• |
ide | kryesore

Mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, që nga fillimi i pandemisë (rritje 48%); në mars 2021 u dyfishuan

-Instant, Lajme, Të fundit



Më se një vit nga fillimi i pandemisë në vend, bilanci i pasojave në jetët e humbura sa vjen e po bëhet më shqetësues. Dy valët e mëdha të pandemisë, nëntor-dhjetori 2020 dhe shkurt-marsi 2021 kanë qenë fatale. Sipas të dhënave paraprake nga Gjendja Civile, që referojnë aktet e vdekjeve (datës së regjistrimit në regjistër të vdekjeve të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë), në mars 2021 kishte rreth 3900 fatalitete në vend, me dyfishim (rritje 108%) në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shkurt 2021 u regjistruan rreth 3500 akte vdekje dhe në janar rreth 2,800.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsej 10.2 mijë vdekje, me një rritje prej 70% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ende nuk kishin filluar të ndiheshin pasojat e pandemisë (me rastin e parë që u identifikua në 9 mars 2020). Ky është tremujori më fatal, të paktën që nga viti 1990 kur raportohen të dhënat. Mesatarisht çdo ditë kanë humbur jetën gjatë kësaj periudhe 113 persona, nga 67 në tremujorin e parë 2020.

Në vite normale, humbin jetën 21-22 mijë persona në vit, sipas INSTAT, por këtë vit vetëm në tremujorin e parë kanë ndodhur aq humbje jete, sa regjistroheshin normalisht në 6 muaj.

Dhjetori mbetet muaji me më shumë fatalitete

Efektet e pandemisë në vend filluan të ndihen që nga muaji qershor, pas rihapjes së vendit nga karantina e rreptë e mars-majit.

Pas një vale të parë nga qershori deri në tetor, ku fatalitetet u rritën deri me 47% në gusht, vala e dytë e nëntorit solli përkeqësim të pandemisë, pas hapjes së shkollave dhe fillimit të dimrit. Në nëntor u shënuan gjithsej 3,373 jetë të humbura, me rritje 111% në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, duke shënuar rritjen më të lartë në përqindje në Europë në një muaj përgjatë gjithë ciklit të pandemisë, por edhe në raport me gjithë muajt e deritanishëm në vend.

Muaji më tragjik, për numrin total të vdekjeve, deri tani ka qenë dhjetori, me 4,167 fatalitete, me dyfishim (98%) në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë (rreth 2 mijë vdekje më shumë). Në dhjetor humbën jetën 134 persona në ditë, përkundrejt 68 në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e katërt 2020 u shënuan gjithsej gati 9800 fatalitete, me rritje 81%, në raport me tetor-dhjetor 2019.

Më pas, situata u qetësua disi në janar, pas pushimeve të fundvitit në shkolla dhe shtimit të kufizimeve të lëvizjeve, me rritje 30% , ose 667 fataliteteve më shumë. Pas dhjetorit, situata më e rënduar ka qenë në shkurt-mars të këtij viti, ku sërish u konstatua një valë e shtuar e tretë e pandemisë dhe një mbingarkesë në spitale. Marsi 2021 iu afrua niveleve të dhjetorit 2020 për humbjen e jetëve (shih grafikun: Ecuria e vdekjeve sipas muajve).

Tradicionalisht, tremujori i parë i vitit ka një nivel më të lartë vdekjesh në raport me periudhën tjetër të vitit, si rrjedhojë e motit të ftohtë, që ul imunitetin, kryesisht të të moshuarve.

Mbi 10 mijë fatalitete shtesë që nga fillimi i pandemisë, rritje rreth 48%

Në 12 muaj, nga prilli 2020 në mars 2021, gjithsej në vend janë regjistruar rreth 32.2 mijë jetë të humbura, nga 21.7 mijë në të njëjtën periudhë 12 mujore të vitit të mëparshëm, me rritje prej rreth 48%. Në total janë mbi 10 mijë vdekje shtesë në vend, që nga periudha e fillimit të pandemisë.

Vala më vdekjeprurëse ka qenë në pesë muaj nga nëntori 2020 deri në mars 2021, periudhë në të cilën është regjistruar rreth 77% e shtesës së fataliteteve që nga nisja e pandemisë. Ndryshe nga pjesa më e madhe e shteteve të Europës që rikthyen karantinës, në Shqipëri u zbatuan vetëm kufizime minimale të orareve të mbrëmjes.

Sipas mjekëve, rritja e lartë e vdekshmërisë lidhet me efektet direkte të Covid-19 (të përshkallëzuara dhe nga sistemi i dobët i kujdesit shëndetësor dhe lëvizshmëria normale e njerëzve, përveç darkës), si dhe shtimit të fataliteteve së sëmundjeve të tjera, për shkak të mungesës së diagnostikimit dhe stepjes për të shkuar në spitale. Një tjetër problematikë, që po konstatohet, lidhet edhe me pasojat, që po lë Covid-19 tek ata që e kalojnë atë, duke rritur predispozitën për trashje gjaku, që mund të sjellë goditje në zemër, në tru, trombozë etj.

Që nga fillimi i pandemisë, në mars 2020, deri në fund të 2020-s, Shqipëria regjistroi dhe rritjen më të madhe të fataliteteve në Europë.



4 Comments

  1. Më datë 30.05.2013, vetëm një muaj para zgjedhjeve doli vendimi i dytë përshpejtues i Këshillit të Ministrave me nr.498, “Për përcaktimin e procedurave të shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”.

    Berisha e përligji firmosjen e këtij koncesioni me “uljen e evazionit fiskal në tregun e naftës”, detyrë dhe përgjegjësi kjo, e shtetit. Sidoqoftë, kjo ishte alibia zyrtare e ekzistencës së këtij koncesioni, arsyeja reale është ajo që e dinë të gjithë. Operatorët e naftës në tregun shqiptar e quajtën asokohe “taksa e Zenit”.

    Fjala ishte për Shkëlzen Berishën, që u përfol si kumbari i koncesionit.

  2. Ky eshte ne te vertete qellimi i kesaj fushate kriminale frikesimi e bllokimi te jetes normale, i fokusuar kryesisht tek mos dhenia e sherbimeve normale shendetesore.
    Kur te gjitha sherbimet shendetesore jane te minimizuara per te mos thene te bllokuara plotesisht, kur behet cdo dite terror me raportime vdekjesh e infektimesh apo gjoba per mos mbajtje maske, nderkohe qe ska asnje te dhene shkencore se si te mbron maska (permasat e virusit jane shume me te vogla se hapsirat e maskes), kur mjeket ne spitale (heronjte) vetem numerojne e raportojne viktimat pa e ditur edhe ata vete se cfare kure tu ofrojne te semureve. Nderkohe te semuret e tjere kronike me probleme te sistemit respirator, kardiovaskular, diabetike, me tumore etj, lihen pas dore, keto shifra jane me se te pritshme.
    E megjithe ate, vdekjet nga Covid nuk jane shkaku kryesor, perkundrazi shkaku i peste apo i gjashte, megjithe abuzimet per tja faturuar kesaj diagnoze edhe raste te tjera. Kujtojme se edhe Bashkim Fino u deklarua se vdiq nga Covid, packa se ai ishte nje i semure ne fazen terminale me leucemi dhe kishte provuar cdo kure madje edhe ato te diskutueshme per semundjen e tij.
    Perse nuk kemi mbyllje e lockdown si dhe masa kufizuese per semundjet qe jane shkaku kryesor i vdekjeve?
    Pse nuk shpallet gjendja e jashtezakoneshme per semundjet e sistemit respirator, per semundjet kardiovaskulare, per kancerin e diabetin qe po shtohen me ritme te frikshme?
    Masat per keto jane me te thjeshta e dihen boterisht: te pakesohet ndotja nga gazet helmuese e sidomos nga pluhurat e imet qe leshon kryesisht industria e ndertimit, te kontrollohen e asgjesohen ushqimet e modifikuara e te trajtuara me hormone e antibiotike, te shtohet gjelberimi e cilesia e ujit etj.
    Me kete nivel kujdesi shendetesor, me kete vleresim nga shteti per jeten e shendetin e qytetareve, keto shifra do te ishin normale edhe pa Covid.
    Shikoni cfare peshe ka shendetesia ne buxhetin e shtetit.
    Keto nuk jane masa parandaluese apo kufizime, keto jane detaje te nje bojkoti total te kujdesit per shendetin e popullsise.

  3. Si me siper, nje gomar i djathte e nje i majte nuk i kane lene mangut asgje injorances dhe komplotizmit. Faktet flasin qarte. 10 mije te vdekur ne nje vit nga Covid..Me shume se sa vdekjet ne vit qe ka patur Shqiperia ne luften e dyte boterore..Maske, Distancim dhe Higjene, derisa te vije vaksina..Te tjerat jane llafe!

    1. Bravo tru-tredhur, ku i gjete 10000 te vdekur nga Covid?
      Ik tani zer rradhen per vaksinen qe te mbron 50 deri 95 % nga nje semundje qe ka mundesi 97 % te mos te te zere dhe 0.01 % te te vrase.
      Lexo njehere shifrat e OBSH.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *