• |
ide | kryesore

Analiza/ Çfarë ndodhi në mars me pandeminë dhe pse ranë shifrat

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Në Shqipëri, muaji Mars shënoi një përmirësim të dukshëm të situatës së pandemisë COVID 19, me një ulje të ndjeshme të rasteve të reja dhe të shtrimeve në spitale, ndërsa numri i viktimave ra lehtë.


Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se përgjatë muajit të kaluar u rregjistruan 17.575 të prekur, shifra më e ulët mujore që pas Tetorit të vitit të shkuar. Krahasuar me Shkurtin, rastet e reja ranë me gati 40%, me një mesatare ditore prej 567 të infektuarish.


Në fakt edhe testimet u reduktuan gjatë marsit. Në total u realizuan 92.321 tamponë, ose 14.6% më pak se në muajin shkurt. Megjithatë pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) shënoi një ulje të ndjeshme duke zbritur në 19%, nga 26.7% që ishte në muajin shkurt. Bëhet fjalë për kuotën më të ulët që pas muajit shtator të vitit të shkuar. Pozitiviteti, treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet, erdhi në ulje konstante përgjatë marsit, duke zbritur nga 25.2% në javën e parë, në pak më shumë se 15% në javën e fundit.

Rënie, por të lehtë, shënoi dhe numri i viktimave. Krahasuar me muajin shkurt, në total janë 425 persona që kanë humbur jetën, ose 2 më shumë, por kjo i dedikohet faktit që Marsi ka më shumë ditë, dhe në fakt mesatarja ditore është prej 13.7 humbje jete, nga 15.1 që ishte në shkurt.

Ndërkaq, situata në spitale ka pësuar një përmirësim gati drastik, me afro 60 përqind pacientë më pak. Në fund të muajit mars kishte 271 të shtruar, nga të cilët 7 në terapi intensive, dhe 2 të tjerë të intubuar. Ndërkohë që në fund të shkurtit, ishin 662 pacientë, nga të cilët 35 në terapi intensive dhe 14 të tjerë të intubuar.

Nga fillimi i pandemisë Shqipëria numëron 125.506 raste. Më shumë se gjysma, ose 55%, i përkasin moshës nga 30-59 vjeç. Aktualisht në vend janë 31.390 raste aktive (-4.312 krahasuar me Shkurtin). Ndërsa në total numërohen 2.241 viktima, 48% e të cilëve janë të moshës mbi 70 vjeç. Ajo që mbetet një tendencë e pandryshuar është fakti që nëse 52% e të prekurve janë femra, mes personave që kanë humbur jetën 67% janë meshkuj. /VOA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu