• |
ide | kryesore

Kosova i refuzon Shqipërisë vaksinat kineze, ministri i Shëndetësisë: Na e ndalon ligji

-Instant, Lajme



Shtyhet vaksinimi i mësuesve kosovarë në Shqipëri. Lajmi është bërë i ditur në një konferencë për mediat nga ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia. Gjatë konferencës për mediat së bashku me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Vitia deklaroi se shtyrja e procesit të vaksinimit të mësuesve po ndodh pasi nuk ka më sasi të vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer”.

Me këtë rast ai ka vënë në dukje se ka pasur kontakte të vazhdueshme me homologen e tij, Orgeta Manastirliu, e cila i ka premtuar që sapo të vijnë doza të tjera të këtyre dy llojeve të vaksinave, atëherë një sasi e caktuar do t’i ruhet Kosovës për vaksinimin e mësuesve.

“Dozat e vaksinave “AstraZeneca” dhe “Pfizer” janë harxhuar, siç më ka njoftuar ministrja Manastirliu. Në Shqipëri po vazhdon vaksinimi me “Sinovax“, e cila është prodhuar nga Kina dhe për arsye se në Kosovë na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruar në EMA (Rregullatori Evropian i Barnave), ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit të vaksinohen. Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë se sapo të vijnë doza të tjera të dy llojeve të vaksinës, atëherë do ta ndihmojnë Kosovën”, -ka thënë Vitia.

Vitia shtoi se janë duke pritur ardhjen e 76 mijë vaksinave nga programi COVAX, gjithashtu edhe ndihmat nga Komisioni Evropian, si dhe zbuloi se kanë marrë konfirmim edhe nga disa kompani të tjera për sjelljen e vaksinave në Kosovë, por detajet mund të dëmtojnë konfidencialitetin e bisedimeve.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti është shprehur se orientimi i tyre është që vaksinat t’i pranojnë vetëm nga shtetet që e kanë njohur Kosovën.

“Duhet ta keni parasysh që Kosova duke qenë që nuk njihet nga jo pak shtete në botë, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej. Orientimi ynë është me shtetet që na kanë njohur andaj edhe e kemi rezervën tonë dhe qëndrimin tonë karshi ofertave të ndryshme të cilat mund të na vinë nga shtetet mosnjohëse”, ka shtuar ai.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *