• |
ide | kryesore

“Kam propozuar 30 emra për Kombëtaren”: problemet për teknikun Reja vijnë nga Kosova e Maqedonia

-Instant, F1, Sport



Tekniku i Kombëtares, Edoardo Reja, vazhdon të ndjekë me kujdes seleksionet e moshave të ekipit kombëtar, në kërkim të talenteve të së ardhmes. Bashkë me drejtorin teknik Giancarlo Camolese dhe pjesëtarë të departamentit të ekipeve kombëtare në FSHF, italiani ka ndjekur nga afër procesin stërvitor dhe kanë monitoruar seleksionimin me lojtarë të përzgjedhur me 49 lojtarë të kampionatit shqiptar U17.

Tekniku Reja ndodhet në Shqipëri për t’u takuar dhe diskutuar me stafet e ekipeve kombëtare dhe më drejtuesit e zyrave rajonale të FSHF-së për ecurinë e punës me lojtarët e talentuar dhe për të ndjekur disa nga seleksionimet që zhvillohen gjatë kësaj periudhe. Në një prononcim për mediat, trajneri kuqezi ka folur mbi punën që po bëhet me seleksionimet në Kombëtaret e moshave në Shqipëri, duke theksuar se niveli është i mirë: “Po shoh lojtarët e rinj në aksion, ditën e djeshme ishim dhe në Shkodër, bëmë disa seleksionime në zyrat rajonale të FSHF dhe mund të themi që jemi në fillimin e seleksionimeve në sektorin e të rinjve në Shqipëri. Pastaj do të bëjmë dhe turneun në Zagreb dhe kjo do na japë mundësinë të bëjmë krahasimet me ekipet e tjera kombëtare të moshave për të kuptuar nivelin e pjekurisë së të rinjve tanë. Ky është vetëm fillimi i punës. Deri tani është punuar mirë, pasi këtu pashë disa cilësi të mira. Ka djem që paraqesin cilësi si nga ana fizike ashtu dhe nga ana teknike. Sigurisht, punës së bërë deri tani i duhet dhënë vazhdimësi, duhet organizim mbi të gjitha nga ana taktike. Duhen gjetur stërvitjet e duhura në mënyrë që në të ardhmen këto kapacitete të zhvillohen”, – tha Reja, teksa vlerësoi nivelin e elementëve të rinj të kampionatit shqiptar.

Më tej, trajneri i Shqipërisë ka folur edhe për ndeshjet e ardhshme miqësore të Kombëtares, që luhen në muajin qershor. Reja thekson se po punohet edhe për të afruar lojtarë të rinj, të cilët mund t’i vlejnë përfaqësueses në të ardhmen: “Për sa i përket Kombëtares, duhet të presim dhe të shikojmë. Kam propozuar rreth 30 emra në mënyrë që të fillojnë të përgatiten edhe autorizimet për të shkuar në Angli. Por jam në proces vlerësimi. Të shikojmë se mund të përfshij edhe emra të tjerë. Grupin e kam pothuajse të formuar, por do të më pëlqente të përfshija edhe të tjerë, sidomos në ndeshjet miqësore. Shpresoj të ketë dhe emra të rinj, do të shikojmë dhe gjatë fazës finale të sezonit nëse spikat ndonjë figurë e re. Kam pikasur disa lojtarë të rinj të vitlindjeve 2000 e 2001. Të shikojmë nëse do të pranojnë të vijnë në Shqipëri, pasi dikush është nga Kosova, një tjetër nga Republika e Maqedonisë së Veriut, prandaj ka edhe problematika nga ky këndvështrim. Jo të gjithë janë shqiptarë. Për shembull kemi krijuar një listë me një grup lojtarësh që aktivizohen në Itali, grup-mosha 2004, 2005, 2006 të cilët janë shqiptarë dhe nuk paraqesin probleme”, – ka deklaruar ndër të tjera trajneri Edoardo Reja.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *