe ekonomike alternative – njëri vend demokratik dhe  tjetri autoritar – me pasoja të mëdha për mirëqenien e miliarda  njerëzve në të gjithë botën.

Gjithashtu si konflikti SHBA-BRSS, Uashingtoni do të ketë nevojë për një strategji gjithëpërfshirëse për të “përmbajtur” impulset ekspansioniste të Pekinit. Ndërsa (shpresojmë) që të shmangë një përballje ushtarake me Pekinin, Uashingtoni do të duhet të ketë një kapacitet ushtarak të padiskutueshëm për të mbrojtur praninë e tij në Azi dhe rajone të tjera ndërsa Kina kërkon ta zhvendosë ose ta lërë në hije, dhe të përdorë diplomacinë në mënyrë sa më efektive ndërsa të dy kombet konkurrojnë besnikërinë e popullatave  në të gjithë botën.

Shenjat e konfliktit afatgjatë SHBA-Kinë janë të pagabueshme dhe ngjashmëritë me luftën e ftohtë të dikurshme nuk janë aspak të çuditshme.

Gjatë luftës së ftohtë, udhëheqësit sovjetikë parashikuan një fitore të pashmangshme. Duke folur për Kombet e Bashkuara në fund të vitit 1960, për shembull, Nikita Hrushov  mendoi  se “socializmi po zëvendëson kapitalizmin” në të gjithë botën në zhvillim.

Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësi kinez Xi Jinping  pohoi  se “Lindja po ngrihet, ndërsa Perëndimi është në rënie”. Zyrtarët amerikanë shqetësohen se, i bindur për rënien e Amerikës, Pekini mund të rrisë rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë SHBA-Kinë duke testuar vendosmërinë e SHBA-së.

Gjatë luftës së ftohtë, tensionet SHBA-BRSS arritën kulmin mbi qytetin e ndarë të Berlinit, me Khrushchev që kërcënonte se do të detyronte Shtetet e Bashkuara të largoheshin nga Berlini Perëndimor dhe Presidenti Kennedy nga ana tjetër që e bëri të qartë se do të zhvillonte  luftë me Sovjetikët – me armë bërthamore si e vetmja mundësi për të fituar – në vend që të sakrifikojë pozicionin e SHBA-së  dhe, nga ana tjetër, të tronditë Aleancën Perëndimore.

Në mënyrë të ngjashme, zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se një Pekin gjithnjë e më agresiv ka synimin për t’i dhënë fund statusit të paqartë të Tajvanit duke pushtuar ose gjetur një mënyrë tjetër për të vendosur ishullin e mbështetur nga SHBA nën këmbët e tij.

Zyrtarët amerikanë e kanë bërë më të qartë se Uashingtoni nuk do të braktisë një komb që ai është zotuar zyrtarisht të mbështesë në këtë proces.

Gjatë luftës së ftohtë, Bashkimi Sovjetik u përpoq të përhapte ndikimin e tij kudo, duke i detyruar Shtetet e Bashkuara të tërhiqeshin.

Kur, në verën e vitit 1946, udhëheqësi Sovjetik Josef Stalin bëri presion ndaj Turqisë për të vënë ngushticën Turke nën kontrollin Sovjetik-Turqi, Presidenti Truman dërgoi aeroplanmbajtësin  Franklin D. Roosevelt  për t’iu bashkuar Misuri  në Mesdhe dhe udhëzoi zyrtarët e SHBA-së që t’i thonin Moskës se Uashingtoni do të zbatonte sovranitetin e Turqisë dhe përgjegjësinë e saj të vetme për ngushticat.

Në mënyrë të ngjashme, në përgjigje të veprimtarive agresive kineze si në Detin e Kinës Jugore ashtu edhe në Detin e Kinës Lindore, zyrtarët amerikanë kanë kritikuar ato që ata i konsiderojnë si kërcënime të Pekinit ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Pas takimit me zyrtarë japonezë në Tokio, zyrtarët amerikanë  përsëritën  angazhimin e Amerikës për mbrojtjen e Japonisë, përfshirë edhe mbrojtjen e Ishujve Senkaku që, kanë frikë se janë në synimin e Kinës.

Gjatë luftës së ftohtë, Uashingtoni dhe Moska promovuan sistemin e tij qeverisës dhe vunë në dukje dështimet e konkurrencës së tij. JFK  ironizoi  nevojën e Moskës për të ndërtuar Murin e Berlinit për të parandaluar njerëzit që të largoheshin, ndërsa Presidenti Reagan  vuri në dukje  se komunizmi e la popullin Sovjetik pa ushqim të mjaftueshëm.

Udhëheqësit sovjetikë theksuan betejat e Amerikës për të drejtat civile, duke promovuar histori për të dëmtuar përpjekjet e SHBA-së për të krijuar  marrëdhënie  me kombet me ngjyrë, raporton abcnews.al

Në mënyrë të ngjashme, ndërsa zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe ata kinezë  po përgatiteshin të takoheshin në Alaska, Sekretari i Shtetit Antony Blinken kritikoi  Pekinin për “dështimin e vazhdueshëm në respektimin e angazhimeve të tij” dhe “sjelljen agresive dhe autoritare”.

Kur, në takimin e tyre, zyrtarët kinezë përmendën protestat për mbrojtjen e  njerëzve me ngjyrë  duke nxjerrë në pah problemet e Amerikës, Blinken  tha se Amerika “nuk është e përsosur” por theksoi se nuk ka frikë t’i adresojë sfidat e saj.

Gjatë luftës së ftohtë, udhëheqësit amerikanë kritikuan Moskën për abuzimet e të drejtave të njeriut, por udhëheqësit sovjetikë nga Stalini te Mikhail Gorbaçov  mohuan akuzat.

Në mënyrë të ngjashme, Pekini po hedh poshtë kritikat nga Perëndimi mbi të drejtat e njeriut. Pas Uashingtonit, Bashkimi Europian dhe kombet e tjera perëndimore vendosën sanksione mbi trajtimin e Pekinit ndaj Ujgurëve Myslimanë dhe pakicave të tjera – pas sanksioneve të SHBA-së mbi shtypjen e Kinës në Hong Kong – Pekini  tha  se lëvizja e BE-së “nuk bazohej në asgjë tjetër përveç gënjeshtrave dhe dezinformatave”  dhe se kishte  ndërhyrë shumë në punët e brendshme të Kinës.

Shtetet e Bashkuara po përballen me një tjetër “luftë të gjatë muzgu”, siç tha JFK për konfliktin SHBA-BRSS. Të gjithë shpresojnë që udhëheqësit dhe njerëzit të jenë të vendosur për të bërë atë që duhet për të mbrojtur lidershipin e  SHBA-së.

Përktheu nga The Hill – abcnews.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *