• |
ide | kryesore

Rikuperimi i çmendur i Tiranës: Shehi kërkon misionin e paprecedentë

-Instant, Sport



Limitet janë për tu thyer e tek Tirana po e provojnë: nëse u quajt një rikuperim fenomenal ai i një sezoni më parë kur Egbo erdhi në pankinë si zgjedhja e tretë me kampionatin në vazhdim, mund të quhet një cmenduri e vërtetë ajo që po tenton të bëjë Orges Shehi në krye të bardhebluve. Ka shumë të përbashkëta në fakt në dy tentativat e Tiranës për tu shpallur kampion e tani për të mbrojtur titullin. Edhe Shehi erdhi si trajneri i tretë për të marrë drejtimin teknik të kryeqytetasve dhe mori një ekip në vendin e gjashtë me vetëm 20 pikë, pikërisht në javën e 17 të Superiores. Nigeriani një sezon më parë erdhi pikërisht përpara derbit me Partizanin në javën e 16 me skuadrën që pozicionohej e teta me 19 pikë.

Diferenca në start ishte se Egbo ishte vetëm 6 larg Partizanit, që në atë kohë kryesonte, ndërsa durrsaku mbërriti në javën e 17 dhe shihte me dylbi Vllazninë 16 pikë larg. Ajo që gjeti Shehi ishte një skuadër e sfilitur nga dëmtimet e rezultatet që e kishin degëdisur larg objektivave, e për më tepër humbi edhe lojtarin më të rëndësishëm Ernest Mucin të transferyuar në janar. Dicka të ngjashme pati në impakt edhe nigeriani, atëherë kur askush nuk do ta merrte skuadrën në ngarkim, para derbit me Partizanin që ishte në krye. Rezultatet erdhën breshëri, me një seri fitoresh të papara, që e katapultuan skuadrën kryeqytetase në vendin e parë me diferencë nga ndjekësit. 20 ndeshje, dy barazime e një humbje i vendosën fatet, aq sa luhatjet e fundit nuk i bënë dëm, duke e mbyllur me +14 nga Kukësi për të festuar titullin kampion.

E kërkon përsëritjen Shehi, me statistika që në total ndoshta nuk janë aq dërrmuese sa të Egbo, por që kanë efikasitetin shumë më të lartë duke rikuperuar 11 pikë deri tani. Në 10 ndeshjet që tekniku ka qenë në detyrë bardheblutë e tij kanë marrë 7 fitore dhe 3 humbje. Asnjë barazim, po ndoshta edhe situata e të qenit jashtë cdo objektivi e detyronte të luante gjithcka për gjithcka, duke e sjellë Tiranën vetëm tre pikë larg Europës e 5 nga mbrojtja e titullit, që nëse e përmbush do të jetë e paprecedentë në histori.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *