• |
ide | kryesore

Ende e paqartë lidhja mes vaksinës Astra Zeneca dhe rasteve të mpiksjes së gjakut

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një zyrtar i lartë i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve tha se ekziston një lidhje mes vaksinës së koronavirusit AstraZeneca dhe rasteve të rralla të mpiksjes të gjakut, por se është e paqartë se cila është lidhja dhe përfitimet e vaksinës janë më të mëdha se sa rreziqet që ajo mund të paraqesë.

Marco Cavaleri, kreu i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve për rreziqet shëndetësore dhe strategjinë e vaksinimit tha për gazetën Il Messaggero të Romës të martën se rregullatori i ilaçeve po përgatitet të bëjë një deklaratë më përfundimtare këtë javë mbi lidhjen e vaksinës së AstraZenekës me mpiksjet e gjakut.

E pyetur në lidhje me komentet e zotit Cavaleri, zyra e shtypit e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve tha se vlerësimi i saj “nuk ka arritur ende në një përfundim dhe shqyrtimi i çështjes po vazhdon.” Agjencia tha se po planifikon mbajtjen e një konference shtypi sapo të përfundojë shqyrtimi, të mërkurën ose të enjten.

Bazuar në provat e deritanishme, zoti Cavaleri tha se ekziston një lidhje e qartë midis vaksinës së AstraZenekës dhe dhjetëra mpiksjeve të rralla të gjakut që janë raportuar në të gjithë botën pas dhjetëra miliona të vaksinimeve të realizuara deri më tani.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të konfirmohet se nuk ekziston një lidhje mes vaksinës AstraZeneca dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së gjakut të shoqëruara me një nivel të ulët të trombozës në pllakat e gjakut”, tha zyrtari i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve, Marco Cavaleri.

Javën e kaluar, një tjetër zyrtar, Dr. Peter Arlett, tha se Agjencia Evropiane të Ilaçeve po shihte “më shumë raste të mpiksjeje gjaku sesa priste”, veçanërisht tek gratë më të reja, dhe se ekspertët e agjencisë po vazhdonin t’i hetonin këto raste.

AstraZeneca nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Në Gjenevë, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ekspertët e saj po vlerësonin gjithashtu një lidhje të mundshme midis vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjeve të rralla të gjakut, dhe se mund të ketë një “vlerësim të ri dhe përfundimtar” para të enjtes.

Në mars, një numër vendesh, përfshirë Gjermaninë, pezulluan vaksinimet me AstraZeneca për shkak të rasteve të mpiksjes së gjakut. Shumica e vendeve të BE-së rinisën vaksinimet më 19 mars, disa me kufizime moshe, pasi Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA) tha se përfitimet e vaksinës ishin më të mëdha se sa rreziqet që mund të paraqesë ajo. Në atë kohë, EMA rekomandoi që broshura mbi vaksinën të azhurnohej me informacione rreth mpiksjeve të rralla të gjakut.

Çdo dyshim i mëtejshëm në lidhje me vaksinën AstraZeneca do të ishte një goditje për këtë vaksinë kundër koronavirusit, e cila është kritike për fushatën e imunizimit të Evropës dhe ndërlidhet me strategjinë globale vaksinimit të banorëve të vendeve të varfëra. Vaksina e AstraZenekës është më e lirë dhe më e lehtë për t’u përdorur sesa vaksinat rivale të kompanive Pfizer dhe Moderna dhe është miratuar për përdorim në mbi 50 vende dhe organizata, përfshirë BE-në me 27 vende dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Autoritetet amerikane janë ende në proces të vlerësimit të vaksinës. /VOA



1 Comment

  1. Te gjitha vaksinat me vektor transportues kane te njejtin problem: AZ, J&J, SinoVac, Sputnik. Kurse Pfizer dhe Moderna qe jane me RNA te modifikuar nuk kane te tilla probleme!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *