• |
ide | kryesore

Sinjalet e ndezura për parakalim: Partizani, gjashtë gola për sprintin final të kampionatit

-Instant, Sport



Partizani e nis në mënyrën më të mirë të mundshme fazën e fundit të kampionatit: fitore me përmbysje e në gol të gjithë sulmuesit e si për ti dhënë më shumë kredibilitet edhe një perlë e Hakajt që konfirmon potencialin e të kuqve për të gjetur golin me shumë lojtarë e me cdo pozicion. Kundër Bylis e Kastriotit skuadra e Dajës ka shpërthyer forcën sulmuese me gjashtë gola në dy ndeshje e tërhequr nga njerëzit e tij më përfaqësues. Cinari e Asani ishin garanci, por tekniku i është gëzuar më shumë se gjithcka dy golave radhazi të Stenio Junior, njeriu që ishte thirrur në janar për të zgjidhur punë, por ende nuk po shfaqej në pritshmëritë e skuadrës kryeqytetase.

Vërtetë kundërshtarët direkt nuk po ndalen, Teuta është ende dy pikë prapa e Vllaznia, nuk po i jep kënaqësinë e të qenit të vetëm në vendin e dytë, por në tetë javët e mbetura Daja ka marrë përgjigjen që priste nga skuadra. Besueshmëri totale, jo vetëm për ekspresivitetin përpara portës, ku përvec gjashtë golave, janë edhe një mori rastesh, që ndoshta kërkojnë më tepër prakticitet në finalizim, por edhe një prapavijë që mban, me lojtarë që sakrifikojnë e nuk japin hapësira, duke lejuar pasivitetin e një goli të pësuar në të ftohtë, kur motorët e demave nuk ishin ngrohur ende plotësisht.

E në këtë pikë, futet në lojë edhe një detaj tjetër, ai i forcës së reagimit për të përmbysur rezultatin. Partizani tregoi se di ta bëjë, pa e humbur mendjen dhe futur në panik dhe në finalen e një sezoni të gjatë, ku shpërqendrimet janë edhe të pranueshme, mund të bëjë diferencën. Për momentin, duke vazhduar gjuetinë e vendit të parë, të kuqtë i gëzohen rezultatit të pestë pozitiv radhazi.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *