• |
ide | kryesore

Këshilli i Mediave: SPAK po cënon lirinë e mediave

Lajme, Të fundit



Këshilli Shqiptar i Mediave reagon me shumë shqetësim ndaj zhvillimeve të fundit ku prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e serverave të Lapsi.al.

Standartet etike të gazetarisë përcaktojnë se një gazetar ka të drejtë dhe detyrë të mbrojë burimin e vet, të mos e vërë në rrezik dhe të mos e dekonspirojë atë. Investigimet bëhen për të ekspozuar problematika të ndryshme dhe detyra e prokurorisë është të ndjekë burimin e problemeve të investiguara, jo gazetarët që e investigojnë dhe burimet e tyre konfidenciale.

Për më tepër, sekuestrimi i serverit të medias Lapsi.al vë në rrezik jo vetëm burimin e këtij investigimi por dhe gjithë burimet e investigimeve të mëparshme të LAPSI.AL, duke dekonspiruar të gjithë burimet konfidenciale të mëherëshme të kësaj medieje.

Pasoja indirekte e këtij veprimi të papërgjegjshëm nga ana e Prokurorisë është se do të shkaktojë një frikësim tek çdo person (whistleblower) që ka denoncuar dhe mund të denoncojë tek gazetarët në mënyrë konfidenciale abuzimet e pushtetit.

KSHM e konsideron këtë veprim të papërgjegjshëm të Prokurorisë si një cënim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe i kërkon, në emër edhe të reformës në drejtësi, të tërhiqet menjëherë nga ky veprim.

KSHM i bën thirrje organizatave kombëtare e ndërkombëtare të gazetarëve, Këshillit të Europës, Ambasadorit të BE-së, Ambasadores Amerikane dhe Ambasadave të tjera europiane në vend, të mbështesin këtë deklaratë të KSHM në mbrojtje të një prej shtyllave kryesore për funksionimin e  një shtypi të lirë.



2 Comments

  1. ””’ KSHM i bën thirrje Këshillit të Europës, Ambasadorit të BE-së, Ambasadores Amerikane dhe Ambasadave të tjera europiane në vend, të mbështesin këtë deklaratë të KSHM në mbrojtje të një prej shtyllave kryesore për funksionimin e një shtypi të lirë. ”””

    Kur do mesojne keta shqiptare te mos qyrraviten dhe ankohen tek te huajt per problemet tona.
    Duke i bombarudar me letra, deklarata, kerkesa , thirrje , venie ne dijeni per … ,, etj etj , kane arritur deri ne ate pike sa asnje nga keto aktore te huaj ne skenen politke shqiptare te mos i marri serjozisht.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *