• |
ide | kryesore

Video/ Nga ferri në parajsë, Tirana shpartallon Apoloninë në pjesën e dytë

-Instant, F1, Sport, Video



Në fund, asgjë nuk mund tia largojë buzëqeshjen Orges Shehit dhe Tiranës. Bardheblutë shkatërrojnë 5-2 Apoloninë në “Air Albania”, në javën e 26 të Superiores, duke u afruar tre pikë larg zonës europiane të renditjes. E megjithatë rezultati nuk e tregon realisht sa e vështirë ishte me skuadrën e Camaratas që e mbylli pjesën e parë në avantazh, përpara se të shembej në të dytën, duke pësuar 4 gola të tjerë.

Kampionët në fuqi, me të gjithë lojtarët në dispozicion, morën frenat e lojës që në fillim dhe kur Batha hapi serinë e golave në minutën e 19 u duk një ndeshje e mbyllur, ende pa u futur në fazat e nxehta. Vetëm se impresioni ishte krejtësisht i gabuar, sepse fierakët nuk hoqën dorë nga ndeshja, madje u rritën në lojë dhe barazuan në minutën e 26 me Levendin e po me të njëjtin lojtar përmbysën gjithcka në shtesën e të parës, duke tronditur Tiranën.

Një tronditje që i shërbeu Shehit për të dhënë mesazhin e duhur në dhomat e zhveshjes. E duket se tekniku ka prekur në pikat e duhura, duke parë mënyrën si u kthye në fushë skuadra e tij. Torassa barazoi rezultatin pas vetëm 6 minutash, ndërsa në pjesën e dytë, Apolonia ishte thuajse inekzistente e daljet në sulm ishin të numëruara. Kjo edhe për meritë të bardhebluve që u instaluan në gjysëmfushën kundërshtare dhe në të 65 përmbysën rezultatin me 11 metërshin e kapitenit Batha. Dygolësh për mesfushorin, ndërsa ka lavdi edhe për Ismailgecin që shënoi golin e katërt duke siguruar rezultatin në minutën e 77, përpara se Kale ti japë përmasa fitores me golin e pestë në të parën shtesë të ndeshjes.

Ngjitet në kuotën e 41 pikëve skuadra e Shehit, vetëm tre larg Partizanit e Lacit e pesë nga dyshja kryesuese Teuta-Vllaznia. Në këtë pikë me 10 javë kampionat ende për tu luajtur gjithcka mund të ndodhë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *