• |
ide | kryesore

Skandali në Fiks Fare/ Kisha i zapton pronën e të atit, policia i ndalon qytetarit hyrjen në shtëpinë e vet

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Alfons Ulbani nga Shkodra ankohet në Fiks Fare pasi kisha i ka dhunuar shtëpinë e të atit i cili para 7 muajve ka ndërruar jetë. Kjo me pretendimin se shtëpia pronë e familjes Ulbani dikur ka qenë një kopësht i Kishës Katolike të Shkodrës, i ngritur nga një murgeshë italiane.

I ndjeri e ka blerë shtëpinë në vitin 1996. Ka kontratë të rregullt dhe është e regjistruar në Hipotekë. Ka jetuar atje, ka paguar ujë dhe drita. Kur ai ka ndërruar jetë në shtator të 2020, përfaqësues të Kishës kanë shkuar në banesë dhe me gurë freksibël kanë prerë dyert dhe kanë marrë sendet personale. Djali, Alfonsi ka ardhur në Shqipëri, pasi prej vitesh jetonë në Itali dhe ka nxjerrë një dëshmi trashëgimie, ku rezulton se babai i tij s’ka lënë testament dhe është futur në banesë. Por, sërish kur ka ikur, përfaqësuesit e Kishës janë futur brenda duke i prishur edhe njëherë bravat e dyerve.

Kisha ka hapur një padi në gjykatë ku kërkon pronësinë “me posedim”, ku deri më tani nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore, s’ka sigurim padie apo vendim përfundimtar gjyqësor. Alfonsi ballafaqohet me përfaqësues të Kishës në ambientet e Policisë së Shkodrës, ku efektivë dhe shefi i komisariatit i kërkojnë me ngulm që të bëjë marrëveshje me Kishën. Madje, edhe ata konstatojnë se Kisha s’ka dokumente, pasi avokatja i thotë se shtëpia është në emër të z.Rudolf Ulbani, babai i denoncuesit.

Denoncuesi: Kisha më ka vjedh shtëpinë, amanet që ma ka lënë babai

Alfons Ulbanin në intervistën e tij për Fiks Fare denoncon dhunimin e pronës së tij private nga Kisha Katolike e Shkodrës. “Kjo është shtëpia e babës, e kam me letra. Po Kisha e pretendon, meqë ka pasur kopësht, është e jona. Ata s’kanë letra, nuk e kuptoj, kanë shkatërruar derën e oborrit. Shkatërruan bravën e derës dhe u futën brenda. Më kanë vjedh. Më kanë vjedh gjithë pasurinë e babës. Kanë ardhur me furgonë. I kam të gjitha të filmuara” tregon ai.

Në këtë shtëpi të blerë nga babai i Alfonsos ka jetuar i ati i tij të cilat i ka blerë në vitin 1996 dy banesa dhe i ka bashkuar bashkë. Banesat janë blerë me dokumentacionin përkatës të cilin djali i të ndjerit e disponon, dokumenta që vërtetohen edhe në Hipotekë. Ai me lot në sy tregon se si e ka marrë vesh lajmin e humbjes së babait të tij, pasi vetë prej vitit 1994 jeton në Itali. ” Fill pas vdekjes së tim eti ka ardhur avokatja, me një që ka shpërthyer derën, një prift. Këta kanë ardhur në shtator 2020, s’më ka lajmëruar njeri. Të paktën të më merrnin në telefon, të ka vdekur baba, a mund të futemi në shtëpi” tregon Alfonsi ” S’kan pyetur kërrkënd. Babai ka 7muaj që vdekur, ka shkuar për të bërë operacion dhe operacioni shkoi keq. Më ka thënë baba unë e di që s’dal dot nga operacioni të paktën një gjë për ju e kam, më ruaj shtëpinë. Më mbaj shtëpinë si e kam mbajtur unë gjithmonë, Zoti ma mori” përfundon fjalinë pasi shpërthen në lot.

Ai tregon se për ngjarjen në fjalë është vënë në dijeni nga komshinjtë dhe ka ardhur në Shqipëri. Nuk ka bërë denoncim në polici, por ka shkuar të takojë Imzot Angelo Massafrën i cili i ka thënë se duan ta blejnë shtëpinë e të atit, por ndërkohë kishin shkatërruar bravat e hapur dyert. Pasi i ndërroi të gjitha bravat edhe njëherë, Alfonsi niset për Itali. Përsëri i bie telefoni për t’i thënë se Kisha kishte hyrë në shtëpinë e të atit dhe i kishin hequr plaçkat e shtëpisë me furgona. Në këto kushte detyrohet të vijë sërish dhe kur provon të hapë dyert e shtëpisë së tij nuk mundet. “Bravat nuk ishin të miat nuk m’i hapnin çelësat, dhe për këtë kam dhe filmime” shprehet Alfonsi.

Në videon që u shfaq në Fiks Fare duket që denoncuesit dyrt e shtëpisë së të atit ia hap një punonjës i Kishës. Në bisedë kuptohet se kisha ka ndërruar bravat e shtëpisë së të ndjerit, pa njoftuar asnjë nga familjarët dhe duke mos patur asnjë të drejtë. Ai kërkon që Kisha ta lërë rehat, pasi shtëpia është e tija dhe në Hipotekë figuron pronë e babait të tij. ” Unë nëse do iki në Itali besoj se do i shpërthejnë prapë dyert”përfundon Alfons Ulbani

Polici: Kisha s’ka letra, por ti mos hy në shtëpi, bëj marrëveshje

Alfonsi në këto kushte i drejtohet Policisë së Shkodrës, ku takon inspektorin e zonës. Polici i thotë mesa ai ka dijeni çështja është në gjyq dhe meqënëse është atje, Alfonsi nuk ka të drejtë të futet brenda në shtëpinë e tij. Policët nuk japin informacion, por shprehen se pala tjetër, Kisha Katolike, nuk ka paraqitur ndonjë dokument.

Ditën tjetër qytetari kërkon një ballafaqim me përfaqësuesit e Kishës Katolike në ambientet e Policisë së Shkodrës. Ai pohon se shtëpia është në emër të babait të tij dhe i tregon avokates së palës tjetër dëshminë e trashëgimisë .

Avokatja e kishës thotë se një motër e kishës ka ushtruar aktivitetin tregtar në atë banesë, ka kontratat e punëtorëve të firmosur nga murgesha. Atë shtëpi thotë avokatja e ka përdorur murgesha. Në vitin 1996 e ka blerë i ndjeri Rudolf Ulbani, është blerë dy herë me motrën. “Unë e posedoj dhe përderisa ligji ma njeh posedimin, unë s’kam hapur gjyq kot. Rudolfi ka qenë bashkëpunues i saj. Paratë janë hedhur nga ajo. Ajo ka lënë një testament ku thotë e ka lënë për pronat e veta. Ne kërkojmë riposedimin e saj. Më të drejtë ka poseduesi sesa ai që ka emrin në letra!!” thotë avokatja, e cila pohon se në atë shtëpi ka qendruar murgesha. Ndërkohë, Alfonsi thotë se ka qenë babai i tij.

Polici thotë se dokumenti i noterisë është në rregull, ai i trashëgimisë, që thotë se nuk vërtetohet se ai të ketë hequr dorë nga trashëgimia.

Policia kërkon që denoncuesi të firmosë një dokument që mos të futet në banesë, por ai nuk pranon ndërsa thotë se gjatë dhunimit, i është marrë pasuria e babait. Thotë se ka konstatuar se i është thyer banesa.

Avokatja i thotë se qytetari është futur brenda dhe ka marrë sendet. Policia e pyet nëse ka apo jo kontratë, ndërsa ajo i përgjigjet se “jam posedues!”.

Pjesë e këtij ballafaqimi bëhet edhe shefi i komisariatit i cili i drejtohet denoncuesit se pse nuk pranon marrëveshje me palën tjetër.

“Ti, mos hy në shtëpi më!” i thotë shefi, ndërsa më pas i kërkon me ngulm që të bëjë një marrëveshje me Kishën pasi “Ti në Itali je, s’ta merr njeri shtëpinë”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *