• |
ide | kryesore

Ministri i Jashtëm gjerman: Ndryshimi i kufijve të Kosovës, ide e rrezikshme! BE të liberalizojë vizat, keni plotësuar kushtet!

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë të enjten në Prishtinë se idetë, të cilat kanë qarkulluar së fundmi rreth ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, përveç që janë joreale, janë edhe të rrezikshme.

“E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje”, ka thënë Maas pas takimit të zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se dëshiron që ideja e fundit në këtë drejtim të futet shpejt në sirtar dhe të jetë pjesë e së kaluarës.

Sa i përket raportimeve se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një non-paper, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar, Maas ka thënë se nuk është në di për projekte të tilla.

“Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper, është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, Qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve”, ka thënë ai.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në anën tjetër, ka thënë se pas qarkullimit të këtyre raportimeve, ka kontaktuar autoritetet sllovene, të cilat i kanë thënë se një lajm i tillë nuk është i vërtetë.

“E kemi ritheksuar dhe e ritheksojmë se ide të tilla janë të rrezikshme për rajonin dhe përtej rajonit”, ka deklaruar ajo.

Osmani: Dialogu ka nevojë për rinisje
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës do të rrisin zërin që të arrihet drejtësi për secilën viktimë të luftës.

Sipas Osmanit, Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë me parime të qarta.

Maas ka thënë se ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajcak.

‘BE-ja ta mbajë premtimin për vizat’
Përgjatë konferencës për media, presidentja Osmani ka thënë se ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi ka konsideruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, andaj po mbahet padrejtësisht e izoluar.

Maas është pajtuar me Osmanin se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ka thënë se Gjermania do të angazhohet në këtë drejtim.

“Bashkimi Evropian duhet ta mbajë premtimin që ka dhënë”, ka thënë mes tjerash ai./rel



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *