Në Lac tensioni ndihet në ajër e ndoshta është pikërisht gara për titull që e shkakton. Ajo që po e penalizon në këtë rast teknikun Shpëtim Duro është ‘lajthitja’ e lojtarëve të tij, që po i mungojnë gjatë duke i kondicionuar rezultatet. Onur Obanor me veprimin e shëmtuar në fund-ndeshjen e gjysëmfinales së Kupës së Shqipërisë, të humbur 1-0 ndaj Vllaznisë mund ti ketë thënë mirupafshim sezonit, sepse Disiplina do të marrë në shqyrtim një gjest të ngjashëm me atë të Nëabuezes, edhe ai një lojtar i Lacit, i dënuar 10 ndeshje për grushtat në Ballsh kundër Bylis.
Pas përfundimit të ndeshjes, mbrojtësi i kurbinasve, Onur Obanor humbi logjikën, duke u vërsulur mbi Herald Markun, të cilin e goditi duke i kërcyer me taka mbi trup. Mbrojtësi bardhezi u ndëshkua me karton të kuq nga Juxhin Xhaja, por tani do të vendosë Disiplina për të dhe rasti Nwabueze tregon shumë.
Në minutën e 60 të sfidës në Adush Muca, amerikani i bardhezinjve i dha një goditje me bërryl, pa top, mbrojtësit në markaturë. Karton i kuq për të nga arbitri Lato, por sherri nisi kur Nuabueze shkoi dhe goditi për herë të dytë kundërshtarin përtokë, në prezencë të lojtarëve të Bylis që po interesoheshin për gjendjen e shokut të tyre. Aty, Carkanji e të tjerë lojtarë të Bylis nisën gjuetinë për numrin 9 që goditi me grushta e shkelma këdo që i afrohej. Përfundoi i gjakosur ndihmës trajneri i Bylis Bekim Kuli, që rrëshkiti në tentativë për të ndarë palët që grindeshin dhe e pa veten nën turmën që shkëmbente goditje.
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit dha 10 ndeshje pezullim për Nwabueze, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/e të KDS. Në nenin 47 të rregullores së FSHF në lidhje me sjelljen e keqe ndaj kundërshtarit apo cdo personi tjetër, përvec zyrtarëve të ndeshjes, pika E parashikon të paktën 5 ndeshje skualifikim për sulm ose dhunë (goditje me grusht, bërryl, ose shkelm) ndaj kundërshtarëve ose cdo personi tjetër, përvec zyrtarëve të ndeshjes.